Eh Nëna ime!

Opinione

Eh Nëna ime!

Nga: Haki Bunjaku Më: 7 mars 2017 Në ora: 07:31
Haki Bunjaku

Shkele në të 100-tat! A po të kujtohen 100 apo 1100 lazdrimet e mija dhe kurrë pa më ndëshkuar me shuplakë mallkimi.

Krejt ishte: Rri urt o i pajhar!

Nuk po e hipërtrofizoi se ishe më e mira, por ishe NËNË!!!

Unë vazhdoja me veset fëmijërore, pa e ditur që po e teproj.

Varfërinë time për rroba, shkollim e libra e ke ulë në lot.

Tërë natën qepje a rrotoje ndonjë rrobë të shkoçur e mëngjesi të zinte me sy gacë, sikur të ishin fikur yjet aty.

Ishe nënë e kujdesshme, e vyeshme-zemër njeriu, por jeta e varfër ishte pis, prandaj të dyve na zuri pick.

Nënë,urime njëqind vjetori i lindjes!

Ani pse nuk ece me ne deri këtu, po rëndësi kanë vetëm lindjet dhe unë prandaj të uroj për lindjen!

Dhe, sinqerisht kërkoj ndjesë për gjithë të bërat, ndonëse ato nuk kanë thye zemër nëne!

Zemër nene të fortë, siç ishe ti!

Jeta e sertë të pat bërë të fortë.

Kur të vijë në atë vend paqe e qetësie, ku prehesh ti me familjarët tonë, mundohem të shoh atje thellë në gropë, a ruan ende qefini bardhësinë? Lakun që ta zgjidha a e lash aty apo e varra në qafë, si kollare dhimbje?

A i ke ende bashkë eshtra e mish dhe a po të mbërrijnë lutjet e mija atje?

Sa po niseni me ardhë me Xhavitin, diçka po ju ngatërrohet rruga. Më nevojiteni shumë nënë! Ti të më japësh bekimin edhe për engjujt tanë, ndërsa Xhaviti të m’i mbuloi borxhet, marret, ngatërresat e frikën!

Të m’i prit rrepticat, se vetë më ka lazdrue, une nuk kam faj.

Në vend të urimit për ditën e nënave, po ta uroj 100 vjetorin e lindjes, edhe pse para 20 vjetësh e çite marhamën e bardhë!

Doknu de, doknu!

Pritja rri varrur në kujin e elegjisë së shtrëngueme.

Edhe njëherë urime lindja e para 100 vjete dhe më ndje nënë për të gjitha!

Tash po e provoj në kurriz e shpirt se edhe plaku, pa prind po mbetka jetim. Askush nuk më ngushëllo për këtë.

Sa pakujdesi?!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat