Qytetaria e korruptuar

Opinione

Qytetaria e korruptuar

Nga: Fadil Lepaja Më: 25 tetor 2017 Në ora: 15:01
Fadil Lepaja

Një qytetar amerikan duke biseduar në rrjetat sociale, me një qytetar nga Koreja e Veriut, e kishte pyetur atë se si po jetonte në vendin e tij të përfolur shumë për dashurinë e pafund në mes të popullit dhe udhëheqësit të tyre të pa gabueshëm. Ky, koreani pra, menjëherë, pa u menduar fare  i ishte përgjigjur, se nuk mund të ankohet.  Qytetari amerikan, i mësuar të shprehet lirshëm, e kishte  fjetur mendjen, se miku i tij ishte rehat. Ai ishte një qytetar i zakonshëm , i cili po bisedonte me mikun e tij virtual për hallet e jetë, dhe nuk po bënte politikë. Nuk ishte kurrfarë  agjenti i FBI, sikur ky i yni, që na erdhi këto ditë në ndihmë të kryeministrit Rama, thënë me eufemizëm, për të hetuar telashet e qytetarëve me shtetin. Edi, qysh e dimë, diqysh ka mbetur në mes. Në mes shtetit e partisë, në mes popullit dhe mafisë. I ka hipur kalit të çmendur, dhe shumëkush po thotë se edhe kalorësi nuk është aq mirë nga trutë. Sidomos portalet, të cilat ai i do dhe i shanë aq shumë.

Në fakt, qytetari ynë, andej e këndej bjeshkëve të nëmura, toponim ky i shkruar me shkronjë të vogël, ka shumë halle, po ashtu me  (pu)shtetin, por të një natyre tjetër. Ky i yni, këndej dhe andej, i ka punët më mirë, sepse ky mund të ankohet. Jo se ka ku, të ankohet,  apo jo se ka ndonjë dobi konkrete nga kjo ankesë, por sido që të jetë, mund të flas dhe bërtas sa të ja dojë qejfi.  Qytetari ynë, të sharat, janë sport nacional dhe  nuk i ndalë asnjëherë, qoftë në rrjet e qoftë në kafenetë e lagjes ku duke pirë raki të lirë, apo qaj të rëndë rusi, shfryhet , e shfryhet, për të  arritur sado pak të jetë në gjendje për të u përballur me ditën e re. Shaj dhe merr vëmendjen publike. Sa më rrugaç, aq më “in”!

Ka edhe një dallim të madh, mes nesh dhe qytetarit “fatlum” nga Koreja e Veriut,  sepse te ne mund të shash sa të duash, edhe udhëheqësin e madh, i cili për dallim prej “Kim-it”, te ne, këndej dhe andej,  nuk është i pagabueshëm, madje me automatizëm është i gabueshëm, sepse nuk zgjidhet dot në krye të shtetit nëse nuk është shumë i gabueshëm. Edhe te ne është një model, pak a shumë si në Amerikë, por te ne ai është krejtësisht joformal. Vota popullore, pra, nuk të zgjedh me automatizëm.

Për të sharë, po, e shanë , cilindo, dhe nuk të mungon as fija flokut. Të shajnë edhe ata ty, edhe ti ata prapë. Kështu populli e humbë fijen dhe idenë e fajit, edhe marren. Mund të bësh me lemzë secilin politikan. Edhe ty mund të kapë lemza.

Pra, kemi qëlluar me fat që jetojmë në Evropë, të cilën dikur të parët tanë e quanin prej dashnije “kurva plakë”, mirëpo tash kur Evropa është një (apo dy), ato arsye vështirë se mund të jenë të pranueshme politikisht. Evropa na ndau, Evropa, si duket edhe do na bashkojë. Edhe Amerika. Tash e quajmë “nënë”, edhe pse nuk jetojmë ende në Evropë, sepse  vet fjala “nënë” tash nuk ka më vetëm kuptim gjeografik, apo biologjik, por ka kuptim politik. Mes nesh ka vetëm kufij politik.

Specifika jonë është se kufijtë e Evropës, janë të pakalueshëm, për ne qytetarët, pa kaluar kah trafiqet, dhe këtu dalim te arsyet kryesore, që i përmendëm më herët përse nuk i shanë dot, disa. Këtu vjen edhe ajo pjesa kur gjithçka komplikohet. Shteti, trafiqet, mafia perceptohen të janë ulur këmbëkryq, te sofra e parë. Populli nuk ha më në sofër, por ushqehet më këmbë.  Këtu vijmë te pjesa kur, pasi trafiqet, krimi nuk njeh kufij, edhe antikrimi po merr përmasa të tilla. Jemi internacionalizuar si çështje. Po merret bota, me ne. Na pyet miku, në kemi ankesa, por ne, shyqyr,  nuk kemi. Përse ta lodhim mikun me ankesa! Dikush po spekulon se miku i madh i cili erdhi këto ditë, ka kërkuar sikurse edhe në Serbi, të ndalohet qaji i rusit, të cilin disa , sipas qarqeve inteligjente, edhe pse ka dalë ka kohë prej mode, po e pinë tinëz. Në Serbi, miku im madh, thënë në mënyrë metaforike,  i përmendi karriget dhe la të kuptohet se për këndvështrimin amerikan, një prapanicë është vetëm për një karrige. Te ne puna është më e komplikuar, sepse çajin e rusit, e solli tjetërkush, dhe veç zoti e di se si i mbeti ky emër.

 Pra, nuk mund të ankohemi. Jo se nuk mundemi,  por nuk duam. Nëse ankohesh, të bëjnë dëshmitarë të mbrojtur. Nëse je dëshmitar i mbrojtur, në fakt del se je i pambrojtur. Prandaj, nuk ankohemi, mik! Na çlironi, sërish, pa ndihmën tonë. Ne edhe ashtu jemi mësuar me ta dhe nuk po na pengojnë. Pastaj, mik i dashur, shteti nuk ka faj, këta e kanë korruptuar qytetarin. Jo vetëm qytetarin, por edhe qytetarinë! Qytetari pastaj dërgon përfaqësuesit e vet në (pu)shtet. Kështu rrethi mbyllet.

Pastaj, ne këndej , bjeshkëve të nëmura, qysh e dini, jetojmë pak më ndryshe. Jemi në geto. Krejt kjo, me  fajin e  stërgjyshërve të cilët, për hatër të padishahut,  dikur e shanin Evropën, dhe ajo na e mori inat.

E di se lexuesi i vëmendshëm, i preokupuar me drejtshkrimin do më “shaj” sepse toponimin bjeshkët e nëmura, e kam shkruar tërë kohën me shkronjë të vogël, por për mua ato me të vërtetë janë vetëm bjeshkë të nëmura dhe pikë. Nuk janë toponim. Janë gjeopolitikë. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat