Politika e BE-së si dhe partitë e demokracia në Shqipëri e Kosovë kanë dështuar

Opinione

Politika e BE-së si dhe partitë e demokracia në Shqipëri e Kosovë kanë dështuar

Nga: Skënder S. Kapiti Më: 10 maj 2017 Në ora: 11:09
Skënder S. Kapiti

Shqipëria dhe Kosova janë realisht në krizë politike, demokratike dhe të integrimit; por stabiliteti politik i cili akoma nuk ka degraduar në anarki dhe rrëmujë, kjo  është vetëm falë presionit dhe të asaj se perëndimit e sidomos BE-së  i intereson vetëm stabiliteti politik në Shqipëri dhe Kosovë dhe jo aq shumë demokracia, ndërtimi i shtetit ligjor, zgjidhja e problematikave politike, ekonomike, integrimi etj.

Kjo gjendje u shërben europianëve dhe u intereson kështu atyre pasi ata nuk e duan realisht  dhe seriozisht integrimin e shqiptarëve në BE, dhe kështu ky realitet u shërben atyre për ta përdorur  atë si argument dhe justifikim për zvarritjen që ata u bëjnë dy shteteve shqiptare për t’u integruar në BE, me pretekstin se dy shtetet shqiptare nuk përmbushin kushtet, standartet apo detyrat për t’u antarësuar në BE.

Kjo përbën hipokrizinë e madhe të interlokatorëve, këshilltarëve dhe të diplomacisë së BE, pasi ajo e fajëson politikën shqiptare si shkaktare por nga ana tjetër sillet mirë dhe i pranon ata si të besueshëm që po punojnë pak më mirë se paraardhësit, dhe që është bërë bajate tashmë ajo që e dëgjojmë gjithnjë prej tyre se: në Shqipëri ka përmirësime por jo standarte.

Evropa kurrë nuk i ka përkrahur sinqerisht shqiptarët, por ka bërë të kundërtën po: pazare, intriga, ngatërresa dhe pabesi e deri dhe trauma e tragjedi në kurriz të tyre duke favorizuar synimet  dhe interesat shoviniste sllavo-greke. Europa që e mban veten si kampione demokracie  thotë se në Shqipëri bëhen zgjedhje edhe pa opozitën dhe ne do i njohim ato; Europa u bën presion deputetëve në Kosovë që votoni tradhëtinë, dhurimin e territoreve Malit të Zi se do liberalizojmë vizat.

Pra, Europa përkrahë në Kosovë dhe Shqipëri pushtetin dhe politikën servile ndaj saj; përkrahë dhe zgjedh ata politkanë të pa personalitet dhe të ulët të cilët janë gati të bëjnë gjithçka kundër interesave kombëtare vetëm e vetëm për pushtetin dhe interesat personale, siç është rasti i përkrahjes së politikës së kriminalizuar, të korruptuar dhe të kanabisit në Shqipëri ashtu si dhe përzgjedhja që BE bëri në Kosovë pushtetin e kualicionit PDK-LDK  dhe  të zgjedhjes së  Presidentit të saj në kushtet e pothuajse të gjëndjes së jshtëzakonshme, vetëm pse çifti Mustafa-Thaçi ishin më të përshtatshmit për nënshkrimin e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe të Bashkësisë së Komunave serbe në Kosovë në dëm të interesave kombëtare;  ashtu sikurse edhe në fillim shekullin e 20-të me miratimin e Europës, sllavo-grekët rrëmbyen territoret e shqiptarëve, ashtu si me autorizimin e Europës dhe në sytë e saj sllavo-grekët bënë edhe genocidin e tmerrshëm mbi popullin shqiptar etj.etj.

Por mëkatarët dhe fajtorët kryesorë të kësaj gjendjeje të vazhdueshme  SOT si në Shqipëri dhe në Kosovë janë partitë kryesore politike shqiptare, të cilat  janë të kapura nga establishmenti apo elita politike, ato drejtohen prej këtyre makrocelulave elitare ideologjike, korruptive , praktike dhe propagandistike e mashtruese pasuese te Partisë Komuniste.

Këto makrocelula politike antidemokratike dhe antinacionaliste kanë  kapur të gjithë pluripartitizmin shqiptar, kanë arritur deri dhe në mashtrimin që u kanë bërë edhe SHBA-së dhe BE-së me mashtrimet, dukjet dhe me hipokrizinë e falsicitetin e paraqitjes së tyre si demokratike, progresiste, prointegrimit, proeuropiane dhe proamerikane.

Por është edhe e çuditshme se: pse edhe përse BE dhe SHBA, të cilat nuk besoj që nuk e dinë këtë të vërtetë por bëjnë sikur nuk e dinë, dhe pse për 25 vite ato mbështetën dhe përkrahën në Shqipëri dhe ua besuan individëve  dhe klaneve trashëgimtare dhe pasuese të regjimit komunist  që ta drejtojnë, po ata, paskomunizmin dhe tranzicionin në Shqipëri; dhe pse e përse,  perendimorët   nuk inkurajuan dhe as nuk mbështetën patriotizmin, demokracinë dhe proamerikano-europianizmin e vërtetë të persekutuar dhe të përndjekur për gjysëm shekulli nga regjimi komunist?

Përse perendimoret nuk përkrahën dekomunistifikimin e Shqipëisë, as ndëshkimin e krimeve të komunizmit, as lustracionin dhe as dekriminalizimin e politikës shqiptare prej komunistëve, persekutorëve, prokurorëve, gjyqtarëve, spiunëve dhe antiperendimorëve komunistë; përse nuk përkrahët  Ju perendimorët  as angazhimin dhe as pjesmarrjen në politikën shqiptare të shtresave dhe kundërshtarët e ishregjimit komunist?

Përse e neglizhuat edhe Ju prendimorët jolirinë politike, pse e përkrahët me indiferencën tuaj përjashtimin që paskomunizmi neokomunist në Shqipëri i bëri desidencës patriotike, properendimore dhe antikomuniste në Shqipëri? Fatkeqësisht të njëjtin indiferentizëm dhe neglizhencë po tregoni edhe në Kosovë.

Përse u “kujtuat” pas 25 vitesh kur ishkomunistët u bënë pronarë edhe të demokracisë, edhe të ekonomisë, edhe të shtetit; kur ata u bënë  edhe kapitalistët e monopolistët më të mëdhenj. Pas 25 vitesh  Ju u kujtuat se doni ta ndihmoni Shqipërinë me Reformën në Drejtësi me kaq tepër vonesë, pas një çerek shekulli?

Shqipëra de fakto kaloi nga komunizmi diktatorial në një neokumunizëm demokratik  liberal neodogmatik të miratuar nga Ju perëndimorët, të pranuar nga “indiferenca” prej sehirxhiu nga ana e juaj. Dhe prandaj ka dështuar jo vetëm shoqëria shqiptare në ngritjen e sistemit demokratik, të shtetit ligjor dhe integrimit i vëndit në BE, por edhe vetë Ju perendimorët, por ama  harxhet, kusuret dhe pasojat po i vuan vetëm shoqëria shqiptare.

Mos vallë Ju europianët, Ju BE-ja burokratike pse jo edhe e korruptuar: Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare i trajtoni si vënd dhe shoqëri për eksperimente sociale dhe ideologjike; si vënd potencial krize me të cilin pastaj të justifikoheni se keni me çfarë të merreni?

Ju europianëve  burokratë  dhe “indiferentë”iu intereson vetëm stabiliteti në Shqipëri dhe jo demokracia sepse juve nuk keni ndjesinë e asaj se çfarë ka vuajtur populli shqiptar në atë diktaturë dhe nuk keni ndjesi e dhimbshuri edhe sot ndaj asaj se çfarë shqiptarët i mban peng dhe vazhdojnë të pësojnë akoma nga moszhvillimi, mosemancipimi dhe mosintegrimi, papunesia , varfëria dhe padrejtësia.

Ju Europa keni të hipotekuar autorësinë e tragjedive të tmerrshme të cilat Ju u keni bërë prej më shumë se një shekulli shqiptarëve, dhe juve nuk është kurrë për t’u besuar sinqerisht se ua doni me të vërtetë të mirën shqiptarëve.

Prandaj së pari dhe krejtësisht na takon dhe e kemi si detyrë Ne shqiptarëvt që ta bëjmë Shqipërinë, shtetin e kombin tonë të fortë demokratikisht  e kombëtarisht dhe mos të presim shumëgjë nga Europa e pabesë dhe intrigante.

Aktualisht edhe sot, Partitë politike dhe politika  shqiptare nuk kanë promovuar as demokraci, as patrioizëm, as progres, as dëshirë dhe as vullnet në këtë drejtim, por fatkeqësisht  më shumë kanë shkaktuar paqëndrueshmëri, konflikte, përçaje, zhgënjim, tradhëti, korrupsion dhe mosbesim.

Ato janë infektuar rëndë nga oligarkia elitare e egoizmit negativ, luftës për pushtet dhe sidomos nga korrupsioni. Ato jo vetëm që nuk i sherbejnë lidhjeve jetike shtet-shoqëri, por e përdorin dhe e shfrytëzojnë si shtetin ashtu edhe shoqerinë vetëm për interesat e tyre, të oligarkisë dhe elitës së ngushtë partiake.

Partitë kur kapen dhe pronësohen nga grupe apo klika e klane të ngushta me lidhje kriminale, vjedhje, korrupsioni dhe të çdo interesi tjetër amoral, si grupe të pasura me prona, para dhe me  pushtet, atëhere partitë  shndërrohen dhe funksionojnë si organizime të fuqishme mafioze  banditopartish politiko-financiare duke e asgjesuar demokracinë e drejtësië dhe duke e kërcënuar e rrezikuar  shtet-shoqërinë dhe sovranitetin kombëtar.

Kur mafiodemokracia politike e kap shtetin  gjëndja është më e keqe se anarkia.

Armiku dhe të keqijat më të mëdha shqiptarëve po u vijnë nga partitë politike; 

nga këto organizata të cilat veprojnë dhe shfrytëzohen në favor  të individëve apo të grupeve të interesave politike private.

Në partitë politike shqiptare, establishmenti apo elita politike e tyre: kombëtaren, publiken, shtetëroren, patriotizmin, ligjin, drejtësinë si  dhe antarësinë e partisë dhe shoqërinë i shikojnë dhe i trajtojnë edhe ato si prona private dhe si mjete për të realizuar qellime përfitimesh politike, pushteti, autoriteti, pandëshkueshmërie dhe sidomos  pasurimi.

Partitë politike shikohen si streha të sigurta garancie dhe sigurie për pandëshkueshmërinë e krimit, korrupsionit, tradhëtive, parasë se pisët të trafikimeve të qënieve njerëzore, droges, prostitucionit, të evazionit fiskal, të abuzimeve dhe të tenderimeve  korruptive.

Partitë politke funksionojnë si agjensi politike për të rrëmbyer pushtet dhe të grabitjeve të pronave, të pasurive dhe të parasë publike etj., dhe, prej të cilave sponsorizohet dhe mercenarizohen edhe vetë partitë, ku përfitojnë kryesisht njerëzit më potentë te establishmentit politik në Shqipëri  dhe në Kosovë të cilët bëjnë dhe urdhërojnë edhe ligjin nëpër gjykata si  edhe manipulojnë zgjedhjet dhe blejnë votat dhe pushtetin.

Prandaj besoj se ka ardhur koha për ndërgjegjësim dhe zgjim nga letargjia dhe apatia  të shkaktuara prej opiumit mashtrues, të pabesë,manipulativ, hipokrit dhe korruptiv  të politikës , të elitës së derimësotme të partive politike të cilat janë  armike dhe përjashtuese të intelektualizmit, profesionalizmit, ndershmërisë, virtytit,  aftësisë, patriotizmit, përgjegjshmërisë, lirisë së vërtetë të mendimit, konkurimit dhe transparencës.

Partitë  politike janë shtrati ku kultivohet dhe vegjetojnë mediokriteti, injoranca, servilizmi, nepotizmi, mashtrimet, manipulimet dhe korrupsioni i elitës së tyre të cilat më pastaj transferohen, trampiantohen dhe “lulëzojnë” në parlament, qeverisje dhe në tërë administratën dhe sistemin.

Është mashtrim dhe vetëm mashtrim të pretendohet se do të reformohet shteti, shoqëria, politika dhe demokracia në Shqipëri dhe Kosovë pa u reformuar dhe demokratizuar së pari  partitë politike shqiptare, sepse partitë politike janë parimi kryesor i politikës moderne në demokraci.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat