Martirët e Dukagjinit

Opinione

Martirët e Dukagjinit

Nga: Gani Mehmetaj Më: 23 maj 2017 Në ora: 06:21
Gani Mehmetaj

Dy vjet para se të ikte në theqafje Perandoria Turke, nizamët e përbërjes orientale: turq, arabë, tatarë, çerkezë, turkmenë, azerë etj.,  bënë masakra në katundet e Gjakovës e të Pejës që t'i konvertojnë shqiptarët katolikë në myslimanë. Edhe ditën që po tërhiqej ushtria turke bëri masakra të papara ndaj shqiptarëve myslimanë e katolikë, dogji qindra katunde në Rrafshin e Dukagjinit, duke e përgjysmuar popullatën e duke e rrënuar ekonominë vendëse. Nuk e patën vështirë pastaj ushtria serbe e malazeze ta pushtonin Dardaninë, sepse Turqia ua përgatiti terrenin. 

Serbia e Mali i Zi nisën fushatën e gjerë të konvertimit të shqiptarëve katolikë e myslimanë në ortodoksë serbo-malazezë. Ata që nuk pranonin i vrisnin menjëherë në sheshin e katundit a të qytetit mu si bënin dikur turqit kur i konvertonin arbërorët katolikë në myslimanë. Ushtria vrastare serbo-malazeze vrau mijëra shqiptarë katolikë e myslimanë që nuk e pranuan fenë e serbëve e të malazezëve. I vrisnin edhe ata që nuk e hiqnin plisin (qeleshen) shqiptare për ta zëvendësuar me "shajkaçen" serbe a "kapicën" malazeze. 

Pesë ditë pas rënies së Jugosllavisë dhe shpartallimit të ushtrisë së tyre, mbetja e kësaj ushtrie, kryekëput serbo-malazeze, më 11 prill të vitit 1941 mblodhën e masakruan shtatëdhjetë shqiptarë katolikë të Bishtazhinit e të katundeve përreth. Një herë i ngujuan në xhaminë e Rogovës së Hasit, por pastaj, sikurse rrëfen Marjan Oroshi, historian, kriminelët e uniformuar serbë, i vranë në mënyrë mizore me bajoneta shqiptarët e lidhur. Një banor vendës, derisa po kthehej nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak të shtetit që u shpartallua, ushtarët serbë e kapën dhe e futën në kolonën e katundarëve, e pushkatuan me të tjerët, rrëfen z. Oroshi.

Historiani nga Bishtazhini na i dha emrat e të vrarëve me të gjitha shënimet përcjellëse, sipas dokumentit nr. 221 (3) (i shqipëruar).

Njëri nga dëshmitarët e kësaj masakre, Dom Luka, prift kroat, që shërbeu në famullinë e këtushme, i shënoi këto krime në gjuhën latine. Në shënimet e Dom Lukës, na tregon historiani Oroshi, prifti katolik e theksonte se terroristët serbë vranë shqiptarët katolikë nga urrejtja patologjike që kishin ndaj kombit e fesë së tyre. Martirët ishin nga disa katunde.
Ushtria serbe ia mbathi e frustruar që nuk i bëri asnjë rezistencë ushtrisë gjermane, por qyqarllëkun e paaftësinë e vet e zbrazi mbi banorët e pambrojtur shqiptarë katolikë. 

Kur hyri ushtria serbo-malazeze për herë të dytë (1945) dhe mori sërish administratën, tregon Marjani, zyrtarët, pushtues të padijshëm e të paarsimuar, nuk e kuptuan gjuhën latine, prandaj nuk i dogjën shënimet e priftit kroat, ku ishin të regjistruar krimet e ushtrisë serbe ndaj shqiptarëve katolikë.

Të shtatëdhjetë martirët e kanë pllakën përkujtimore afër Kishës së Bishtazhinit. Dom Luka, prifti katolik kroat, që shërbeu në këto katunde, e la testamentin që varrin t'ia bënin afër martirëve të Dukagjinit.

Ushtria serbo-malazeze bëri krime të shëmtuara, duke lënë shumë të vrarë në këtë krahinë para, por edhe gjatë tërheqjes më 1999. Qindra varre janë dëshmi e këtij gjenocidi.

Me turqit dhe me serbët na ndajnë varret e mijëra shqiptarëve të vrarë, shumica e të cilëve fatkeqësisht nuk kanë përkujtimore e lapidare, kujtim i një okupimi mizor.

Por se si me vjen kur dëgjoj a lexoj për grupe turqish e serbësh që kthehen kohë pas kohe në vendin e krimit. Shpesh kam menduar: athua si e ndjejnë vetën kur kalojnë nëpër Dardani: turpërohen për mizoritë e të parëve të tyre, mburrën me heroizmat e osmanëve sypatrembur e trimave serbë ndaj popullatës së pambrojtur, apo nuk i kujtojnë fare. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat