Vettingu i Sigurimit dhe vettingu i Rilindjes

Opinione

Vettingu i Sigurimit dhe vettingu i Rilindjes

Nga: Kastriot Dervishi Më: 7 mars 2017 Në ora: 07:21
Ilustrim

Në ligjin nr.45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit në RPSSH”, është ngarkuar Autoriteti “për hapjen e dosjeve” të japë të dhëna për një kategori zyrtarësh të lartë. Duke qenë se Autoriteti nuk e zotëron si duhet këtë informacion, i është drejtuar institucioneve të tjera. Rasti i fundit ishte për anëtarët e institucioneve të rivlerësimit, të komisionit të pavarur të kualifikimit dhe për gjyqtarët e kolegjit të posaçëm të apelimit. Nga rreth 200 emra që u kërkuan për verifikim me kërkesën e Avokatit të Popullit, vetëm 48 i përkisnin moshave që në vitin 1990 kanë qenë 18-35 vjeç.

Një ndër gafat e ligjit nr.45/2015 (ka shumë të tilla) është trajtimi serioz i veprave të tilla si spiunazhi dhe terrorizmi nga Sigurimi i Shtetit. Futja në ligj e këtyre dy figurave të “krimit” në fakt legjitimoi dhe i dha nota patriotike veprimeve të djeshme të Sigurimit.

Veprimtaria e organeve të Sigurimit në drejtim të spiunazhit ka qenë në të vërtetë fiktive. Persona të lindur në internim (si p.sh. një nga anëtarët e Autoritetit) janë ndjekur si “agjentë të mundshëm të zbulimeve të huaja”, si italian, amerikan, anglez, grek, etj, krejt pa lidhje, përveçse me ndonjë fakt që lidhej me arsimin e baballarëve të tyre. Aftësia e Sigurimit për të kuptuar dhe analizuar spiunazhet e vërteta ka qenë afër zeros, kjo edhe si rezultat i shkollimit të dobët dhe formimit mediokër që kanë pasur oficerët e këtij shërbimi. Mirëpo vepra e spiunazhit është amnistuar me ligjin nr.7514, datë 30.9.1991, “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”. Autoriteti në këtë mënyrë edhe e njeh ligjin nr.7514, edhe ka vendosur “qëmtimin” e gafave të djeshme të Sigurimit si vepra serioze.

Po ashtu, edhe figura tjetër e krimit, ajo e terrorizmit, ka qenë vendosur në drejtim të personave antikomunistë, të supozuar se mund t’i bëjnë atentat udhëheqjes komuniste apo të dënuar. Është pak e hasur në dokumente operative, ndërsa në dosje gjyqësore haset te revolta e Qafë Barit në vitin 1984. Le t’i jemi mirënjohës Autoritetit që “veprimet terroriste” ndaj shokut Enver dhe shokut Ramiz, i ka në vëmendje në punët dhe hallet e tij.

Mirëpo, në fakt dosje të tilla për personat që jetojnë nuk ka fare. Nuk na ngelet gjë tjetër veçse të falënderojmë nga e keqja shokët e Sigurimit që nuk na lanë dosje të tilla se për ndryshe, sipas ligjit, budallaqet e Sigurimit do vlerësoheshin si gjëra serioze.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat