Si duhen trajtuar ‘ heronjt e ideologjisë së diktaturës komuniste’ sot në demokraci ?

Opinione

Si duhen trajtuar ‘ heronjt e ideologjisë së diktaturës komuniste’ sot në demokraci ?

Nga: Filip Guraziu Më: 3 mars 2017 Në ora: 17:13
Filip Guraziu

Demokracia e brishtë shqiptare, fatkeqësisht me kalimin e kohës vazhdon të bëhet edhe më e brishtë, kjo për shumë arësye, por njëra nga  kryesoret që më rezulton sot pas  25 viteve të vetëshëmbjes së komunizmit, është ‘ mosndërgjegjësimi dhe mosvëmendja serioze  e klasës politike ndaj  edukimit të brezit të ri’ . Informacioni që merr brezi i ri sot është kontradiktor dhe kaotik, çka nuk është konstruktiv, shëmbujt janë të shumtë; qëndrimi ndaj simboleve kombëtare (  Skenderbeu, Nanë Tereza ); qëndrimi ndaj pushtimit turk,  qëndrimi ndaj gegnishtës;  qëndrimi ndaj luftës civile  në vitet e luftës së dyteìë botërore, qëndrimi ndaj dënimit të krimeve të komunizmit,…  etj.,  Pra, platforma e institucioneve shtetërore, deri sot,  nuk ka arritur të ndertojë një strategji edukuese të miratuar kolegjialisht, konstruktive dhe  bashkëkohore për brezin e ri. Në gamën e gjërë opinioniste të mesiperme dëshiroj të  veçoj   qëndrimin që duhet mbajtur sot në demokraci ndaj  “ heronjve të ideologjisë së diktaturës komuniste shqiptare“.

Është fakt i njohur, se së paku “ zyrtarisht ”,   të gjitha partitë politike parlamentare shqiptare kanë mbajtur  qëndrim   kritik ndaj diktaturës komuniste,  gjë fare normale dhe në përputhje me qëndrimin politik ndaj diktaturave ( të majta dhe të djathta) në të gjithë vendet  e Europës dhe më gjërë. Shumë   persona që  kanë qenë në formacionet partizane  të drejtuara nga komunistët , dhe që kanë vdekur  ne luftë civile kundër formacioneve   shqiptare nacionaliste janë shpallur ‘dëshmor ose heronj të atëdheut ’, gjë në përputhje me  parimet   komuniste dhe me periudhën në të cilën  ideologjia e diktaturës ishte parësore, edhe mbi atë kombëtare ! (internacionalizmi proletar).  Rastet sa më siper janë të shumta, duke filluar që nga “Heronjt e Vigut”, rezistenca antikomuniste e Muharrem Bajraktarit, ajo e kelmendësve e kryesuar nga Preke Cali, levizja e Llesh Marashit në Koplik, kryengritja e Postribës, përpjekjet me grupet antikomuniste të derguar në Shqipëri nga vëndet “armike”, SH.B.A dhe Europa përendimore etj. Por a duhet të vlerësohen ato tituj sot në demokraci ?, mendoj që jo!, pasi ato të vrare nuk e patën  dhenë jetën në luftë kundër pushtuesve të huaj për lirinë e atëdheut, por për fitoren e idealit   komunist në luftë me vëllezërit e tyre shqiptar, ideal qe me shëmbjen e komunizmit dhe fitoren e demokracisë u shperbë, u denua dhe vazhdon të denohet si imoral dhe kriminal , pra sot në demokraci   është absurde dhe krejtësisht e padrejtë  që  ti ruajnë përseri  ato tituj. Kaq i rëndësishem ishte vlerësimi ideologjik partiak ndaj rasteve të mesipërme sa që ne veri të Shqiperisë  “ heronjve të ideologjisë ” ju perkushtua nga diktatura një monument madhështor në qendër të Shkodrës,  kurse ‘ Tre heronjt ‘ e Shkodrës që vdiqën në përpjekje kundër pushtuesve fashistë, pra për idealin kombëtar u lanë në harresë!

 Një kategori tjeter për tu diskutuar është ajo e dekorimeve që ‘ e majta në pushtet’ realizoi para dy viteve si dhe e nderimeve apo titujve të nderit që kudo nëpër Shqipëri nostalgjikët e diktaturës i kanë dhënë kohët e fundit duke shfrytëzuar mangesitë ligjore egzistuese.  Jam i mendimit që duhet dhe  meriton të nderohet e të dekorohet çdo person që ka dhënë kontribut të shquar ‘ pro Shqipërisë ‘ gjatë viteve të komunizmit, pasi i ka sherbyer vëndit të tij duke e zhvilluar Shqipërinë, por  jo ato  që patën punuar në sigurimin e shtetit , prokurori, hetusi, burgje, gjykatë, media dhe në strukturat politike partiake të cilët i patën shërbyer qorrazi ideologjisë dhe diktaturës komuniste dhe  janë  përgjegjësit kryesorë të terrorit komunist ndaj popullsisë shqiptare.

Eshtë koha që të kuptojmë një herë e mirë se  demokracia shqiptare dhe e ardhmja e Shqipërisë drejtë B.E. nuk mund të realizohet duke i thurur lavdi ideologjisë komuniste.  E dini perse? Shume e thjeshtë, pasi dënimi i krimeve të komunizmi është një ndër kushtet kryesore që duhet të plotësojë Shqipëria për të qenë pjesë e B.E.   Në vëndet  europiane as që bëhet fjalë që të dekorohet  ose të nderohet publikisht ndonjë hero i fashizmit ose i nazizmit,  përkundrazi  praktikat janë të tilla  sa që edhe tentativa për sa më siper  dënohet në bazë të ligjit. Një i tillë egziston edhe në vëndet ish komuniste të europës lindore; në Poloni, Ceki, Lituani dhe Hungari qe shprehet: ‘ Refuzimi publik, vënia në dyshim ose degradimi e faktit të genocidit dhe krimeve të tjera kundër njerëzimit të kryera nga regjimet socialiste dhe komuniste kombëtare përben  vepër penale ‘

 Del detyrë imediate që legjislativi dhe strukturat e pavarura që funksionojnë sipas udhëzimeve të B.E. të trajtojnë problemin e mesiperm për ta futur në rrugën ligjore. Vetëm ligji duhet të sundoje në demokraci, ligji duhe të jetë mbi   nostalgjitë romantike të një periudhe tashmë të dënuar nga të gjithë aktorët politikë .Sa më siper nuk është hakmarrje, por drejtësi shoqërore që na e mundëson  sistemi demokratik. E ardhmja e Shqipërisë dhe e brezit të ri është shumë herë më e rëndësishme se sa një titull ose dekoratë  me karakter ideologjik. Shqiptarë të ardhmen e keni në dorën tuaj, veproni. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat