Kosova po pjekët

Opinione

Kosova po pjekët

Nga: Faton Mehmeti Më: 25 tetor 2017 Në ora: 12:53
Faton Mehmeti

Zgjedhjet në Kosovë u mbajtën në një atmosferë të qetë, edhe pse ky shtet i brishtë nuk do të na çudiste nëse do të përgatiste skenarë të ndryshëm, sikur më përpara gjatë votimeve. Ajo çka është me rëndësi është se zgjedhjet tek elektorati shqiptar dëshmuan se shqiptarët kanë vlera, potenciale dhe qytetari të lartë, kur partitë politike të tyre besatohen se do të udhëheqin fushatë të qetë, si dhe kur nuk i lënë hapësirë shërbimeve të huaja që të implikohen gjatë fushatës parazgjedhore dhe gjatë zgjedhjeve. Ngritja e vetëdijes së qytetarëve ka detyruar edhe partitë politike, që të ndryshojnë konceptin e të bërit fushatë, duke u fokusuar atë më tepër tek qytetari. Zhvendosja  nga epiqendra e politikanëve duke vendosur më tepër qytetarin në qendër të vëmendjes, si subjekt legjitim që të jep të drejtën përmes votës për të udhëhequr, ka ndikuar ndjeshëm ne ndryshimin e roleve. Këto role faktikisht ishin përzier pas lufte, nga euforia e krijuar. Krejt kjo ishte e kuptueshme në një vend të pa mësuar me demokraci dhe të bërit politikë. Gjithsesi tani që Kosova ka një traditë të zgjedhjeve dhe politikës, qytetarët kanë kuptuar rolin e tyre dhe të politikanit, te parit si shërbyes, dhe jo mbret. Deri sot  qytetarët kanë votuar “shabllon’, duhet të provojmë të dalim jashtë kornizave tradicionale, që si pasojë kemi vepruar edhe në votën që kemi dhënë deri  më sot. Tradicionalisht si popull njihemi se ka folur “I zoti i shtëpisë” dhe ka vendosur për të gjithë anëtarët e familjes ani pse motra ose vëllai i vogël ka pasur ide të qarta për një punë të caktuar, përgjigjja e tyre ka qenë “ata nuk dinë, janë të vegjël”, E këta të vegjlit  shpeshherë e kanë dëshmuar se dinë dhe duan, kanë ide dhe qëllime të qarta dhe të caktuara. Të rinjtë kanë filluar të përdorin votën si fuqi të tyre për të ndryshuar shtetin. Zgjedhjet mbaruan, dikush doli e dikush s’doli, përqindja e votuesve thanë të jetë 43. Për dikë e madhe për dikë e vogël. Për dikë e pritur e për dikë e papritur. Gjithsesi Kosova ka filluar të ndryshoj hartën politike të partive, e të cilat dështon apo do të ndryshojnë qasjen ndaj qytetarit. Përkundër kësaj  mos reformimi i brendshëm i partive politike nuk do të lejojë edhe ndryshimet në shoqëri dhe rrjedhimisht nuk do të mundësojnë ndryshime thelbësore.

Por qytetarët në këto zgjedhje kanë ndryshuar pak a shumë mënyrën se si votojnë, nga fokusi që ishte me herët tek partia, tanimë qytetarët votojnë kandidatin duke thyer të gjithë skemat e partive . Kjo  do i detyroj partitë politike qe edhe në të ardhmen, të propozojnë kandidat kredibil, me autoritet dhe të pranueshëm për qytetarët.  Kështu edhe partitë politike do të reformohen, por edhe qytetarët do të kenë përfaqësues më të dinjitetshëm se deri tani. Zgjedhjet e 22 tetorit kanë shënuar kthesë të medha në ndryshimin rrënjësor të votimit ndaj kandidatëve, duke mënjanuar stemën e partisë. Qytetarët ndëshkuan atë qe nuk kanë punuar, dhe i’u vazhduan besimin atyre qe i mbajtën  premtimet. Kjo është fuqia  votës, kjo është qytetaria qe i duhet Kosovës. Një hap i madh drejt demokracisë, më në fund Kosova  po tregon se ka filluar të pjekët politikisht, fal qytetarëve të cilët kanë filluar të jenë më pragmatistë në votim, se sa emocional.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat