Muçi pas dajive

Opinione

Muçi pas dajive

Nga: Enver Bytyçi Më: 28 tetor 2017 Në ora: 22:26
Enver Bytyçi

Mustafa Nano, perveçse për Skënderbeun, shkroi një opinion të tijin edhe për Azem Hajdarin. Thotë se e ka takuar shumë herë, se “e njihte” heroin e demokracisë dhe se “Azem Hajdari nuk ishte për punë zyre”, madje se ai “ishte një njeri çfarëdo, i zakonshëm”! E lexova me vështirësi atë opinion të Muçit “të famshëm”, sepse është torturë ta lexosh atë! Por dëshira ime për të shkruar një realitet ndryshe nga ai që përcepton Nano u detyrova ta lexoj, madje me vëmendje.

Eshtë e kotë të kërkosh për të gjetur te opinionet e Muçit ndonjë fakt, ndonjë argument, ose ndonjë sintezë që vjen prej disa të dhënave që lidhen me njëra-tjetrën. Thjesht gjen broçkulla, nga ato që ai di t’i shkruajë thjesht për shou, jo për të dhënë ndonjë mesazh dhe jo për të bindur ndonjë të parrjeshtuar në grupin e tij militantesk. Edhe shkrimet militanteske e të njëanshme, kur sillen te lexuesi përmes rrjedhës logjike, ose përmes fakteve e argumenteve kanë vlerë. Ndërsa shkrimet e Mustafa Nanos janë kashtë. I tillë e madje kashtë e bluar keq ishte opinion i tij për Azem Hajdarin.

Ai thotë se e ka takuar heroin para vitit 1994, por nuk thotë se kur ka ndodhur takimi i parë, çka të le përshtypjen se duhet të ketë ndodhur po atë vit. Dmth nuk do ta ketë njohur dhe kontaktuar në dy periudhat më të dhimbshme të historisë së gjysmës së dytë të shekullit të kaluar në atë të shembjes së komunizmit e në vitin e mbrapshtë 1997. Por kurdo e kushdo ta ketë njohur Azem Hajdarin është befasuar me guximin e tij, me qartësinë e tij në ide, qëndrime e veprime, me patriotizmin e tij të pashoq, me vendosmërinë që kishte për të mbrojtur identitetin dhe personalitetin e tij si politikan, si aktivist, si lider! Një nga politikanët më me integritet në historinë e këtij vendi.

Çfarëdo të thotë Muç Nano, Azem Hajdari ishte dhe mbetet kolos për kohën që e jetoi. Por Muçi i komplekksuar për paplotshmërinë e tij përpiqet t’i rrëzojë kolosët. Mesa duket ka kompleksin e shkurtësisë përballë tyre, ruan kompleksin e inferioritetit dhe për këtë arësye i duhet t’i ka marrë një e nga një heronjtë e Shqipërisë për t’i zhveshë nga madhështia që kanë, nga virtytet dhe trashëgimia që na kanë lënë. Prej Skënderbeut deri te Azem Hajdari. Ndërkaq kam përshtypjen se ai bën gjithashtu një shërbim të caktuar: Si bashkëpunëtor i medias serbe mesa duket paguhet ta zhbëjë identitetin e shqiptarëve.

Dikush do më thotë se jam paragjykues. Por e vërteta është se mediat serbe, në dijen time, kanë bashkëpunuar rëndom në këto dy dekadat e fundit me autorë si Mustafa Nano, sepse tek këta kanë mundur të gjejnë “shqiptarin e ndershëm”, “shqiptarin e mirë”! Dhe Muçi është një prej tyre, madje më aktivi në këto kohë! Shërbimi i mirë, pagesa e majme për shqiptarët proserbë! Ky është rregulli që ka përcaktuar Vaso Çubrilloviç në memorandumin e tij për shpërnguljen e shqiptarëve nga Kosova.

Por Muçi ka zgjedhur gjithashtu që me një gur të vrasë dy zogj dhe të bëjë njëkohësisht dy shërbime. “Zogjtë” që i “vret” Muç Nano në atë koment pa thelb, janë Azem Hajdari e Sali Berisha, tangent edhe Lulzim Basha. Shërbimi që bën ai lidhet me Beogradin dhe “miqësinë” e ngushtë të zotit Rama me qeverinë dhe presidentin e Serbisë.

Tezat e Muçit gjejnë jehonë e përkrahje, si dhe pëlqehen vetëm në këto dy qendra. Dy “liderët ballkanikë”, Rama dhe Vuçiç, sipas gazetës austriake “Standard” kanë një projekt, të mbarsur me “ëndërrën” e madhështisë në raport me liderët paraardhës të tyre në të dy vendet. Kanë shpallur “Serbinë e Madhe” dhe “Shqipërinë e Bashkuar”. Serbia e Madhe tashmë është e skicuar qartë dhe përfshin brenda saj Republikën Srpska, veriun e Kosovës e veriun e Maqedonisë. Shqipëria “e bashkuar” do të ishte kështu plaçkë për oreksin e Vuçiçit, sepse ajo që mundet Rama të bashkojë nuk përbën as një të tretën e territoreve të saj. Vetëm se duhet të ngushëllohemi me faktin se Ramës I ka mbetur vetëm Muçi në Shqipëri dhe Batoni në Serbi!

Ne në malësi dikujt që serviloset e përshtatet në të keqen me dikë tjetër, kur ky dikushi zvarritet si vemje e ngjitet pas këpucës së dikujt që bën punën e djallit, ia kemi vënë emrin përmes shprehjes “Si Muça pas dajisë”! Muçi ka dy daijë, të cilëve u shkon pas, dhe u është ngjit pas këpuce: - Një në Beograd dhe një në katin e dytë të godinës së kryeministrisë së Shqipërisë. Në zvarritjen që bën pas tyre, përpiqet të hedhë baltë mbi Azem Hajdarin. Nuk e përtyp faktin që Azem Hajdari është një legjendë dhe ishte një nacionalist i klasit të parë, një personalitet që i doli zot rinisë dhe Shqipërisë në kohët më të vështira të saj. Ndaj që dajitë e tij të duken të mëdhenj i duhet të rrëzojë heronjtë e derisotëm! Ky është misioni i Mustafa Nanos, por mos e merrni seriozisht sa e mora unë në këtë lloj replike!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat