Avokatia pro-serbe e kryeministrit të Shqipërisë për Ballkanin e Hapur!

Opinione

Avokatia pro-serbe e kryeministrit të Shqipërisë për Ballkanin e Hapur!

Prof. Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Më 8 tetor 2021 Në ora: 11:14
Edi Rama

Në Samitin e Brdos të së martës së shkuar në Slloveni, kryeministri i Shqipërisë e mbrojti sërishmi me pasion Ballkanin e Hapur. Duke folur në atë samit, Rama ishte i vetmi lider ballkanik që foli shumë për këtë iniciativë të Aleksandër Vuçiq dhe mbështetur kaq ethshëm prej tij. Së paku një e treta e fjalimit të tij ishte propagandë për Ballkanin e Hapur. Kjo të kujton militantizmin pro serb të Hashim Thaçit në mbështetje të “korrigjimit të kufijve", de facto të ndarjes së Kosovës! As vetë protagonisti i të gjitha projekteve antishqiptare, pra presidenti serb Aleksandër Vuçiq, nuk ka marrë guximin të kundërshtojë hapur Procesin e Berlinit dhe të kërcënojë Evropën me Ballkanin e Hapur! Edi Rama po!

Në Brdo, zoti Rama tha fjalë për fjalë: "Iniciativa Open Balkan është frymëzuar nga procesi i Berlinit. (Rrenë që nuk e hanë evropianët!) Të dy nuk kanë nevojë të vihen përballë njëri-tjetrit duke patronizuar qëndrimet dhe deklaratat konfuze" (Sofizëm i kulluar). Dhe më tej, ai theksoi si të "vetmin ndryshim" midis dy proceseve, atë se vendimi për "Procesin e Berlinit është marrë jashtë Ballkanit"! Që do të thotë se iniciativat evropiane nuk janë të pranueshme për Ballkanin Perëndimor, pra se "Ballkani u përket ballkanasve" dhe jo evropianëve, jo proceseve si ai i Berlinit! Interferenca të tilla përkthehen mirë në kancelaritë e Evropës! Prandaj dhe ka rezistencë, tashmë edhe nga Gjermania, për të mos vijuar më tej me integrimin e Shqipërisë në BE! Ballkani i Hapur është një nga pengesat kryesore politike!

Ndërkaq, miku i Edi Ramës nga Beogradi, presidenti Vuçiq, në këtë samit mbrojti hapur pozicionin e Serbisë në raportet e saj me Rusinë dhe Kinën. Ai tha se "Qytetarët e Serbisë janë racionalë, ata duan të jenë pjesë e botës, pjesë e bllokut evropian, por nuk duan t`i prishin marrëdhëniet me Rusinë e Kinën, dhe kjo tani u dëshmua si gjëja më e drejtë për t’u bërë”! Madje shtoi se “Nëse do t`i ishim dorëzuar presionit të vendeve të tjera (Evropës dhe Amerikës) që i kundërviheshin ndërtimit të një gazsjellësi rus, tani do të kishim probleme këtë dimër dhe nga Beregovo, nuk do të vinte më shumë gaz për Serbinë”!

Çfarë argumenti tjetër do të donin shqiptarët në Ballkan si dhe shtetet skeptike e jo pjesëmarrëse në Open Balkan, që ta kundërshtojnë me forcë këtë iniciativë serbe?! Edi Rama e thotë hapur se koncepti evropian i iniciativave ballkanike nuk vlen. Se Procesi i Berlinit është një nismë jashtë-ballkanike. Pra se koncepti serb dhe ai i Milosheviçit, sipas të cilit "Ballkani ballkanasve" është një e drejtë e rajonit tonë. Edi Rama e thotë qartë se në Bashkimin Evropian ka deklarata konfuze lidhur me Ballkanin e Hapur. Dhe konfuzioni evropian, sipas tij, qëndron në atë se Komisioni dhe Këshilli Evropian nuk e mbështesin Open Balkan-in. Ai u bën thirrje liderëve evropianë ta mbështesin këtë iniciativë të lidhjeve të ngushta me Rusinë dhe Kinën.

Se Ballkani i Hapur është një proces që lejon interferencën e aktorëve lindorë, këtë të vërtetë e pohon vetë presidenti i Serbisë. Kur ai lavdëron qëndrimet politike të vendit të tij për ruajtjen dhe forcimin e lidhjeve politike, ushtarake dhe ekonomike me Rusinë, kjo do të thotë se nëpërmjet Serbisë e me ndihmën e Open Balkan (të pakontrolluar nga Evropa, sipas Ramës) Moska do të rrit prezencën e vet në rajon. Kësisoj, ashtu si në skemat e Milosheviçit, "Ballkani ballkanasve" do të shërbejë thjesht si maskë për të realizuar prezencën e aktorëve jashtë-evropianë e jashtë perëndimorë në Ballkanin Perëndimor.

Por, ky skenar i pacipë dhe kjo intrigë e dy themeluesve të Open Balkan, Aleksandrit dhe Edit, nuk i shpëton syrit të evropianëve. Këta të dy kanë ndonjë mbështetës në BE. Kam përshtypjen se mbështetësi kryesor i tyre është Emmanuel Macron, i cili i përket të njëjtit klub politik, atij të Sorosit. Por ka edhe së paku 50 deputetë të Sorosit në Parlamentin Evropian, të cilët i mbështesin iniciativat anti-evropiane e pro-serbe të Ballkanit. Megjithatë, me rëndësi është që në këtë klub anti-shqiptar e anti-evropian nuk bën pjesë Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina.

Nga Mali i Zi u shfaq ditët e fundit në Tiranë zv. kryeministri Dritan Abazoviç. Pasi ai u takua përzemërsisht me Erion Velinë, bëri deklaratën e bujshme për mbështetjen që ai i jep Ballkanit të Hapur. Ndërkaq, në një konferencë të së enjtes në Tiranë për sundimin e ligjit në shtetet e rajonit, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, deklaroi se edhe reforma në drejtësi e Shqipërisë do të bëhet pjesë e iniciativës së Ballkanit të Hapur, duke tentuar që modelin e kësaj reforme ta imponojë në vendet e tjera të rajonit. Sigurisht që kjo bën pjesë në lojën ballkanike të Geroge Soros.

Por ministrja e drejtësisë e Kosovës dhe ai i Maqedonisë së Veriut e kundërshtuan propozimin e Manjas. Ata thanë se kanë porosi nga Bashkimi Evropian, përkatësisht Komisioni, që këto vende të mos adaptojnë modelin e reformës në drejtësi të Shqipërisë. Por një gjë është enigmë: Pse ambasadori i BE-së, Soreca, bën trysni që reforma e drejtësisë te ne të shkojë deri në fund?! Megjithatë, një gjë është e qartë: Edi Rama po përpiqet në modelin e Hashim Thaçit për kufijtë, të bëjë punën e Aleksandër Vuçiq për zgjerimin e mbështetjes ndaj Ballkanit të Hapur!

Është detyrë e të gjithë politikanëve shqiptarë që të reagojnë fort kundër Open Balkan. Qëndrimi ndaj Ballkanit të Hapur është vijë ndarjeje midis atyre politikanëve që vihen në shërbim të planeve serbe në rajon dhe atyre politikanëve që respektojnë interesat e shqiptarëve e madje edhe të popujve të tjerë jo serb në Ballkan. Është vijë ndarëse midis mbështetësve të integrimeve euro-atlantike dhe atyre që kërkojnë integrime serbo-shqiptare për dominim të Beogradit në rajon. Ramoviçët, Erionoviçët, Hashimoviçët, Batonoviçët dhe Abazoviçët do të shtohen nëse klasa politike dhe qytetarët shqiptarë në të gjitha viset ballkanike nuk i kundërvihen me të gjitha format projekteve të Serbisë në rajonin tonë!

Ballkani i Hapur është versioni serb i konkurrencës me Procesin e Berlinit, në të cilin Beogradi nuk i sheh të realizuara interesat e tij! Ndaj dhe Edi Rama bën avokatin e çartur të Serbisë në mbrojtje të Open Balkan!

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat