Një servilizëm i pështirë i diplomacisë shqiptare

Opinione

Një servilizëm i pështirë i diplomacisë shqiptare

Nga: Prof.Dr.Eshref Ymeri Më: 5 mars 2017 Në ora: 18:59
Prof.Dr.Eshref Ymeri

Gjatë ditës së sotme, lexova komentin e Prof.dr.Mehdi Hysenit me titull“Mos e vajtoni Rusinë, por vetëveten”, ku ai, me shumë të drejtë, kishte bërë objekt analize qëndrimin e ambasadores sonë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara Besiana Kadarea, e cila, në llogarinë e saj në Twitter, qenka  shprehur e shokuar dhe e pikëlluar për vdekjen e ambasadorit rus në Organizatën në fjalë - Vitali Çurkin.

Me pikëllimin e ambasadores Kadarea për vdekjen e ambasadorit Vitali Çurkin, përfaqësues i një shteti aspak dashamirës ndaj kombit shqiptar dhe sidomos ndaj popullit shqiptar të Kosovës, isha njohur përmes faqes së internetit të gazetës “Telegraf” të datës 21 shkurt.

E kalova në heshtje pikëllimin e saj, aq më tepër që atij pikëllimi i bëkej jehonë edhe ministri Bushati.

Ambasadorja Kadarea, duke e pasur koleg pune Çurkinin mund t’i kishte shprehur ngushëllime familjes së tij, dhe vetëm kaq.

Por kur shprehet se na paska qenë e shokuar dhe e pikëlluar për vdekjen e tij, atëherë duhet menduar se ajo paska zbuluar qëndrimin prej servileje të pështirë të diplomacisë shqiptare ndaj Rusisë, e cila, që prej Kongresit të Berlinit dhe deri në ditët tona, vazhdon të përfaqësojë kështjellën e urrejtjes së kulluar kundër kombit shqiptar në tërësi dhe kundër popullit shqiptar të Kosovës në veçanti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat