Aksioni i policisë speciale, ROSU, dhe reciprociteti me targat ndaj Serbisë, e forcuan sovranitetin dhe i dhanë fund hegjemonisë serbe në veri të Kosovës..!

Opinione

Aksioni i policisë speciale, ROSU, dhe reciprociteti me targat ndaj Serbisë, e forcuan sovranitetin dhe i dhanë fund hegjemonisë serbe në veri të Kosovës..!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 3 tetor 2021 Në ora: 20:09
Rexhep Elezaj

Vërtetë, janë neveritëse por edhe të pasakta shkrimet, komentet, debatet si dhe deklaratat individuale të disa udhëheqësve të partive opozitare, disa gazetarëve si dhe analistëve nëpër debate televizive, etj., të cilët, secili në mënyrën më të mbrapshtë, ngjarjet e fundit 13 ditore në kufirin verior të Kosovës me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak, me tërë arsenalin e tyre policor dhe ushtarak, mjerisht vazhdojnë t’i vlerësojnë si humbje për Kosovën, gjegjësisht si fitore për Serbinë..!?

Ja shumë argumente që flasin për pasaktësinë e këtyre vlerësimeve negative lidhur me aksionin policor të Kosovës në veri, përkatësisht që dëshmojnë për suksesin e veprimit të qeverisë “Kurti-2”, në favor të shtetësisë së Kosovës pas vendosjes së reciprocitetit për targat ndaj Serbisë.

Së pari, është hera e parë pas 20 vitesh që një qeveri e Kosovës e vendos masën e reciprocitetit ndaj një shteti armik dhe shumë agresor, siç është Serbia, e cila kategorikisht e refuzon njohjen e pavarësisë së Kosovës, qoftë kjo masë edhe simbolike, siç mund t’i duken dikujt tabelat e automjeteve si çështje jo fundamentale për shtetin, por për regjimin aktual të Beogradit, njohja e targave të Kosovës ishte lëshimi i parë që ajo e bëri ndaj pavarësisë së Kosovës!

Pse ? Sepse, me njohjen e tabelave të automjeteve të Republikës së Kosovës, regjim i cili deri dje nuk e bëri të njëjtën gjë, për Beogradin zyrtar pranimi i tyre me marrëveshjen e Brukselit, e arritur me 30.09.2021, ishte në fakt pranim i pavarësisë së Kosovës pas shumë viteve refuzim, e që dikujt mund t’i duket i pa rëndësishëm. Por e vërteta është se A. Vuçiqi këtë pranim e ka bërë me çuk të zorit dhe me zëmër e shpirt të thyer, që më së miri dëshmojnë pamjet e tij me lot në sy si dhe deklaratat para mediave ku ai gjithnjë qëndronte kokë të ulur dhe me duar mbi fytyrë, sepse ishte hera e parë që ky po bënte “tradhti” kombëtare para popullit serb, duke i pranuar tabelat e RK-së. Dhe, fakti se emblemat shtetërore të Republikës së Kosovës (RKS) në targa do mbulohen me një letër ngjitëse, për serbët kjo nuk paraqet asgjë esenciale, kundrejt tabelave origjinale RKS-së që do të hyjnë në Serbi në ditët e ardhshme. Pra, ata e dinin mirë se këto mbulesa më letra ngjitëse nuk mund t’i zëvendësojnë tabelat e përkohshme, të cilat regjimi i Beogradit i ka zbatuar për 10 vite ndaj Kosovës, si refuzim i prerë i mos njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Dhe, kushdo që nuk e kupton këtë fakt se regjimi serb me marrëveshjen për targat e ka pranuar (tërthorazi) pavarësinë e Kosovës, nuk merr asgjë vesh nga politika shekullore antishqiptare serbe ndaj Kosovës dhe kombit shqiptar, siç është njëfarë llafazaneje që kur flet për Kosovën dhe Serbinë në studio televizive, nuk thotë asgjë veçse pallavra nga koluaret diplomatike, Alma Lama, pastaj kvazi-analistët e tipit Mero Baze, Kushtrim Spahiu, Muç (t) Nano dhe shumë të tjerë, të cilët nuk kanë haber se çfarë është në thelb politika dhe diplomacia antishqiptare serbe në Ballkan.

Madje, këtyre kvazi-analistëve nga Shqipëria, të cilët në një formë apo tjetër, e kanë mjelë buxhetin e varfër të Kosovës, duhet t’iu ndalohet rreptësishtë të merren me çështjet dhe politikën e brendshme të Kosovës, në veçanti kur bëhet fjalë për raportet e saj me Serbinë, ngase me paraqitjet e tyre publike, në emër të paternalizmit që vijnë nga shteti amë, e kanë dëmtuar keq pavarësinë dhe shtet-ndërtimin e Kosovës me qëndrimet e tyre kukull dhe pro-serbe..!?

Së dyti; është hera e parë qyshkur Kosova është shtet sovran dhe i pavarur (2008), që serbët që jetojnë në veri të saj, kësaj radhe nuk bën protesta masive siç dilnin në vitet e mëparshme, duke djegur, shkatërruar, duke bllokuar rrugët nga ura e Ibrit në Mitrovicë e deri tek dy pikat kufitare, duke mbajtur fjalime të zjarrta çetniko-shoviniste, fyerje, pankarta me flamuj të Serbisë si dhe parulla kundër Kosovës dhe shqiptarëve, gjë e cila gjatë 13 ditëve të kaluara, përveç bllokimit të dy rrugëve kryesore që çojnë në Jarinjë dhe Bërnjak me kamionë dhe automjete të firmave private, nuk pati tubime të tilla, përveç disa grupeve të vogla që nuk kishin madje as përkrahje nga gjithë banorët serb në veri.

Kjo në fakt, flet për ndryshimet që po ndodhin në politikën nacionale-shtetërore të Serbisë ndaj Kosovës, dhe jo vetëm, meqë brenda mendësisë politike dhe nacionale të popullit serb po ndodhin çarje serioze të cilat kanë të bëjnë me mos-pranimin, gjegjësisht për mundësinë e pranimit të pavarësisë së Kosovës.

Këtë më së miri e dëshmon çarja brenda SANU-së, ku vet kryetari i saj, Vlladimir Kostiq, në tetor 2015, ka thënë hapur se, “Kosova në fakt dhe formalisht është e humbur, dhe, se mençuria e vetme politike është që ne (serbët) të largohemi nga Kosova me dinjitet, sepse ajo nuk është, as de fakto, as de jure, në duart e Serbisë..”.

Dhe, këtë deklaratë ai e ka përsëritur disa herë kohëve të fundit, gjë e cila për njohës të mirë të politikës nacional-shoviniste serbe askush në Serbi, pa marrë parasysh se n’ çfarë pozite të lartë shtetërore dhe akademike gjendet, nuk guxon të japë deklarata publike, sidomos kur ato kanë të bëjnë me “Kosovën dhe Metohinë”, pa qenë i koordinuar (i lejuar) paraprakisht nga aparati shtetëror i Serbisë, dhe, unë nuk besoj se kryetari i SANU-s, z. Kostiq, ka qenë përjashtim nga kjo praktikë !

Pra, ajo që duhet pranuar nga gjithë analistët dhe politikanët shqiptarë në Kosovë dhe më gjerë, është fakti i pamohueshëm, se akti i vendosjes së masës së reciprocitetit për targat ndaj Serbisë nga ana e qeverisë “Kurti-2”, dërgimi i Njësisë policore speciale ROSU në veri të Kosovës, e cila për 13 ditë me veprimin e saj të pjekur shtetëror dhe me durim të paparë, duke mos rënë pre e provokimeve të disa grupeve të vogla kriminale të serbëve që jetojnë në veri të Kosovës, pa dyshim, se në atë pjesë integrale të Kosovës është krijuar një atmosferë re ligjore dhe kushtetuese. Që, pa dyshim, kjo maturi e detyrojë Serbinë që të ulet në tryezën e bisedimeve në Bruksel për arritjen e marrëveshjes midis dy palëve për targat, që është një akt dhe veprim suksesshëm i qeverisë sonë, në dobi të forcimit dhe shtrirjes së plotë të sovranitetit të shtetit të Kosovës edhe në atë pjesë të kontestuar të saj, këtu e 20 vite rresht nga politikat kriminale të regjimeve serbe..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat