Populli shqiptar në Maqedoni do ta vazhdojë betejën për të drejta dhe liri

Opinione

Populli shqiptar në Maqedoni do ta vazhdojë betejën për të drejta dhe liri

Nga: Abdulla Mehmeti Më: 30 tetor 2017 Në ora: 12:29
Abdulla Mehmeti

Në zgjedhjet e fundit vendore në Maqedoni, nuk kanë humbur Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja Besa dhe forcat e reja politike, as kanë fituar BDI dhe PDSH, por ka humbur kolaicioni OBRM-PDUKM dhe ka fituar koalicioni Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, i përkrahur edhe nga një numër i madh i shqiptarëve të cilët i besojnë konceptit qytetar të shtetit dhe nuk janë të preokupuar me çështjen e pazgjidhur shqiptare në Maqedoni.

Në rajonet, komunat dhe vendbanimet shqiptare beteja është zhvilluar mes shqiptarëve me vullnet dhe përkushtim për ndryshime e reforma dhe shqiptarëve të etshëm vetëm për pushtet, që dëshirojnë ta mbajë këtë popull edhe më tej nën sundim, pa liri dhe të drejta, si pakicë kombëtare të nënshtruar!

Qytetarët shqiptarë, si asnjëherë më parë e thanë fjalën e tyre në mënyrë të guximshme e plebishitare, se janë për ndryshime e reforma, për më shumë liri dhe të drejta. Mos i akuzoni dhe zhgënjeni qytetarët, përkrahësit dhe mbështetësit tuaj! Populli që din t'i rrezistojë makinerisë së fuqishme propaganduese, shantazheve dhe kërcënimeve, pushtetit me të gjitha strukturat e tij, meriton të ardhme më të lumtur! Këtë ua kanë borxh udhëheqësit e subjekteve politike, forcat progresive, klasa intelektuale dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë, përkrahës të çështjes së pazgjidhur shqiptare në Maqedoni.

Në një betejë të padrejtë nuk humbet lufta, meqë kjo luftë e mundimshme dhe me shumë sakrifica zhvillohet me dekada, ndërsa tani ka ardhur koha e ndryshimeve të madha. E drejta dhe e vërteta do të fitojë, drita mbi errësirën, e mira mbi të keqen, drejtësia mbi korrupsionin dhe krimin, e vërteta e mbuluar me mashtrime, e heshtur dhe kamufluar me patriotizëm të rrejshëm, për gjendjen reale të shqiptarëve në Maqedoni.

Këtë luftë do ta fitojnë shqiptarët meqë rrugë tjetër nuk kanë; sapo t'i bashkojnë forcat dhe dijen, ta kuptojnë se kjo betejë nuk ka nevojë për udhëheqës që e kanë preokupim të vetëm ardhjen e tyre e në pushtet, por lirinë dhe të drejtat e nëpërkëmbura të popullit që e përfaqësojnë; ta kuptojnë se shqiptarët nuk kanë nevojë vetëm për liderë politikë, por për mendimtarë, ideologë dhe strategë që do t'i hapin shtigje të reja dhe sigurojnë rrugën e vërtetë të shpëtimit dhe fitores; se kauza e shqiptarëve në Maqedoni nuk janë interesat individuale, grupore dhe partiake, por të drejtat kolektive, qytetare dhe kombëtare, çlirimi i nga kthetrat e pushtetit të kapur nga korrupsioni dhe krimi, nga nëntoka kriminale dhe mafia politike aktuale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat