Prend Doçi, abati i lirisë dhe diturisë

Opinione

Prend Doçi, abati i lirisë dhe diturisë

Nga: Ndue Dedaj Më: 22 shkurt 2017 Në ora: 08:37
Ndue Dedaj

Abat Prend Doçi (1846-1917), udhëheqës i lëvizjes kombëtare shqiptare, është një emër dhe vepër që thërret sot e gjithë ditën që historia të rishkruhet, duke zënë secila ngjarje e figurë historike vendin që meriton. Kështu ka ndodhur me të gjitha figurat e kombit që për shkak të ideologjisë marksiste - leniniste ishin të përjashtuara nga trashëgimia jonë historike. Tani nuk na bëjnë më përshtypje të rikthyerit e mëdhenj, Fishta, Konica, Kokalari, së fundi dhe Kostë Çekrezi, por ende i rrimë larg Ernest Koliqit, Mustafa Krujës, Anton Harapit, Mit’hat Frashërit, ani se dhe ata janë sendërtues të ndërgjegjës sonë kombëtare.

Njolla në biografinë e tyre politike vazhdon të përcaktojë sërish fatin si figura të historisë dhe kulturës, a thua se personazhet e historisë së Europës kanë qenë të gjithë të kulluar, nga dita e parë te dita e fundit e veprimtarisë së tyre politike. Abat Prend Doçi mund të duket si më i largët në kohë, por është e njëjta qasje ideologjike e përjashtimit të tij nga panteoni i gjymtuar i kulturës së këtij vendi për gjysmë shekulli (1944-1990). Rilindës i devotshëm i kushtuar lirisë, abetarisë dhe Pavarësisë, që mbetën dhe trinia e tij e shenjtë në altarin e kombit.

Një figurë komplekse e kohës së tij, sipas Shahin Kolonjës “shumë i përmendur e pak i njohur”, me ndikim të pazakontë në qarqet politike, kishtare, diplomatike e kulturore në tri dekadat e fundit të shekullit XIX dhe dy dekadat e para të shekullit XX. Për Prend Doçin, i mbrujtur me tiparet e një burrështetasi, nuk kishte asnjë mision të pamundur, sado i vështirë të ishte, mision apostolik apo kulturologjik, në Kanada apo në Indi, në Shkodër apo në Mirditë, në luftë apo në paqe, prift i thjeshtë apo ordinar kishe. Ai ishte ideator dhe reformator i guximshëm në të gjitha kahet e zhvillimit: në jetën kishtare, në jetën sociale, në jetën kulturore dhe atë politike. Shqiptari i vetëm që rroi e predikoi në tre kontinente: Europë, Azi dhe Amerikë.

Abati është një titull i lashtë kishtar në Shqipëri, ashtu si dhe në Angli, Francë, Spanjë, Itali, Poloni etj., por ai ndër shqiptarë është i lidhur kryekrejet me një emër, atë Imzot Prend Doçit, çka nuk zbeh rolin e të tjetrëve, as të abatit të fundit të Mirditës, Imzot Frano Gjini, i cili ishte dhe ipeshkëv e mbi të gjitha martir i Lumnuar. Doçi është i pashembullit pasi ai ishte Abati rilindas me “penë në dorë dhe pushkë për faqe”, siç do ta përcaktonte Fishta. Për shkak të përfshirjes në politikë ai nuk e mori titullin e ipeshkvit, dhe pse kreu funksion ipeshkvnor dhe ishte mbase më i njohur publikisht e ndërkombëtarisht dhe se vetë argjipeshkvinjtë e Shkodrës.

Ka njëqind vite që Abati u shua në Orosh, në rrethana të dyshimta të Luftës së Parë Botërore (ishte pushtimi austro-hungarez), teksa emri i tij ka ardhur vetëm duke u ndriçuar, po ashtu dhe vepra e tij e gjerë, i nderuar së fundi dhe me titullin “Nderi i Kombit”. Studime të vyera rreth kësaj figure eminente të botës shqiptare këto 25 vitet e fundit kanë kryer studiuesi veteran Pal Doçi, historiani bashkëkohor gjerman Peter Bartl në Universitetin e Mynihut, studiuesi skrupuloz shkodran Luigj Martini etj., krahas kumtimeve të bëra kohë pas kohe rreth Abatit nga At Pashk Bardhi, Jup Kastrati, Tomor Osmani, Mark Tirta etj. Pa u shtyrë deri në kohën kur ai rroi, ku për rolin e tij u shpreh e gjithë elita e kohës, përfshi dhe Edith Durham-in që i bën një portret prej baroni nga lartësitë e Malit të Shenjtë të Oroshit, ku ajo ishte ngjitur për të folur me njërin nga njerëzit më të lartë të Shqipërisë, siç e vlerëson Abatin.

Prend Doçi ishte misionari i lartë i fesë, flamurtari i pacak i lirisë, ideologu i Pavarësisë dhe veprimtari kombëtar i diturisë etj.

Si misionar dhe prelat i kishës katolike, pas një vargu kontributesh fetare në Amerikë e Azi (Indi), ai reformoi Abacinë e Mirditës, nga viti 1888 kur e mori në dorë e deri në vitin 1917 kur u nda nga jeta, duke qendruar në krye të saj për 29 vjet dhe duke e “dëlirë dioqezin e tij prej vesit”, siç shkruajnë bashkëkohësit. Abacia e Oroshit ishte nulius (e pavarur), përndryshe me vartësi të drejtpërdrejtë në Vatikan. Imzot Doçi e gjeti atë të copëtuar, vetëm me dy famulli dhe shpejt e bëri me 16 të tilla, në një territor të gjerë nga Mati në Drin, duke e shtrirë organizimin abacial (rrudhur mbi Orosh e Spaç) edhe në Ndërfanë, Kalivare, Qafë-Mali, Blinisht, Fand e gjer në Kashnjet, Mnelë e Gomsiqe. Nën kujdesin dhe autoritetin e tij institucionet e kultit në krahinën e Mirditës u bënë moderne, duke filluar me godinën e Abacisë. Abati ishte një misionar shumëplanësh i formatit europian, i vendosur ta qytetëronte vendin e tij me të gjitha mënyrat e mjetet, me predikimin në kishë, çlirimin kombëtar nga robëria turke, hapjen e shkollave në male, botimin e librave, hartimin e alfabetit të unifikuar, mbledhjen e visarit kulturologjik që po djerrej etj. Ai si rrallë kush i gërshëtoi qëllimet e tij politike me ato të kishës dhe të progresit social-kulturor. Si drejtues kishe do të vepronte ndër 25 mijë mirditas, ku vetëm pesë përqind e tyre dinin shkrim e këndim, gjakmarrja ishte një gangrenë e popullatës, varfëria po ashtu. Doçi bashkëpunoi me urtësi me Gjomarkajt (Markagjonët), princërit kapidanorë, duke lënë pas mosmarrveshjet dhe konfliktet që paraardhësit e tij kishin patur me qeverisësit tradicionalë të Krahinës, që rronin mes Oroshit dhe Shkodrës. Abati dhe Princi, jo rastësisht ishin me fate të njëjta, të internuar nga Porta e Lartë, Imzot Doçi 12 vjet dhe Prengë Bibë Doda 28 vjet.

Si frymëzues dhe flamurtar i lirisë së Atdheut Abat Doçi është ndër shqiptarët e rrallë me rol drejtues në lëvizjet për liri e pavarësi për dyzet vite, nga kryengritja e Mirditës e vitit 1876 te kryengritjet e Pavarësisë të viteve 1910-1912 në Shqipërinë e Veriut e deri në Luftën e Parë Botërore, mundet dhe si një i sakrifikuar politik i saj. Ai bashkëveproi ngushtë me emblema të qendresës popullore si Dedë Gjo Luli e veprimtarë të tjerë kombëtarë për liri. Rrugëtimi i tij drejt lirisë, përshkruar nga Franz Nopça, nis me arrestimin në Guci nga autoritetet turke, dërgimin në Kostandinopojë dhe lirimin me kusht që të mos merrej me politikë, për çka dhe “degdiset” më mision fetar për 6 vite në Kanada, në ishujt e largët veriorë amerikanë, si me thënë, në fund të botës. Veçse projekti rilindës i Doçit mund të vonohej, por nuk mund të ndalej, dhe se në luftë me të gjithë. Mjafton kronika e shkruar dhe e pashkruar e peripecive të tij për rikthimin në Atdhe si misionar fetar, ku brenda petkut kishtar ishte dhe atdhetari, “ma i flakti kombëtar i maleve tona”, siç do ta cilësonte shkrimtari dhe historiani i shquar Ndoc Nikaj. Nuk kishte një kreshtë të historisë më të përshtashme se Mirdita për aksionin e tij politik, fetar dhe kulturor.

Doçi udhëhiqte dy seli, njërën në Orosh, si kryetar i kishës së Mirditës dhe tjetrën në Shkodër, si kryesues i shoqërisë së njohur “Bashkimi”, por ideali i tij ishte Shqipëria në të gjithë hapësirën e saj etnike, ku ai njihet dhe si hartues i një promemorie për Çamërinë. Abati dhe Mirdita ishin një simbiozë historike, aq më tepër që mirditasit njiheshin si fisi më i fuqishëm luftarak në Shqipërinë Veriore. Kështu ai rrugëtoi gjatë me dy “këmbët” mbështetur fort në Mirditën e papërkulur qendrestare, dokësore  dhe në Shkodrën diturore, rrezatuese e qytetërimit europian.

Si ideolog dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare Abati krijoi shoqërinë letrare e gjuhësore “Bashkimi” në Shkodër më 1899, me bashkpunëtorë personalitete si At Gjergj Fishta, Dom Ndoc Nikaj, Luigj Gurakuqi, Dom Dodë Koleci etj., që me të drejtë nga Gurakuqi, në një kumtim me De Radën, është quajtur “akademi”. Kjo shoqëri elitare për më shumë se një dhjetëvjeçar u mor me alfabetin (e Manastirit), hapjen e shkollave, botimin e librave shkollorë, rreth 35 vepra (fjalorë shqip-italisht, gramatika, abetare, histori, gjeografi etj.) Inteligjenca dhe talenti letrar i Doçit pati spikatur që kur ishte student për teologji në Romë dhe shkroi lirikat e para atdhetare si “Shqipnia nën zgjedhën turke”, “Një kushtrim shqiptarëve”, apo përfshirja e tij në një përmbledhje poetike të shqiptarëve kushtuar Dora D’Istrias (Elena Gjika) përgatitur nga Dhimitër Kamarda. Arbëreshët ishin “gjaku i pashprishun” për shqiptarët këndej Adriatikut, që venin atje kohë pas kohe, nga Prend Doçi te Martin Camaj etj., për të shijuar verën e vjetër të shqipes së pasosur.

Është folur e shkruar shumë për “Abatin”, këtë kalorës mendjendritur të Rilindjes, që do të vazhdojë të identifikohet si asnjë tjetër me këtë emër, të cilit i dha një kuptim të ri ndër shqiptarë, përtej titullit të prelatit kishtar, por sado të flitet e shkruhet për Imzotin, motivi i çdo nderimi gjendet në fjalët e Gjergj Fishtës:

“Abati ka një meritim të madh para Atdheut e Kombit”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat