Isa Mustafa, nëse nuk kërkon ndjesë, duhet të heshtë!

Opinione

Isa Mustafa, nëse nuk kërkon ndjesë, duhet të heshtë!

Prof. Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Më 11 tetor 2021 Në ora: 13:23
Isa Mustafa

Dje publikova një kërkesë për Partinë Demokratike dhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës. Në këtë kërkesë doja që të dy këto parti t'i bënin presion qeverisë së zotit Kurti për të mos diskutuar në Bruksel për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë. Por e kushtëzova këtë kërkesë me distancimin e këtyre dy partive nga dy nënshkruesit e marrëveshjes për formimin e këtij Asociacioni, pra nga Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa. Këtë status timin në FB e botoi edhe gazeta "Bota sot"!

Por çfarë ndodhi më pas? Ish kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, shkroi pas pak orësh një status të gjatë, me të cilin sulmonte pa ma zënë emrin "të gjithë ata që keqinformonin publikun"! Unë isha, sipas tij keqinformuesi, deformuesi, ose trilluesi e keqdashësi ndaj Isa Mustafës! Nuk dua të perifrazoj reagimin publik të Isa Mustafës të botuar thuajse në të gjitha mediet dhe portalet në Kosovë. Është e drejta e tij të mbrohet.

Por unë përsëri i qëndroj të drejtës time që të rikujtoj atë që ka ndodhur me Isa Mustafën kryeministër e kryetar i LDK-së jo vetëm për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë. Dhe kjo e drejtë më vjen e plotë, sepse gjithçka që ia them sot, ia kam thënë edhe në kohën kur kanë ndodhur veprimet e tij të dëmshme për Kosovën dhe Lidhjen Demokratike. Ka komente dhe analiza të miat me të cilat është kritikuar zoti Mustafa kur iku nga VLAN-i dhe iu bashkua PAN-it! Kur ai nënshkroi Asociacionin. Para dhe pasi ai zgjodhi Hashim Thaçin president! Pastaj kam shkruar vazhdimisht prej vitit 2019 e këtej për qëndrimet e tij pro Thaçit e kundër Vjosa Osmanit. Ky ishte shkaku i përçarjes së Lidhjes Demokratike. Më saktë ishte Hashim Thaçi, i cili e komprementoi Isa Mustafën dhe e solli LDK-në si ia donte qejfi në lamën e politikës kosovare. Marrëdhëniet e ngushta të Isa Mustafës me Hashim Thaçin janë gjithashtu shkaku themelor I nënshkrimit prej tij të Asociacionit të Komunave Serbë në Kosovë!

Sot ish kreu i Lidhjes Demokratike mund të dalë e të thotë se "Jo, ju po shpifni! Nuk është ajo e vërteta!" Por është fakt se Isa Mustafa për llogari të Thaçit e ka rrënuar Lidhjen Demokratike dhe kësaj partie do t'i duhet shumë kohë e shumë mund që të rikthehet së paku në vendin e dytë të spektrit politik të Kosovës. Dhe gjithçka ka ndodhur për shkak të lidhjeve të ngushta midis tij dhe politikanit autoritar Hashim Thaçi. Kompromiset e Mustafës me Thaçin nuk kishin objekt forcimin e Lidhjes Demokratike, por përkundrazi, evidentimin e personit të Isa Mustafës dhe rrënimin e LDK-së.

Këto kompromise e bënë Lidhjen Demokratike të abuzojë me politikën në stilin e Hashimit. Edhe loja me pro dhe anti-amerikanë ishte e stilit të Thaçit. Edhe mëdyshja për të dënuar aktin e ish-presidentit të Kosovës në tentativën për ndarjen e Kosovës ishte pasojë e bashkëpunimit me Thaçin. Edhe qëndrimet as mish e as peshk ndaj deklaratave thaçiste të nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri, ishin të tilla. Isa Mustafa thoshte se mendimet e Lutës janë personale dhe e shkëpuste emrin e tij nga roli që ai kishte si zëvendës i Isës. Por kur ia ka dashur nevoja ai nuk i ka pranuar si personale mendimet e të tjerëve rreth figurës së Mustafës e më saktë, mendimet e Vjosës kundër qëndrimeve të kryetarit të LDK-së!

Standardet e dyfishta, mëdyshjet në qëndrimet politike, flirtimet e fshehta e pas shpine me kundërshtarët politikë, e çuan ish-kryeministrin e Kosovës, akademikun Isa Mustafa, të nënshkruajë marrëveshje të dëmshme me Serbinë, përfshirë dhe atë të Asociacionit. Ai shfajësohet duke thënë se Asociacioni, i nënshkruar prej tij në vitin 2015 ishte pasojë e marrëveshjes së 19 prillit 2013 e nënshkruar nga Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq. Por e vërteta është ndryshe. Isa hodhi firmën e 2015-ës jo nën diktatin e marrëveshjes së 2013-tës, por me dëshirën e tij për të vazhduar vasalitetin e tij ndaj asokohe ministrit të tij të Jashtëm, Hashim Thaçit. Le t'i kthejmë pamjet televizive të këtij nënshkrimi dhe të shohim sa entuziast duket Isa Mustafa kur nënshkruan Zajednicën dhe pas nënshkrimit të saj! Ai duket sikur po i thoshte "shefit" real të qeverisë, ministrit të tij të Jashtëm se "He a je i kënaqur tani?! U krye edhe kjo punë"?! Sikur po nënshkruante njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë. Në deklarimet e tij gjen fjalë të tilla se "Me këtë marrëveshje Serbia do ta njohë Kosovën"! Pra jo vetëm nënshkroi, por edhe mashtroi!

Në fakt Asociacionin ai e nënshkroi pa i kërkuar asgjë Serbisë në këmbim të këtij kompromisi të madh. Dhe Serbia nuk u ndal së kërkuari kompromise të tjera deri të ndryshimi i kufijve, shkëmbimi i territoreve dhe ndarja e Kosovës! As në këtë rast Isa Mustafa nuk pati një qëndrim të qartë e të prerë. Ndonëse shprehej se Lidhja Demokratike e sheh problematike dhe të rrezikshme ndarjen e Kosovës, asnjëherë nuk i tha Thaçit: "Ndal, se kur është mjaft, është mjaft"! Asnjëherë nuk kërkoi dhe nuk inicioi shkarkimin e presidentit për këtë akt tradhtie. Madje e justifikoi deri në fund. U bashkua me të për të shkarkuar një qeveri legjitime në vitin 2019-2020-ën. Sajoi intrigën e "mosbashkëpunimit" dhe u tërhoq nga qeveria, duke bërë koalicion me Hashim Thaçin. Koalicioni me Thaçin nuk ishte deklarativ, por ishte koalicion e mesnatës për të bërë votat për qeverinë Mustafa 2 të kryesuar nga Avdullah Hoti!

Isa Mustafa i ka shumë borxhe Lidhjes Demokratike dhe vetë Kosovës. Kjo nuk do të thotë se nuk ka bërë edhe punë të mira. Por borxhet që ia ka këtyre dy subjekteve, sidomos LDK-së, janë të panumërta! Prandaj ai bën mirë të heshtë! Nëse hesht, edhe mund të harrohet gjatë elaborimit të politikave të ditës. Por historia nuk e harron!

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat