Me Z. Zaevin, një alternativë e besueshme!

Opinione

Me Z. Zaevin, një alternativë e besueshme!

Nga: Lirim Begzati Më: 11 maj 2017 Në ora: 18:28
Lirim Begzati

Çdo herë kur gjindemi përballë funksionimeve «disfunksionuese» politike dhe shtetërore, është karakteristikë fakti se për problemet që nuk zgjidhen me kohë apo zvariten, ndodhë shpesh që ata të akumulojnë dhe të nxjerrin në sheshë edhe një sërë problemesh të tjera. Praktikat e veprimit dhe politika konservatore e kahmotshme në Maqedoni kanë ndikuar dukshëm në frenimin e disa proceseve që çojnë në drejtim të progreseve sipas standardeve moderne demokratike dhe të shtetit të së drejtës. Pasojat e akteve të natyrave të tilla e kanë vështirë të «shërohen» mbrenda afateve të shkurtëra. Duket se ky vend përjeton sot pikërisht këtë gjendje mjerimi.

Megjithatë, nuk jetojmë në kohëra që kanë nevojë për thellimin e pesimizmit, mosbesimit dhe paragjykimeve reciproke. Nuk i’a vlenë aspak të kufizohemi vetëm në vlerësime gjeneralizuese «ky nuk bënë, ai nuk bënë!». Përkundrazi, edhe pse shumë gjëra duken negative, nuk duhet pranuar se është humbur tërrësisht shpresa për ngritjen e mirëbesimit dhe për krijimin e kushteve për një jetë më të mirë. Një teori kjo që lehtë mund të shprehet, por që ka nevojë edhe për shoqërimin e saj përmes akteve të realizimit praktik!

Përballë dukurive të përmendura dhe marrë parasysh kontekstin e krijuar, një sërë parametrash objektive dhe të besueshme tregojnë se bashkëpunimi me bllokun politik të Z. Zaevit mbetet në moment si një ndër alternativat e vetme që jepë shpresë për hapjen e rrugës së përbashkët për me shkuar përpara. Ky vlerësim që dukej i qartë edhe para disa kohësh, u përforcua më tepër pas ngjarjeve të fundit në Parlament.

Z. Zaev me politikën e tij ka shprehur disa qëndrime pozitive që lejojnë hapjen e horizontit të perspektivave për konkretizimin gradual të disa kushteve paraprake që mund të çojnë në drejtim të njëfarë prosperiteti dhe një mirëqenie të një shteti multietnik më të ekuilibruar.

Shumë punë të mëtutjeshme do të n’varen nga të gjithë, pa marrë parasysh përkatësitë e ndryshme, qofshin ato politike, nacionale, fetare, etj. Kësaj duhet shtuar detyrimisht edhe domosdoshmërinë e unitetit politik ndërpartiak tek partitë shqiptare, duke shmanguar shpërndarjen në blloqe dhe grupe interesi të vogla, pasi që rruga e konfrontimeve dhe e kacafytjeve nuk korespondon aspak me nevojat dhe interesat e gjithëmbarshme.

Në një mënyrë apo tjetrën, dalja nga kriza dhe avancimi i nevojshëm i reformave të shumta kërkojnë një implikim sa më gjithpërfshirës nga njerëzit e vullnetit të mirë, nga njerëzit e vendit. Le të mos besohet aq shumë në ate se problemet tona madhore do të n’a zgjedhin apo duhet t’i zgjedhin të tjerët, të huajtë. Moti është kuptuar se kontributi i të huajve shpesh përqëndrohet në presioneve politike apo dhënien e këshillave, se sa në diçka tjetër. E mirëseardhur qoftë ajo, por definitivisht nuk do të jenë të huajtë ata të cilët do të mund të ndihmonin në zgjedhjen e shumë problemeve që n’varen drejtëpërdrejt nga popullatat që bashkëveprojnë dhe bashkëjetojnë në një hapësirë të përbashkët gjeografike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat