Islamizimi nën terrorin turko-sllav

Opinione

Islamizimi nën terrorin turko-sllav

Nga: Gani Mehmetaj Më: 12 maj 2017 Në ora: 08:33
Gani Mehmetaj

Pushtuesit sllavë e turq nuk lanë gjurmë qytetërimi, por lanë vragë krimi. Asnjë objekt nuk mbeti pas sundimit të tyre. I shfrytëzuan objektet vendëse, i rrënuan shumicën prej tyre, ndërsa sheshet, rrugët e qytetet arbërore jo vetëm nuk i zgjeruan, por i ngushtuan, sepse në psikologjinë e tyre kolektive nuk vepronte mendësia e ndërtimit, por shpërfytyrimi i rrënimit. Pushtuesit sllavë kishat katolike e bizantine arbërore i përvetësuan, duke i proklamuar se kinse janë të tyret.

 Të njëjtën gjë e bënë edhe osmanët, rrënuan sheshe e objekte monumentale, duke ndërtuar tregje të ngushta orientale. Mbi objektet vendëse, ku ishin kishat e sheshet ndërtuan xhami e stalla kuajsh. Sipas modelit të Aja Sofisë në Kostandinopojë, pushtuesit turq i bënë të gjitha kishat katolike xhami. Asnjë kishë katolike nuk mbeti në Arbëri, pos në malësi, ku nuk mund të shkelnin. Nga sheshet e dikurshme mesjetare të gjera e të ndritshme, bënë çarshi orientale të errëta e dyqane me qepena. Hapësira e vogël ta zinte frymën ashtu si ta zinin frymën shtëpitë njëkatëshe me qerpiçë, e kundërta e kullave arbërore trekatëshe me gurë e frëngji.

Sllavët e turqit ishin popuj nomadë, që shtëpitë  e lëvizshme në formë të çadrës i merrnin me vete kudo, duke tërhequr zvarrë shpesh edhe familjet (sllavët), kurse turqit merrnin me vete  haremin, një lloj shtëpie publike për ushtarakët e spahinjtë. Sllavët e turqit ishin hordhi nomadësh me organizimin ushtarak, pa asnjë traditë e kulturë qytetërimi, prandaj nuk lanë prapa rrugë, sheshe, godina monumentale, piktura, skulptura, art, letërsi, sikurse la prapa vetes Greqia antike apo Perandoria Romake.

Serbët nuk lanë gjurmë, sepse u mjaftonte plaçka e luftës. Perandoria Bizantine i nxori nga errësira, pasi i pushtoi dhe i disiplinoi disi, megjithëse kryesisht i përdori mercenarë e vrasës me pagesë. Vrasës me pagesë ishin edhe nën sundimin e Perandorisë Osmane.

Prandaj, gjatë kësaj pranvere, kur bëmë shtegtime përnjohjeje nga Istogu në Prizren, nuk e gjetëm asnjë objekt për be që e lanë pushtuesit sllavë e pushtuesit turq.  Dy-tri kishat monumentale katolike e bizantine, si Patrikana e Pejës e Manastiri i Deçanit u takonin arbërorëve deri në kohën kur kryeveziri turk me prejardhje sllave, Mehmet Pashë Sokoloviqi ( 1506 - 1579) , ua dha në zotërim pronat e Kishën e Pejës, Manastirin e Deçanit, dhe të gjitha kishat katolike e bizantine në Dardani, priftërinjve sllavë për lojalitet e shërbime të mira, ndërsa i dëboi priftërinjtë arbërorë. Ishte kjo tronditja e dytë e madhe pas pushtimit osman. Atëherë filloi terri i dytë nga osmano-sllavët mbi Dardaninë, pjesë e Arbërisë. Atëherë nisi një dyndje e madhe e popullatës drejt maleve, ose drejt tokave austriake, trashëgimtare e Perandorisë së Shenjtë Romake.

Të ndërsyer nga osmanët, priftërinjtë sllavë silleshin keq me popullatën arbërore katolike të Pejës e të katundeve, i trajtonin si skllevër, shkruan në një kronikë të kohës, drejtuar Vatikanit. Për terrorin e priftërinjve sllavë të Patrikanës së Pejës shkruan edhe akademiku Mark Krasniqi. Sipas dekretit turk, priftërinjtë serbë kishin të drejtë t’i vrisnin ata, t’i ndëshkonin me kamxhik, t’i fusnin nëpër bodrume e tortura të tjera. I vetmi shpëtim i arbërorëve, ashtu si ua sollën punën ishte të bëheshin myslimanë, ose të iknin nga sytë këmbët.

Në ankesën e priftërinjve arbërorë drejtuar Vatikanit thuhet se priftërinjtë serbë i gjymtonin bujqit  në rrethinat e Pejës, me lejen e pashait turk të qytetit, por natyrisht urdhri u vinte nga Porta e Lartë. Përfaqësuesit e arbërorëve të keqtrajtuar ia nisën një letër Sulltanit, duke u ankuar që autoritetet lokale nuk i mbrojnë nga terrori, mirëpo të dërguarit e Sulltanit u premtuan se do t’ua shpëtonin kokën po u kthyen në myslimanë.

Kështu nisi vala e dytë e islamizimit të arbërorëve sipas kurdisjeve të Perandorisë Osmane dhe serbëve që i përfaqësonte kryeveziri turko-serb, Mehmet Pashë Sokoloviqi. Pashai turk të vëllanë e bëri të parin e Patrikanës së Pejës. Një pjesë e arbërorëve iu kundërvunë terrorit të priftërinjve sllavë e zaptive turke që e mbronin Patrikanën,  mirëpo ndërhyri garnizoni turk i qytetit të Pejës, duke i vrarë kryengritësit e duke e masakruare popullatën katolike, ndërsa u doli në ndihmë serbëve të deleguar nga Stambolli. Kështu një pjesë e vendësve ikën maleve, një pjesë iu nënshtruan islamizmit dhe pjesa tjetër u tretë në Gadishullin e trazuar Ilirik.

Gjendja ishte e njëjtë edhe në krahinat e tjera të Dardanisë. Kronikat, relacionet e ankesat shkuan lumë në Vatikan, por ndihma nuk u erdhi nga askund. Arbërorët mbetën të braktisur e të vetmuar, në mëshirën e pushtuesve turq e të armiqve edhe më të vjetër, sllavëve serbë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat