Amerika, “dashuria” dhe aleatja e parë, ambasadorët si "zogj shtegtarë”...

Opinione

Amerika, “dashuria” dhe aleatja e parë, ambasadorët si "zogj shtegtarë”...

Nga: Xhevat MUSTAFA Më: 28 shtator 2021 Në ora: 09:02
Xhevat Mustafa

Disa shqiptarë në Shqipëri dhe të tjerë, që jetojnë prej shumë vitesh në SHBA, me statusin e shtetasve shqiptaro-amerikanë si dhe në vende të tjera, kryesisht me anim dhe bindje politike majtas, të cilët deri aty nga viti 1997, e kanë sharë Amerikën me të gjithë “thesarin”e fjalëve më armiqsore, që përmban fjalori i gjuhës shqipe, në këto vite kur edhe SHBA kanë anuar dukshëm majtas, na bëjnë moral dhe edukatë për qëndrim të kulturuar dhe mirënjohje ndaj këtij aleati të madh të Botës Shqiptare dhe çdo ambasadori amerikan në Tiranë!!!??? Këta armiq të moçëm dhe histerikë të “Amerikës imperialisto-kapitaliste”, kur ndërhyjnë në debatet rreth deklarimeve dhe qëndrimeve, veprimeve dhe mosveprimeve të ambasadores Kim dhe rreth reflektimeve të tyre në krizën e investuar nga Rama, Soros, Kim...në gjirin e PD-së mes Bashës dhe Berishës e për filoamerikanizmin dhe antiamerikanizmin në këtë parti, për ta mbrojtur ambasadoren na japin edhe mësime, që i dimë shumë më mirë se ata. Kështu, na “kujtojnë” se ndaj ambasadores Kim nuk duhet të shprehim zhgënjime, rezerva, vërejtje, kritika...sepse juridikisht dhe zyrtarisht ajo përfaqëson AMERIKËN, Presidentin Biden, Sekretarin e Shtetit, Blinken...

De jure ajo është ambasadore e DASH, e ambasadorit Biden, por me deklarime dhe qëndrime publike; me veprime dhe mosveprime këto rreth dy vjet ka treguar se është misionare e Xhorxh Soros dhe, nëpërmjet tij, edhe e Edi Ramës! Pikërisht për këtë paradoks apo shpërdorim të vetvetes, deri në dukjen dhe veprimet më shumë si guvernatore se sa si ambasadore, ajo është bërë masivisht zhgënjyese, e kritikueshme..., "non grata" tek populli opozitar, antiqeveritar si dhe nga shumica në masën e popullit të pa parti apo të pavarur, në Shqipëri dhe në diasporë...!

Këto deklarime dhe qëndrime, veprime dhe mosveprime të ambasadores Kim, nga “pakujdesia”, “nxitimi”, “emocionet” apo “jo krejt të pavullnetshme e jo krejt të rastësishme” kanë shkaktuar zhgënjim të dukshëm e shpesh të papërmbajtshëm edhe në rrjete publike, rezerva, vërejtje, kritika ndaj saj tek kjo pjesë e shqiptarëve “, bile jo pak edhe në SHBA. Njëherazi, edhe ndaj Xhorxh Soros, si”ëngjëll mbrojtës” i Edi Ramës si kryeministër sa më afatgjatë i Shqipërisë, me rol lideri i Minishengenit ballkanik” dhe si “kriza-zgjidhës”në rajon si dhe i karrierës dhe postit të saj në Shqipëri. Në periudhën e ambasadorllëk-guvernatorllëkut në Shqipëri, Yuri Kim, ka krijuar tek plot shqiptarë antiqeveritarë dyshimin apo opinionin se ajo duket, deklaron, vepron, mbyll sytë dhe hesht ndaj bëmave dhe gjëmave të Ramës, me shokë e shoqe... më shumë si ambasadore e Sorosit se sa e Presidentit Biden. Ajo u bë, me dëshirë apo detyrim, edhe qesharake kur i kërcënoi dhe poshtëroi anëtarët e PD-së dhe përgjithësisht opozitarët me barngrënie; kur, përtej rregullave strikte të etikës diplomatike, u ngjishet dhe shkrihet së qeshuri kur del në fotografi pranë Ramës, Veliajt, Spiropalit; kur u përrallis shqiptarëve për përparim e suksese, edhe në “reformën në drejtësi”, ndërsa vendi është në rrëshqitje të pandalshme në krizë shumëformëshe, katrahurë politike, juridike, ekonomike, sociale, arsimore...,i përmbytur nga korrupsioni, kanabizimi, kullëzimi, krimi, rritja e pafre e çmimeve, e varfërisë, emigracionit...

Ajo u bë edhe më e pabesueshme, më e padurueshme dhe më qesharake, kur pas kthimit nga Uashingtoni më 24 shtator, deklaroi me hipokrizi pas takimit me Lulzim Bashën se “mezi pret të festoje fitoren e Partisë Demokratike”, nënkuptohet pas 4, 8, 12 vjetësh të mbretërimit të “të përkëdhelurit” të saj, Edi Ramës, të ekzistencës së Partisë -Shtet...!!!???.

Kur ua shpreh këto fakte dhe argumente ”të majtëve” enveristë, ramizistë, edramistë, sigurimso-patronazhistë... në Shqipëri, në SHBA dhe vende të tjera, të kundërvihen me “argumentin” se nuk ka fuqi Rama të ndikojë në politikën dhe qëndrimet amerikane ndaj Shqipërisë tek Shtëpia e Bardhë dhe Presidenti Biden personalisht. Për këtë, deri më sot, as ne nuk kemi kundërshtime dhe dyshime. Fare freskët kjo u shpreh me pamundësinë e Ramës për të bërë jo një takim në këmbë apo pak minutash, por as edhe një foto me presidentin aktual të SHBA-së, në sesionin e 72-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB, në New York, në shtator 2021 ...Por debatuesit “e majtë harrojnë” se kanë mundësi ndikimi Soros dhe "biri i tij", Blinken në DASH, për të mbyllur sy, veshë e gojë ndaj skandaleve të Ramës, ministrave dhe ministreshave dhe partiakëve të tij të lartë. Njëkohësisht edhe ndaj deklarimeve dhe qëndrimeve të njëanshme politike, në mbështetje apo mbrojtje të Ramës nga ambasadorja Yuri Kim! Një pjesë e shqiptarëve në diasporë, që i dalin në mbrojtje ambasadores Yuri Kim, nuk marrin parasysh faktin se nuk ka ambasadore të SHBA-së në Shqipëri në Washington, ku ajo nuk mund të jetë tejet e lirë dhe e pakontrollueshme nga Presidenti Biden dhe njerëzit e tij më besnikë, jo sorosianë...Yuri Kim është në Tiranë. Merrret me mend se Presidenti Biden nuk ka as kohë dhe nerva të merret me sherret 30 vjeçare të ekipeve politike dhe qeverisëse të Shqipërisë, vend dhe shtet që duhet të jetë aty nga fundi i listës së aleatëve strategjikë e politikë të SHBA-së. Ambasadorja Kim mund të përfitojë edhe nga disa rrethana të tjera. Fjala është për moshën e madhe dhe mbingarkesën e përditshme të presidentit Biden. Kur e ka zënë gjumi jo një herë në takime me ambasadorë dhe shtetarë më të lartë të huaj, merret me mend se sa mund ta vënë në gjumë qindra shkresa mbi tavolinë përditë...Në këto kushte, një pjesë të mirë të këtyre shkresave, ku mund të jenë edhe letra me ankesa e kritika për ambasadoren Kim në Tiranë, mund të mos i lexojë dhe ia kalon Sekretarit Blinken. Nëse kalojnë tek ky, është njësoj sikur të kenë kaluar edhe në tavolinat e Xhoxh Sorosit dhe të Edi Ramës... Ne që kemi zhgënjime, rezerva e kritika ndaj ambasadores Kim, gjykojmë mbi bazën e deklaratave dhe qëndrimeve,veprimeve dhe mosveprimeve të saj në Shqipëri, që mbajnë erë njëanshmëri sa ndjehet deri në Kelmend e në Konispol. Disa “avoketër mbrojtës vullnetarë” të Amerikës dhe të ambasadores Kim kapen edhe tek “argumenti” se SHBA, në rastin e shpalljes non grata të Berishës, kanë dhënë mesazhin e traditës apo strategjisë se DASH bën përzgjedhje mes dy të këqijave, duke goditur më të madhen. Sa për këtë përzgjedhje apo kompromis që bën Amerika mes dy të këqijave, duke zgjedhur jo kurdoherë më të voglën, për mua dhe të gjithë ata që mendojnë si unë, gati gjysma e shqiptarëve, mendojmë se e keqja më e madhe në Shqipëri në këta 8 vjet nuk është më Berisha, me cikël politik dhe qeverisës të përmbyllur qysh më 23 qershor 2013, por janë Rama me 3 qeveritë e tij, Erion Veliaj dhe sorosianët, oligarkët shqiptarë, ndraghetianë, ekuadorianë... si dhe bosët e trafiqeve, të kanabizit, që i rrethojnë. Sa për dijeni e për të argumentuar se Amerika ka gabuar jo rrallë herë me lëmshet dhe vorbullat e të këqijave po evidentoj dy raste. Nën hundën e Amerikës qeveritë proamerikane e bënë Afganistanin prodhuesin e parë në botë për heroinë dhe për korrupsion (presidentët dhe pushtetarët më të lartë si dhe sorosianët me saraje përmbytur me flori). Po nën hundën e Amerikës edhe Shqipëria e këtyre 8 viteve u bë dhe klasifikohet si vendi i parë në Europë për kanabiz dhe korrupsion!!!??? Krejt "të rastësishëm" janë këto fakte??? Rezervat, vërejtjet, kritikat tona ndaj Biden, Blinken, Palmer, Grenell, Kim...janë për këta si individë dhe aspak shprehje antiamerikanizmi!!! Siç ndodh edhe me gjysmën e amerikanëve anëtarë, mbështetës apo votues të PR e të Trump, për të cilët AMERICA IS FIRST, edhe për ne kritikuesit e Kim, në mënyrë figurative, për nga afeksioni politik, AMERIKA është "dashuria" dhe aleatja e parë. Trump, Biden, Blinken, Palmer, Grenell, Kim...janë kalimtarë apo si "zogj shtegtarë"!!!

Duke e përmbyllur, gjykoj se faji kryesor, përgjegjësia më e madhe për zhgënjimin apo armiqësimin e një pjese të shqiptarëve ndaj AMERIKËS gjatë këtyre rreth 2 vjetëve, bie mbi ambasasadoren Yuri Kim, viktimë, me pa apo dashje, e kërkesave nga Edi Rama tek Soros e nga ky tek Blinken, të cilin e do dhe mbështet sikur ta kishte ”bir për shpirt”...!!! Sa për shumicën e shqiptarëve, përfshirë edhe masën e anëtarësisë së PD, me përjashtim të sorosianëve, që e kanë dashur dhe duan Amerikën më së shumti për tufat me dollarë e për bursa, kanë qenë, janë dhe do të jenë me zemra, mendje, vepra adhurues dhe mbështetës të SHBA- së. Ata e kanë parë, e vlerësojnë dhe do ta respektojnë AMERIKËN si ALEATIN E PARË apo kryesor të Shqipërisë dhe shqiptarëve si KOMB!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat