Tre shqiptarë krejtësisht të ndryshëm nga njëri tjetri, në gjunjë

Opinione

Tre shqiptarë krejtësisht të ndryshëm nga njëri tjetri, në gjunjë

Nga: Genc Drini Më: 19 maj 2017 Në ora: 06:24
Genc Drini

Për të ndërprerë dramën e rëndë të gjakmarrjes në mes familjeve shqiptare, është fat kur në mes futet institucioni solemn i faljes. Dy palët ballafaqohen. Pala dhunuese nuk ulet në gjunjë për të kërkuar faljen e gjakut, nuk i përkulet askujt, rri vertikalisht dhe kërkon falje nga thellësi e zemrës dhe ndjen dhimbje për dhimbjen e madhe që ka shkaktuar. Dhe kërkon miqësi, deri në vëllazërim gjaku. Falje për të kaluar mbi vdekjen dhe miqësi për të ushqyer jetën. Pala e dhunuar kërkon drejtësi, ti njihet dhimbja që i kanë shkaktuar dhe e ka, dhe nuk kërkon kurr gjunjëzim të palës dhunuese, e do të pa përkulur. Pranon të falurën e kërkuar nga burra që rrinë vertikalisht në një moment të vërtetë solemn. Kodi vertikal i shqiptarit.

Shqiptari “i parë” që nuk i ndenji kodit vertikal të shqiptarit.

1

Drejtuesi i Partisë dhe Shtetit shqiptar për një kohë, Enver Hoxha pas vdekjes së Stalinit më 5 mars 1953 u rrëzua në gjunjë para satujës së tij në sheshin e madh të Tiranës, u rrëzuan në gjunjë anëtarët e Byrosë Polike të PPSH, poashtu u rrëzuan në gjunjë dhe komunistët, dhe të sigurimit të cilët të shpërndarë andej këndej nëpër turmë, urdhëruan, frikësuan, imponuan njerëzit të ulen në gjunjë. Pati të atillë që nuk e duruan skandalin që po ndodhte, disa u zgërdhinë në sarkazëm, dhe thuhet që u arrestuan dhe u futën burgjeve. Dhimbja e vdekjes së Stalinit, ndodhur në Moskën e largët çuditërisht kishte kapur “ thellë”në një qytet të largët, në Tiranë. E.Hoxha qe “shqiptari i parë” që nuk ndoq kodin e shqiptarëve, nuk ndenji vertikalisht, u rrëzua në gjunjë! Nuk kishte ndodhur kurrë. E veç kësaj askush nuk i kishte as “gjak borxh” e asgjë as Stalinit as njerëzve të tjerë në BS.

Ndodhi që Bashkimi Sovjetik për interesa të veta u prish me Jugosllavinë dhe Shqipëria bëri të njëjtën gjë për interesa të veta. Historia e Shqipërisë e quan një fat të madh këtë moment kur u ndal gllabërimi fatal i Shqipërisë si Republikë e Shtatë e Jugosllavisë që më përpara ua pat rekomanduar fshehtas jugosllavëve pikërisht Stalini. Një pjesë e historianëve nëpërmes rastësisë që solli këtë rezultat, përpiqen të quajnë E.Hoxhën, atë që me politikën e tij të deriatëherëshme i hapi i pari rrugën Jugosllavisë për të përlarë Shqipërinë, si “shpëtues i Shqipërisë”. Diktatori shqiptar i ulur në gjunjë në atë ditë shkurti përpara statujës së Stalinit po nderonte kujtimin e rastit të artë kur i kishte shpëtuar pushteti vetiak së fundi i rrezikuar nga jugosllavët, ndërsa me gjunjëzimin e tij po u impononte shqiptarëve kultin e gjunjëzimit, që të përuleshin para “partisë mbi të gjitha” dhe “përmbi të gjitha” para atij vetë, sekretarit të parë të partisë. Po impononte një pushtet absolut me të drejtën për jetë a vdekje mbi të tjerët, modelin pagan të diktatorit perandor. Po impononte një kod pagan.

Gjithçka ndryshon pas tre vjetësh, në shkurt 1956 kur në B.S. u përpoqën të ngrejnë një moral tjetër larg krimeve të tmerrëshme që kishte bërë Stalini diktator mbi popullin e vet. E përmbysën figurën e Stalinit e nxorrën nga mauzoleumi faraonik, dhe statujat nisën të zhgulen nga pjedestalet. Në Shqipëri statuja e diktatorit Stalin nuk po prekej. Më 1960 Shqipëria prishet edhe me B.Sovjetik që kërkonte ndryshime dhe në politikën shqiptare, por më kot. Statuja e Stalinit qëndronte ende hijerëndë në Tiranë, “e rrethuar dhe mbrojtur” nga “udhëheqësi” i ngrirë në vite ashtu në gjunjë me pasuesit e tij dhe popullin e detyruar të ulet me zor në gjunjë, të ngrirë. Një pamje surreale që do vazhdonte deri në vitin 1990 bashkë me diktaturën! Dhe kur në vitin 1985 pushteti pati kaluar tek pasardhësi si sekretar i parë i partisë, edhe ai i mbajti shqiptarët ashtu të ngrirë në gjunjë, me pushkët mbi kokët e tyre dhe u ngjeshi para syve një statujë gjigande atë të diktatorit të Shqipërisë, ngriti dhe një piramidë për të. Statujat e dy diktatorëve dhe piramida në kohë imponimi idhujsh. Po shqiptarët nuk qenë asnjëherë në gjunjë dhe statuja gjigande, simbol i diktaturës, dhe piramida, dhe të gjitha arritën fundin u rrëzuan për tokë për të mos u ngritur më. Kodi i imponuar pagan, i rroposur. 

2

Gazetari Kastriot Myftaraj shkruan keq dhe vulgarisht kundër përfaqësueses së Bashkimit Europian në Shqipëri Romana Vllahutin, po për të kjo është asgjë për çfar ajo po bën. Sipas tij, ajo po nxit futjen e Shqipërisë në një Jugosllavi tjetër dhe e akuzon se “punon për llogari të Beogradit”. Dhe e quan terroriste“që çdo shqiptar që do atdheun e vet mund ta vrasë Romanën dhe ky do të ishte një akt antiterrorist, jo terrorist”. Njerëzit të lodhur dhe të konfuzuar nga lajmet politike sensacionale të përditëshme, reagojnë veç për gjuhën e lajmit dhe pak për thelbin e tij. Po ja që reagon menjëherë politika, policia “në trill të vet” arreston gazetarin. “Prokuroria e Tiranës urdhëron lirimin e gazetarit, duke e konsideruar që nuk ka vepër penale.”

3

Është reagimi i shkrimtarit Ismail Kadare, letra që i drejton Romana Vlahutin ambasadore e BE në Shqipëri postuar nga Shtëpia Botuese Onufri që zgjon vëmendjen e njerëzve. Ai shkruan me një far ndrojtjeje ngaqë po merr përsipër shfajsimin për “fajin” që dikush tjetër “ka bërë”. Ndjehet i tronditur nga “fyerja e paskrupullt”… të cilën e quan” fyerja e një njeriu jo normal” dhe “se sa pak lidhje ka ajo me një popull e një shoqëri të tërë” dhe që e botuar…na vuri para përgjegjësisë të gjithëve.” Dhe finalja: “E dashur Romana Vlahutin, do të isha gati t’ju kërkoja ndjesë në gjunjë, për t’ju siguruar se mirënjohja për ju është e do të jetë e pacënueshme.” Ismail Kadare, Paris, 10 maj 2017.

Vepra e Kadaresë është ndërtuar shumë herë mbi mesjetën e vonë shqiptare dhe për aq sa i drejtohet ai mund të quhet kalorësi modern shqiptar i letërsisë për mesjetën e vonë shqiptare dhe idetë që rrjedhin universalisht prej saj. Kjo duhet ta stërngopte ambicien e tij “shqiptaro-kalorsiake“. Për çfar u shkrua për ambasadoren e BE, Kadare mund të mjaftohej duke shprehur me bindje shqetësimin a gjykimin e tij vetiak dhe të përcillte për Vllahutin mesazhin që donte brënda një kodi mirësjelljeje dhe brenda një kodi politik dhe kaq. Nuk kishte përse të shprehte vullnetin për tu ulur në gjunjë që të kërkonte ndjesë. Veç tjerave do ti shkonte kot për arësyen e thjeshtë se Romana Vlahutin e cila ka kohë që po jeton në mes shqiptarëve dhe i njeh, zor se mund të dallonte tek i gjunjëzuari “shqiptarin, po më tepër imazhin e ndonjë kalorsi mesjetar francez, të mbetur diku në kujtesën e saj nga letërsia kalorsiake. Jemi para një rënieje emocionale të pa nevojshme në kurthën e kodit të vjetëruar fantazist të mesjetës feudale jasht shqiptare të adoptuar artificialisht. Komunikimi i kulturave nuk ka pse të ndryshojë pa shkak kodin vertikal të shqiptarëve, universal në vlerat dhe moralin që përcjell për këdo, për çdo kohë, dhe të cilin shkrimtari e gjen në mes shqiptarëve dhe e nxjerr në pah fuqishëm në veprën e tij.

4

Po e keqja është se “gjunjëzimi” i shkrimtarit tonë të çmuar Kadare, çan hulli dhe sjell si hakmarrje dhe imitim dhe një “gjunjëzim” tjetër, atë të gazetarit Myftaraj. Jo më një gjunjëzim kalorsiak para një statuje, a një zonje, apo politikave të BE, por një gjunjëzim të pa parë, para një populli të tërë, para hebrejve, “duke e ngritur” kështu në “një simfoni” gjunjëzimin e një shqiptari, për më tepër siç bëri dhe Kadare jo për gabimet e veta po për “gabimet” e një tjetri, të shkrimtarit Kadare. Jemi paballë kodit të hakmarrjes dhe imitimit të gjestit! Nis e po përhapet kështu virusi i një epidemie gjunjëzimesh ndër shqiptarë, e për më tepër i shpikur si mision gjunjëzimesh për “fajet” e të tjerëve. E pa parë!

Gazetari merr shkas nga reagimi i Kadaresë dhe në një letër të botuar në City News nis e i vërsulet duke e quajtur “gjenerator i nxitjes së antisemitizmit, urrejtjes ndaj hebrenjve.”.. “Ju, z. Kadare i gjunjëzoheni Vlahutinit, unë iu gjunjëzohem hebrejve të botës për t’ iu kërkuar falje për urrejtjen ndaj tyre që përmban vepra juaj”.. “Nëse Kadare ka detyrim t’ i gjunjëzohej dikujt, ai duhet t’i ishte gjunjëzuar popullit hebre dhe t’i kërkonte falje për fyerjet që i ka bërë gjithandej veprës së tij, në prozë dhe poezi.” Dhe sjell disa raste nga krijimet e Kadaresë ku sipas tij shkrimtari shpreh urrejtjen ndaj hebrejve. Myftaraj mund të mbajë interpretimin e tij dhe ta konsiderojë të mirëqënë, gjykimi është e drejtë e secilit, por një kritik tjetër mund të mendote ndryshe për ato përcaktime të zgjedhura nga librat e Kadaresë. Mund ti gjykonte si pjesë e botës komplekse shpirtërore të mesjetës europiane, pra dhe të asaj shqiptare por që duhen studjuar nga antropologjia kulturore krahasimore përbri përcaktimeve të tjera të kohës, për të mos i gjykuar veçmas të shkëputura prej të tjerave, e jasht konteksit tërësor sepse kështu mund të tjetërsoheshin kuptimet. Sidoqë gazetari është i drejtë për drejtë dhe nuk bën për aluzione, dhe i quan të zgjedhura qëllimisht, ky është gjykimi i tij, ne mendojmë se ndonjë post “purifikim” arbitrar, jo shkencor, i periudhave kohore dhe i letërsisë prej tyre, do censuronte, zhveshte dhe sterilizonte artificialisht një psikologji të një bote të tërë të një kohe të caktuar, do shterrte vetë letërsinë. Ndërsa fjala e Kadaresë në Kongresin e Rinisë në v.1971 në New York.. është diçka tjetër, është një qëndrim politik i shtetit shqiptar të kohës dhe qëndrimet e ndryshme politike të shteteve, janë të përditëshme, të ndryshueshme, mjafton të shihet qëndrimi i sotëm i shteteve europiane, dhe i Bashkimit Europian pasqyruar dhe në rezoluta për politikat e shtetit të Izraelit dhe të Shtetit të Palestinës.

Të bën përshtypje Myftaraj që pasi shprehet se përpjekjet për krijimin e një Jugosllavie tjetër janë  “një projekt sorosian… që është edhe projekt i disa qarqeve në Bashkimin Europian…e pjesës më të madhe të burokracisë së Brukselit, si dhe vendet e BE që bashkohen në idenë …e Jugosllavisë së Re që do të krijohet nga bashkimi i ish­republikave dhe krahinave jugosllave minus Sllovenia dhe Kroacia...plus Shqipëria”, duke emërtuar kështu një nga një të gjithë “autorët” e projektit, nga ana formale duket sikur i vardiset rreptë veç emisares së tyre Vllahutin dhe qeveritarëve të Tiranës që janë pranuesit e qullët të këtij projekti! Nga kjo disa nga “qullësat” e ty tre krahëve kryesorë politikë, të interesuar vetëm e vetëm për zgjedhjet, mund të përfitojnë për ta trajtuar akuzën e tij si “çështje vetiake Vllahutin” për ta zhvëndosur pas krahëve për mos diskutim çështjen themelore të rrezikëshme për shqiptarët, si përpjekje të vetë BE për krijimin e një Jugosllavie tjetër, për të cilën akuzon fort dhe me të drejtë Myftaraj.

Po ajo që bën më shumë përshtypje në letrën e Kadaresë është shprehja e besimit të tij “të pa cënueshëm” tek Romana Vllahutin dhe kuptohet dhe tek çdo gjë që vjen nga BE:” mirënjohja për ju është e do të jetë e pacënueshme.” Do të doja thjesht të ndaja me ju pikëllimin që mund të ndjejë njeriu, i cili në vendin ku vjen të ndihmojë për kapërcimin e brengave, ndeshet me një mosmirënjohje të tillë.” Kadare ka shkruar dhe mbrojtur aq shumë Kosovën, ka mbrojtur vazhdimisht dhe Europën dhe BE, po dhe shumë herë ka gjykuar i revoltuar dhe shtetet europiane, BE për qëndrime të gabuara dhe jo të qarta kundrejt shqiptarëve. Ndërsa në këtë rast, sidoqë sheh dhe akuzën e drejtpërdrejtë të Myftarajt kundër projektit që sjell brenga, krijimin e Jugosllavisë tjetër ku të rrasen brënda të gjithë shqiptarët, Kadare quan si parësore në këtë çast veç mbrojtjen e Romana Vllahutin nga sulmi i pa fre i gazetarit. Po duke e konsideruar apriori atë që ajo bën, politikat e BE që ajo përfaqëson si ndihmë për kapërcimin e brengave stepet nga gjykimi kritik i politikave specifike të BE për të cilat shprehet i revoltuar gazetari Myftaraj.

Bashkimi Europian gjithë këto vite ka mbështetur shqiptarët të cilët e vlerësojnë shumë më tepër se mjaft popuj të tjerë, besojnë se integrimi në BE është në interesin e shqiptarëve po punojnë fort në  këtë rrugë. Por jo gjithçka që projektohet nga shtetet e BE për shqiptarët është e mirë për shqiptarët. Politika nuk është shkencë e saktë dhe askush nuk mund të jetë aq naiv sa të fetishizojë si të pa gabueshëm, as si disponues të një balance të artë, apo “shenjtërisht” të pa anshëm politikisht Bashkimin Europian. Denoncimi i politikave gjykuar si të gabuara të BE ndaj shqiptarëve, dhe aq më tepër nëse projektohen qartë si të tilla, nuk është aspak mosmirënjohje ndaj BE. Mos denoncimi i tyre do çonte në rrënim të interesave të shqiptarëve. Është e detyrueshme për shtetin shqiptar në radhë të parë që të bëjë politikë dhe të thotë po, kur është në interesin e shqiptarëve dhe jo, kur është kundër interesit të shqiptarëve, veçanërisht në këtë rast që pasojat do ishin dramatikisht afatgjata. Vetëm ky qëndrim i shtetit dhe politikës shqiptare është në të mirë të shqiptarëve po dhe të BE. Çfarë është e mirë dhe e qartë për shqiptarët, të cilët nesër mund të futen në BE, do të jetë një qartësi e mirë dhe për BE. Ismail Kadare, fjala e të cilit ndiqet me vlerësim, mbetet i pa spjeguar në reagimin e tij “emocional”. VIJON

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat