Revanshi i pacipshëm i Kadri Veselit

Opinione

Revanshi i pacipshëm i Kadri Veselit

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 8 maj 2017 Në ora: 18:15
Pra, me zgjedhjet e pritshme, të parakohëshme, kreu i SHIK-ut synon hiç më pak se postin e kryeministrit të Kosovës. Provokim i rëndë, madje i skajshëm, për qindra famlje, bijtë e të cilave i ka ekzekutuar SHIK-u, në pusira, në errësirën e natës dhe ditën për diell.

Ka qenë në traditën shqiptare, e shprehur edhe në kodet e Kanunit, se persekutori, vrasësi të ruhet fizikisht para pajtimit, faljes të gjakut dhe moralisht pas pajtimit, të mos përballet me njerëzit e viktimës, madje, jo vetëm të familjes, por as edhe të fisit. Dhe, sa më shumë që zbatohej ky rit, aq më shumë zbuste zemratën e të dëmtuarëve dhe lehtësonte një pajtim të mundshëm. 

 SHIK-u, tashmë, me vrasjet serike të ushtarakëve luftëbërës, kuadrove dhe të veprimtarëve të LDK-së të Ibrahim Rugovës, është renditur në radhën e organizatave ilegale dhe terroriste të botës. Në krye të këtij organizimi kriminal ka qenë dhe është, pikërisht, Kadri Veseli. Duke përfituar nga një koalicion i pistë me LDK-në e karrieristit pakurrizor, Isa Mustafa, Kadri Veseli, Kadri SHIK-u, Kadri krimi, zuri kulltukun e kryeparlamentarit, duke lënduar fort shumë qindra familje shqiptare, viktima të SHIK-ut.

 Kadri Veseli, duke ndjerë vetën të falur dhe të rehabilituar nga kryeministri Isa Mustafa dhe klani i tij, dhunues e masakrues të Partisë të Presidentit Rugova, LDK-së, dikur famëmadhe, tani, "i ka hipur në kokë" për t`u bërë kryeministër i Kosovës. Për prishjen e koalicionit PDK-e - LDK-e, ka porositur, në mes tjerëve, dy SHIK-asit e tij: Nait Hasanin dhe Shukri Bujën. I pari, i akuzuar se ka dërguar në plumb treshën guerile: Zahir Pajazitin, Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën. Ndërsa i dyti, ka kërcënuar me vrasje, madhe, zyrtarisht, Adem Salihajn, kur ai ishte qytetar i parë i Ferizajit, duke e shenjëstruar për ekzekutim, për më vonë, por, mbijetoi nga rastësia. I thirrur për mbrojtjen e popullatës civile, dallaveraxhiu Buja, masakrën e Reçakut e mësoi vetëm nga mediat, edhepse hante bagëtinë e fshatit, me SHIK-asit e tij, përballë Reçakut! SHIK-isti Buja ka grabitur pasurinë shtetërore, në stilin e privatizimit dhe është lavdëruar, publikisht, se si ka arritur të bëhet milioner!

Pra, me zgjedhjet e pritshme, të parakohëshme, kreu i SHIK-ut synon hiç më pak se postin e kryeministrit të Kosovës. Provokim i rëndë, madje i skajshëm, për qindra famlje, bijtë e të cilave i ka ekzekutuar SHIK-u, në pusira, në errësirën e natës dhe ditën për diell. Po kaq të lëndueshëm dhe të provokuar do të të jenë edhe shumë mijëra familje, që i ligj gjaku, farefisnia, miqësia dhe dashamirësia me familjet e viktimave në fjalë. Me këtë rast, i provokuar do të jetë edhe populli i Kosovës, i cili, në vend që të lirohet nga bandat e krimit në shtet e pushtet, ato vazhdojnë të karocohen e betonizohen në kupolë të shtetit dhe të pushtetit.

  Të pacipshmit, të cilët identifikohen me krimet numerike, si shumë "e kanë hangër në sy" këtë popull, të sunduar nga njerëz me dyshimin e bazuar, për krime seriale e makabre. Ata kanë shkelur çdo normë njerëzore e kanunore. Në vend që të heshtin dhe të qoshohen, derisa sa të jetë hetuar Organizata ilegale, kriminale e terroriste - SHIK - si dhe roli dhe përgjegjësia e Kadri Veselit me shokë, në këtë organizim kriminal - vrastar, ai, i ligu, i pandershmi, i pacipshmi, yryshohet me ngulm, për t´i ngjitur edhe më tej shkallët e karrierës së tij të përgjakur. 

Kadri Veseli ka filluar kalkulimin, për shpëtimin nga drejtësia, përkatësisht, nga Gjykata Speciale, me moton mbrojtëse të kriminelit Sllobodan Millosheviç, i cili, për dhjetra mijëra të vrarë dhe të masakruar, përgjatë një dekade, 1990-2000, në ish-Jugosllavi, përfshi edhe Kosovën, deklaroi në Gjykatën e Hagës se "nuk kam arritur t`i kontrollojë paramilitarët!" Dhe, ky "fakt", i dha, zyrtarisht, pafajësinë Millosheviçit dhe nga gëzimi i lirisë dhe i habisë - njëherësh, i pushoi zemra, në pritje të zbatimit të vendimit. Për publikimin e këtij vendimi të "drejtësisë" të Gjykatës korruptive të Hagës, sekretarja e kësaj Gjykate u dënua me mijëra euro gjobë, me motivacionin "denoncim të një vendimi, edhepse të prerë, duhet ta shpallte publikisht e para Gjykata në fjalë".

  Me bërjen e pritshme të Kadri Veselit kryemministër i vendit, të sfiduar dhe të turpëruar duhet të ndjehen edhe ndërkombëtarët, të cilët, si të përgjumur, lëshojnë ndonjë tullumbace, kundër krimit të organizuar vrastar dhe korrupsionit të pushtetarëve, por, nga ana tjetër, pritën e përcillën me puthje e përqafime, pikërisht, me këta kriminelë! "O, tempora, O mores!" (- Oh kohë, o zakone -), do të thërriste latini i lashtë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat