Një prilli si festë nacionale

Opinione

Një prilli si festë nacionale

Nga: Fadil Lepaja Më: 9 maj 2017 Në ora: 15:44
Fadil Lepaja

Nëse nuk na lënë të hyjmë për dere, ne do të futemi për dritare. Nëse na nxjerrin për njërën dritare, ne do të futemi për tjetrën. Pak a shumë kështu e kishte shprehur strategjinë afatgjatë dhe orientimin e tij , e besa edhe të qeverisë që e drejton, kryeministri aktual i vendit tonë. E kishte fjalën gjithsesi për procesin e integrimeve euro-atlantike. Deklarata e tij nuk lë kurfar dilemash.Në Evropë, me çdo kusht. Tash, mbetet të shihet, se a do të kalojë apo do të bjerë kjo strategji, këtë të mërkurë, kur parlamenti i cili nuk po arrinë të votojë asnjë nga kushtet e evropës, të votoj edhe njëherë këtë koalicion dhe të i vazhdojmë kështu përpjekjet tona, plotë shpresë drejt dyerve dhe dritareve të blinduara të Evropës. Vet, Evropa, politike,megjithatë, qysh e dini edhe vet, nuk përputhet me Evropën gjeografike.

Ajo ka vënë kufinj dhe ka vënë kushte për të hyrë për dere. E në dritare kanë vënë grila. Duket si burg i bukur dhe shpesh është vështirë të përdorësh këtë metaforë, duke pasur parasyshë se në një burg të vërtetë të burgosurit nuk mund të dalin, ndërkohë që këtu ndodhë e kundërta, pra nuk mund të hyjnë. Nuk mjafton të jesh gjeografikisht në Evropë, për të qenë pjesë e bashkësisë. Dyertë e rënda, të kështjellës së moqme, nuk hapen lehtë dhe pa kushte. Për shtete duhen kushte, e për qytetarët duhen viza. Zyrtarët dhe kriminelët s’kanë problem me viza. E qytetarët gjinden si munden, atje ku nuk i qon qeveria, i dërgon krimi i organizuar, të cilët punojnë me strategji të kordinuar. Qytetarët mund të zgjedhin: të presin apo të nisen menjëherë.

Për dere apo për dritare. Sot është ditë pushimi në Kosovë. Është dita e Evropës. Te ne pushohet në këtë ditë të rëndësishme, ndërkohë që në Evropë është ditë pune dhe nëntë maji është ditë pune si gjithë të tjerat. Është e kuptueshme se në kemi nevojë më shumë për pushim, sidomos institucionet. Tash, nuk është e arsyeshme me i thanë shpirtit dil, prej punës së rëndë. Pastaj, nuk ta di kush! Sidomos qytetarët janë mosmirnjohës. Disa vite më parë, brenda një dimri, u quan dhe ikën mbi njëqind mijë qytetarë mosmirënjohës të këtij vendi, të cilët ikën me autobusët dhe nëpër teritorin e armikut të dikurshëm, duke e vënë në siklet qeverinë që udhëhiqej nga ata që e kishin çliruar këtë vend. Politika nuk e pranon se njerëzit po ikin nga këtu, por thonë se duan me çdo kusht të shkojnë në Evropë.

Pra, populli është në valë të njejta me udhëheqësit e vet. Populli, duke e parë se politika nuk e ka për ngutë, dhe se nuk do të ndihet mungesa e tyre, vendosën me shkue menjëherë në Evropë. Kur populli vendosë, nuk ka gjasa me ndërrue mendje. E tradhëtoi politikën, çlirimtarë e tradhëtarë, dhe iku në Evropë. Kush mbrrijti, mbërrijti, ata që nuk u mbytën në Danub dhe shpëtuan, por nuk paraqitën ndonjë arsye për të qëndruar, i këthyen. Qytetarët, të llastuar, gjithnjë po flas për qytetarët e tonë mosmirnjohës, e kanë një ide të gabuar se të gjithë duhet të jenë në shërbim të tyre sidomos qeveria, presidenca, parlamenti, dhe institucionet në përgithësi. Shumë nga këta, kanë qenë më parë në Evropë dhe kanë marrë yrrnek të keq, dhe janë indoktrinuar me ideologjinë e mbrapsht e cila na mëson se të jesh në pushtet do të thotë të jesh 24 orë në shërbim e jo si është te ne. Populli i lodhur duke e shërbye politikën, duke e votuar sa herë kishte nevojë, u dorëzua dhe dezertoi.

Eh, politikanët e gjorë. Nuk mjaftojnë vetëm milionat! Sido që të jetë , atmosfera sot, në këtë ditë festive nuk duket aspak e tillë. Është ditë e vranët, me kërcnime të hapura për shi. Edhe dje, në vigjilje të kësaj feste, ra shi tërë ditën. Pastaj, nuk arritëm me e lidhë ditën e Evropës me uikendin, se na u fut e hënja në mes. Po të ishin tri dit bashkë, do të kishim ndërrue vend, ja kishim “therrë” dikah. Në ditën e Evropës, para një ambasade evropiane, tollovi si zakonisht. Mbi 50 veta, në grumbuj më të vegjël, prisnin andej rruge, nëpër kohë të keqe.

Kjo është pamje e zakonshme. Ajo shpreh dashurinë tonë për Evropën , e kurrsei dëshirën tonë për të ikur nga këtu. As mos të ju shkojë mendja. Një shtëpi e madhe e rrethuar me grila, pasqyron gjendjen reale, marrëdhënien e dashurisë së njëanshme të kosovarëve për Evropën. Tash, Evropa jo se nuk na do, por thjesht nuk i shfaq emocionet. Ashiqare, nuk po na besojnë. E këndojmë Evropën herë kështu e her ashtu. Sidomos këngët e moqme me sharkia që përfolin moralin e saj, e kanë hidhëruarshumë. Qeveria është në rregull, por populli ...!

Ambasadat evropiane, dhe vetë Evropa, në përgjithësi nuk feston me pushim. Qysh e dini me nëntë maj, 1945 kapituloi Gjermania. Atëherë, Evropa kishte tendencë me pushtue, ndërkohë që tash ndodhë e kundërta. Ka vënë grila, që të mos pushtohet. Me 9 maj, Evropa mundi vetveten. Mundi militarizmin dhe autoritarizmin e vet, në formën e diktaturës fashiste. Edhe fashizmi ishte Evropë, por tashmë, nuk është. Evropa ka arritur standarde të lirisë dhe sigurisë të cilat adhurohen nga qytetarët e botës. E adhurojnë edhe ata, që lirinë e shohin si popullizëm. Ne kur do të mundim vetveten?

Pa e mundur egërsinë, të keqen tonë, pushtetin e klaneve dhe oligarkëve të fuqizuar mbi kurrizin tonë, dhe të i këthejmë pushtetin popullit, vështirë se mund të arrijmë që vendin tonë të e bëjmë edhe politikisht, Evropë. Cila datë do të jetë 9 maji ynë? Cila datë do të simbolizojë çlirimin e vërtetë të qytetarit dhe shëndrrimin e tij në sovran? Duke parë se çfarë po ndodhë në jetën ton publike, propozoj që një prilli, të shpallet edhe zyrtarisht festë nacionale! Kjo i ka dy të mira: askush nuk do të na besojë dhe do të kemi një ditë më shumë, pushim!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat