Lavdi “heronjve” të Xhadisë

Opinione

Lavdi “heronjve” të Xhadisë

Nga: Kalosh Çeliku Më: 22 maj 2017 Në ora: 10:10
Kalosh Çeliku

(Prolog nga groteska idilike (satirë me Tre Libra): Dudumi gërhet për Liri (Shkup, 2016). Dramë e cila mezi arriti të hyjë në programin e Ministrisë Kulturës në IRJ të Maqedonisë, dhe pas shpalljes të rezultateve të konkursit në mjetet e informacionit, Institucioni kulturor hoqi dorë nga nënshkrimi i marrëveshjes dhe publikimi i dramës, u nëpërkëmbë mu nga kjo Ministri e Kulturës e shtetit të“përbashkët” krah për krahu me librat tjerë të “përqafuar” po nga kjo Ministri e Kulturës: Disidencë Letrare i Fadil Currit dhe Policia Letrare e autores Flora Sela - Kastrati. Papritmas, u fshi nga Regjistri Qëndror SHGB “ASDRENI”,  në Shkup duke e plaçkitur në mes të ditës me dhjetëra mijëra euro, në bankë si plaçkë lufte e autorit në fushëbetejën me penë).

Një populli që t’i arrijë qëllimet e tija kombëtare, patjetër në balllë i duhen rrugës për në Baba Tomorr: njerëzit e ditur, pas tyre vijnë të pasurit. Dhe, në fund populli.

Populli, që i ka me vete këto tre faktorë të rëndësishëm, a mund të ketë probleme për t’i realizuar qëllimet e tija shekullore historike? Jo. E them këtë se, një populli i duhen këto tre faktorë të rëndësishëm për Ditën e Nesërme.

E, a i ka populli shqiptar këto tre faktorë për të Ditën e Nesërme? Ende, jo. E them me plot gojën. E ka vetëm faktorin e tretë, popullin. Po, jo edhe njerëzit e ditur dhe të pasur, të cilët i prijnë në ballë popullit shqiptar.

Popullit shqiptar, në ballë duhet t’i pri Truri e jo B -ja e Madhe e shtypit. Fatkeqësisht, deri më sot (hiq Rilindasët), populli shqiptar në ballë e ka pasur B - në e Madhe të shtypit. E, jo Trurin. B -në e Madhe të shtypit e ke në Qeveri. B - në e Madhe të Shtypit e ke në Parti Politike. B -në e Madhe të shypit e ke në Ministri. B -në e Madhe të shtypit e ke gjithëkund: nateditë në internet, gazetat e tyre të “pavarura” partiake, debate televizive. B -ja e Madhe e shtypit ka edhe “Facebook -un” me më shumë klikime të regjistruar edhe me liderët e partive politike. B -në e Madhe të shtypit e duan partitë politike. E do Qeveria. E do Shteti “përbashkët”. Vetëmse, fatkeqësi kombëtare: B -në e Madhe të shtypit nuk e do vera, poezia. Dhe, gratë besnike.

Ditën e Madhe, kur ky popull legjendar do të ketë në ballë Trurin e jo B -në e Madhe të shtypit, besoj se nuk do të ketë probleme politike t’i realizojë aspiratat e tija shekullore brez pas brezi.

Edhe Manifestimin Kulturor Tradicional Ndërkombëtar: TAKIME NËN RRAP, ne e organizojmë vite me radhë plot vështirësi materiale, politike e policore, falë vullnetit madh të poetëve. Fuqi mendore kjo, në ballë të popullit, që më së shumti është goditur në këtë kohë “demokratike” nga B -ja e Madhe e shtypit.

E, për sa u përket Partive Politike Shqiptare, Ministrisë së Kulturës në IRJ të Maqedonisë, ky Manifestim Kulturor Tradicional Ndërkombëtar, është përpjekur të ngulfatet moti kohë, në Shkup. Shkaku, se: e ka rrokur për fyti me të dyja duart B -ja e Madhe e shtypit te pragu i Derës Madhe të Shtëpisë.

Megjithatë, ne jemi poetë që kemi dalë në ballë të popullit. Vërtetë, na e keni mbyllur derën, edhe dritaret, po ne jemi edhe kaçakë mali që dalim nga oxhaku. Nuk lejojmë që ky Manifestim Kulturor Tradicional Ndërkombëtar, që e futi i pari vargun shqip edhe në kohë të vështira lufte para tytave të tankeve në Çarshinë e Bit - Pazarit (1997, 2001), rrëzë Kalasë Dardane në zemër të Shkupit një autobus me poetë me targa TR, të shuhet për tekat e dikujt me brekët ende nëpër këmbë dhe partive politike që na e sjellin koçinë nga malet pa Nuse në Katund.

Për inatë me forcat tona, ne do të vazhdojmë t’i mbajmë dy manifestime kulturore, njëri pas tjetrit: TAKIME NËN RRAP, në Shkup dhe Ditët e Humorit dhe Satirës: XHA DERALLA, në Kërçovë. E qartë, ne u tregojmë atyre partizanëve të partive politike me brekët nëpër këmbë, që e nëpërkëmbin arsimin dhe kulturën shqiptare, dimë të veprojmë edhe ndryshe: i shpallim luftë me poezi në fushën e mejdanit B -së Madhe të shtypit.

Truri, patjetër duhet të jetë në ballë të popullit shqiptar. E, jo B -ja e Madhe e shtypit. Fatkeqësisht, te ne paguhet me para të thata B -ja e Madhe e shtypit e jo Truri. Qesharake, ë?! B -ja e Madhe e shtypit të vlejë më shumë se Truri Shqiptar! E pabesueshme! Kjo nuk ndodh askund në botë, në shtetet demokratike. Po, ja që ndodhë tek ne ballkanasit e vjetër, në IRJ të Maqedonisë. Popujt, që e kanë përzier nëpër shekuj edhe gjakun, pjellin melezë pas porte edhe në Ditën e Sotshme Historike.

Halli?! Halla, do burrë! Në rregull, e kush do të ishte burri?! Natën e Madhe ta fusim me këngë Nusen në dhomën e Dhëndërrit. Cucat pas dere copë-copë t’i bëjnë dajret. Im Atë edhe një herë të zgjohet nga varri, nxjerrë mauzerrin nga hatullat dhe tymeflakë shti në Zogkeqin që na ndjellë kob, këndon pasmesnate mbi çati këngë vdekjeje.

Dhe, më pyesin “miqtë” e mi, ku e kam vendin e punës. Qeshë. U përgjigjem: në Tavernë, nën Rrap. Faj, nuk u kam se mua më do vera, poezia. Dhe, gratë besnike. E ato i do Partia. Qeveria. Shteti i “përbashkët”. I ka dënuar edhe vetë Zoti, në podrume. Natë e ditë ua shuan dhe ndez dritat të dalin në sipërfaqe, mbi tokë. Përmes të vdekurve mëkot u dërgon shenja rruge, Yllit të mëngjesit. Diellit t’i dalin për mejdani. Natës, që i ka kapur në grusht. Mureve, që i shtrëngojnë natë e ditë mes bërllokut. Hënës, kur del mbi mal pas mesnate. Pulës me zogj në qiell, që e thërret Gjelin të hip në gardh. Heret, ende pa zbardh drita, ta thirrë me këngë agimin. Diellin, që zbret dhiareve më këmbë nga Çelëvjollca.

Tekefundit, ne bëjmë luftë kulturore me poezi: Truri me B -në e Madhe të shtypit, brez pas brezi është në paqe me B -në e Madhe të shtypit. Të mos keqkuptohemi, ne bëjmë luftë me tru dhe penë. Vdesim në fushën e betejës me armë në dorë. Ringjallemi. Tri Zana na jepin gji mes maleve. Fuqi për luftë heroike me penë.

Përfundimi: Truri e vazhdon luftën me B -në e Madhe të shtypit. Patriotët e vonuar të arratisur nëpër parti politike e kanë gjetur Lëmë. E në Lëmë sot e fshi bereqetin edhe Kali Shemës edhe Gomari. E rëndësishmja është, se: Kali i Shemës dhe Gomari nuk e fshijnë dot lëmën. Era nuk fryen nga malet e Drenovës për ta hedhur grurin në ajër me tërplote Nana, maxhatorja me duart në maxhe ta shtrojë bukën në sofër. Aqmëpak, nga Baba Tomorri. Nusja me pashterkë të kuqe, pastrojë grurin nga egjëra dhe byku. Halli?! Halla, edhe kësaj radhe, përsëri do burrë mejdani me mustqet vesh më vesh. Këmbëkryq, ulur tek oxhaku. Struken hedhur krahëve. Sahatin me çystek përqfe. “Nagëntin” në brez.

O burra e gra shqiptare, nxirreni me dajak dushku Gomarin nga Lëma e Shtëpisë! Edhe Kalin e tredhur të Shemës pa shalë, se: na latë gjithë jetën si popull shqiptar pa kokërr gruri, në hambarë! Bukë në maxhe për Dimërin e Madh!...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat