Pse Serbia ka ndjeshmëri dhe ndihet kaq e fyer nga emblema e uçk-së dhe shqiponja dykrerëshe ?!..

Opinione

Pse Serbia ka ndjeshmëri dhe ndihet kaq e fyer nga emblema e uçk-së dhe shqiponja dykrerëshe ?!..

Nga: Arif Ejupi Më: 12 tetor 2021 Në ora: 06:14
Arif Ejupi

Integrimin e shteteve të Ballkanit Jugor drejt Perëndimit po e frenon Serbia, e cila në asnjë mënyrë nuk po arrin të shkëputet nga e kaluara e saj fashiste dhe ksenofobe ndaj popujve të tjerë, sidomos shqiptarëve.

Karshi kësaj loje të ndytë duhet të jetë dukshëm më i zëshëm Bashkimi Evropian, nëse vërtetë synon qetësi në këtë pjesë, dhe përfshirje të këtyre vendeve në Evropën e bashkuar.

Serbët të rritur dhe të edukuar nga tregime mitomanësh infantil nuk po pajtohen me të vërtetën që Kosova është Shtet i Pavarur, dhe e njohur ndërkombëtarisht nga 117 vende të botës, në krye me aleaten e saj të përjetshme Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kryekëshilltarë që gjendja të mbetet edhe më tej e tensionuar janë udhëheqësit e Serbisë, të prirë nga Presidenti i saj Aleksander Vuçiq, Ivica Daçiq, Aleksander Vulin, të motivuar në prapaskenë nga oficerë të lartë të Millosheviqit, të shpallur nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, si kriminelë ordinerë, dhe ndonjë mbetje e tyre lapangjoze në Veriun e Mitrovicës.

Në Kuvendin e Serbisë vazhdimisht përjarget edhe Vojsllav Sheshel, i cili foltoren e këtij Parlamenti e përdor për ofendime nga më të ulëtat ndaj shqiptarëve dhe kroatëve.

Mirëpo, pohimet e tij rrallëkush i merr seriozisht, sepse të gjithë e dinë që personaliteti i tij është i goditur nga çrregullime maniako-depresive.

Serbia nga kjo gardë politikanësh që qëllim kanë vetëm ruajtjen e privilegjeve të veta do të fundoset në hendek edhe më të thellë, dhe për shumë kohë do të konsiderohet si virusi i Ballkanit Jugor, dhe e keqja e vetvetes.

Kjo frymë e kultivuar mbrapsht është përcjell edhe tek rinia e saj. Të rinjtë e këtij vendi fashizmin dhe ksenofobin ndaj të tjerëve po e ruajnë si“vlerë kombëtare.”

Ata në biseda me njëri-tjetrin ende mburren me gjenocidin e etërve të tyre të kryer mbi fëmijët dhe pleqtë shqiptarë të Kosovës dhe Bosnje Hercegovinës.

Kurse, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nga ata konsiderohet si“terroriste”ngaqë doli në mbrojte të qenies së saj kombëtare, duke u dhënë leksione të vërteta eprorëve serbë, të cilët deri atëherë thirrjet e tyre ushtarake i ekspozonin para zonjave të veta, sikurse gabelët kolibet e tyre.

Kjo është arsyeja e vetme që ata tmerrohen nga xhaketa me emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mbi supet e Xherdan Shaqirit.

Tërbim të ngjashëm u pati sjellë edhe shqiponja dykrerëshe e bërë në korrik të vitit 2018, nga Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, kur kombëtarja e tyre në futboll Zvicra e pati gjunjëzuar Serbinë.

S’diskutohet që shqiponja dykrerëshe e stampuar në pëlhurën e kuqe është e pashoqe në bukuri dhe shkëlqim, andaj fluturimin e saj nëpërmjet duarve e interpretojnë të gjithë njerëzit paqedashës të botës

Shqiptarët nuk befasohen aspak nga reagimet e serbëve, sepse ata e dinë që ushqim i tyre ditor është gënjeshtra dhe trillimi.

Por, habiten nga disa njerëz që verbërisht i marrin si serioze rrenat dhe shpifjet e tyre.

Brezi i viteve të 80-ta e kujton mirë rastin kur në Livoç të Epërm të Gjilanit, më 1 maj të vitit 1985,serbi Gjorgje Martinoviq, deri sa po mbillte fasule në arën e tij e kryen një vepër turpi ndaj vetvetes.

Ai fut grykën e shishes së thyer në brendësi të zorrës së trashë dhe më vonë për këtë akt të pamoralshëm dhune i akuzon shqiptarët.

Ky skenar ishte përgatitur në Beograd në mënyrë që gjendja e serbëve të Kosovës, edhe pse kolonë para botës të kuptohet si e pashpresë dhe e patolerueshme.

Zaten ky rast u mor si pretekst dhe shumë të rinj të komunës së Gjilanit, u burgosen dhe u keqtrajtuar brutalisht, nga pushteti i atëhershëm i Jugosllavisë komuniste.

Kjo praktikë fabrikimi ngjarjesh trishtuese u vazhdua edhe gjatë viteve të 90-ta, kur liderë serbë me bindje pro-çetnike parashihnin vrasjen e fëmijëve të tyre në Fushë-Kosovë, që më pas këtë akt makabër t’ua ngarkonin shqiptarëve.

Duke menduar që me kurthe të tilla do t’i turpërojnë shqiptarët dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, përpara botës ta nxjerrin si organizatë terroriste më 14 dhjetor 1998, në kafenenë “Panda”në Pejë, njerëz të paguar nga Sigurimi i Fshehtë i Serbisë, vranë pesë nxënës të Shkollës së Mesme, dhe një student.

Të gjithë personat e vrarë i përkisnin nacionalitetit serbë. Edhe kjo mizori e përgatitur në kuzhinat e errëta të Beogradit, pati orvatje që t’u mëveshët shqiptarëve.

A thua vallë s’e a do të çlirohen ndonjëherë të rinjtë serbë nga kjo çmenduri ksenofobe dhe raciste,e trashëguar nga të parët e tyre.

Pa pranimin e fajësisë nga ana e Serbisë dhe të sjelljeve të saj krejt ndryshe ndaj Kosovës, nismat për njëfarë Ballkani të hapur, të trumbetuara natë e ditë nga Vuçiq dhe Rama, s’janë gjë tjetër veçse një mashtrim i madh, dhe rrahje uji në havan.

Shqiptarët e vrarë dhe të traumatizuar përgjatë një shekulli nga Serbia i qetëson vetëm bashkimi i trojeve të tyre, të ndara padrejtësisht në Konferencën e Londrës, me shtetin e tyre Amë-Shqipërinë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat