Hetemi apo sistemi?

Opinione

Hetemi apo sistemi?

Nga: Fadil Lepaja Më: 25 prill 2018 Në ora: 11:05
Fadil Lepaja

Hetemin, po e njihni! Mbetet, të flasim pak edhe për sistemin, për ta kuptuar se “kush” është kush në këtë kolumne. E kam fjalën për sistemin shëndetësorë, pikërisht atë për të cilin po ankohemi të gjithë. Nuk është si në Evropë!

Hetemi, po e sfidon sistemin. Nuk po e sfidon vetëm sistemin tonë, por edhe atë evropian dhe global.  Pak a shumë, i bie se, para syve tonë, pikërisht nëpër emisionet më të shikuara të humorit ndër ne, ato me “O2” e me “Xing”, po shpalosen banderolat e një revolucioni kulturor, të përmasave globale. Si zakonisht, ne jemi publikë, “Sui generis”! Tash e tutje, çdo revolucion fillon në Kosovë,  ashtu si filloi edhe rebelimi ynë global, që u mbyll me bombardimet e NATO-s. Ishin bombardimet e para, të NATO-s, mbi një shtet sovran.

Pas kësaj, bombardimet, me motive humanitare, u bënë udhë. Falë zotit, bombardimet ndodhën dhe  ato na e sollën lirinë, edhe pse  disa dashakeq, po thonë se ato e sollën edhe tumorin, i cili nga paslufta mund të ketë vrarë më shumë njerëz se vetë lufta. Sidoqoftë, industria shëndetësore, me theks të veçantë ajo farmaceutike, pas lufte ka lulëzuar ndër ne si asnjëherë më parë. Lulëzoi edhe kemioterapia, armiku më i madh, i Hetemit. Askënd nuk e shanë më shumë, Hetemi, se  kimioterapinë, e cila siç thotë ai, po i vret njerëzit më shumë se tumori. Mjekët, thotë ai, vazhdojnë të vrasin pacientët. Nuk e dinë, çfarë bëjnë, mjekët! Hetemi, thotë, se industria farmaceutike është biznesi më i madh pas naftës, në përmasa globale. Ajo nuk i prodhon veç ilaçet, por ai i prodhon edhe sëmundjet. I krijon, ato nga hiçi! I sëmurë pastaj i vret me ilaçe!

Pra, kush është Hetemi, dhe “kush” sistemi, në këtë kolumne, po pyesni, ju!  Hetemin, pra, e njihni të gjithë! Nuk ka, anembanë trojeve etnike, televizion të rëndësishëm,  as emision të shikuar, nga ata të humorit apo ata që janë më serioz se kimioterapia, ku ai nuk ishte kohëve të fundit. Atje shkoi,  apo më saktë, përmes tyre erdhi deri te ne, me mision,  për të përhapur zjarrin e revolucionit të tij, shkencor dhe shëndetësor, e mund të thuhet edhe kulturor, sepse ushqimi është kulturë. Ndërkaq, shëndeti, si thotë ai është në zorrë, pra është ushqim. Ne jemi, ajo çka hamë, thotë Hetemi, dhe jo vetëm Hetemi!

Ndërkaq, këto ditë, sistemi, kryesisht heshti, derisa Hetemi po e kritikonte rëndë, dhe po e shpaloste, (jo) pa modesti,  idetë e tij të cilat gjithqysh do të i ndryshojnë shqiptarët, e duke marrë parasysh prirjen shqiptare për tu bërë lajm global, kjo mund të nxis edhe reforma globale, e rrjedhimisht të shpëtoj njerëzimin nga vrasësit modern, të  veshur në mantela të bardhë.

Sistemi, ka dështuar,  thotë Hetemi! Vendin e sistemit, do ta zërë Hetemi, sepse ai ka përgjigje, për problemet shëndetësore të qytetarëve, sidomos për telashet e tyre të ëmbla, me sheqer, të cilën ai me të drejtë e konsideron sëmundje mbi sëmundjet, pak a shumë si nënën e të gjitha sëmundjeve. E kush nuk e do të ëmblën, o Hetem, në cilëndo formë që të paraqitet, ajo?

E dini atë rrëfimin për një të marrë, i cili e kishte bërë zakon të hante sheqer, kudo që gjente. Kur ankoheshin të tjerët, gjithnjë dikush e mbronte atë, duke u  thënë: ”mos e ngisni, se është i marrë” .

 “Nëse është i marrë, përse  nuk ha, krip” komentonin me thumb, njerëzit. Por, Hetemi thotë, se sheqeri është pak a shumë, një armik, edhe pse ai nuk e parapëlqen luftën e klasave në mes të ëmblës dhe shijeve të tjera.

 Sistemi shëndetësor, gjithnjë sipas Hetemit, ka edhe njësitë e veta speciale, që janë mjekët dhe farmacistët. Ai konsideron se mjekët dhe farmacistët, pak a shumë janë  vrasës serik, që vrasin më së shumti njerëz në kohën tonë, madje më shumë edhe se luftërat.  

Nuk po flasim vetëm për sistemin tonë të shëndetësisë, sepse aspak nuk është e nevojshme të jesh Hetem, për të kuptuar se ka dështuar ky sistem. Mjafton të jesh pacient. Mund të jesh edhe i shëndoshë si molla, dhe ta kuptosh, se sistemi të sëmurë, sapo paraqitesh në sportel, ku të presin tre-katër veta, të cilët të marrin shënimet, duke shkruar me laps, të kontrollojnë dokumentet dhe nuk të lënë as të vdesësh derisa nuk i jep edhe të dhënat e fundit.

Derisa, në sportele nuk mund të lëvizësh nga personeli i tepërt, që merret me thashetheme dhe u nxin jetën pacientëve, nëpër spitale nuk lëvizë dot, nga familjarët të cilët me ndërrime, kujdesen për të afërmit e sëmurë, dhe i ndërrojnë, i pastrojnë dhe ua sjellin barërat, nga sistemi barnatoreve përreth spitalit, përfshi edhe barërat esenciale.

Ky është sistemi, ynë shëndetësorë, aktualisht, pak a shumë një mekanizëm torture, për qytetarët të cilët kryesisht e përballojnë me stoicizëm sëmundjen deri në topitje të plotë dhe derisa të pranohen në trajtim të përhershëm nga armata e mjekëve dhe farmacistëve. Spitalet publike janë pra ai vendi, ku qytetarët shkojnë për të krijuar varësi nga barërat dhe për të u  bërë qiraxhi të përhershëm të sistemit shëndetësorë, të cilit pastaj, çdo muaj i paguajnë haraç dhe ankohen.

Pra, blejnë barëra, pa hesap. Vetëm nga një bar, kundër kolesterolit, si thotë Hetemi, industria farmaceutike globale, fiton rreth 60 bilion, ndërkohë që kolesteroli është miku më i mirë i njeriut, sipas tij!

“Nëse gabimet mjekësore do të trajtoheshin si një sëmundje, ajo do të ishte vrasësi tretë më i madh në Shtetet e Bashkuara”, shkruan Marty Makary, autori i studimit, nga më të fundit mbi vdekjet e shkaktuara nga gabimet mjekësore. Askush nuk e di se sa njerëz në fakt vdesin për shkak të gabimeve të mantel bardhëve. Dihet se, në disa raste, kur mjekët ishin në grevë, gjatë asaj kohe kishte rënë numri i vdekjeve në këto qytete. Bëhet fjalë, për të dhëna zyrtare nga qytetet  Tel Aviv dhe Mexico City! Natyrisht, kjo mund të interpretohet në mënyra të ndryshme. Mediat kryesore janë me industrinë.

Por, Hetemi, nuk flet për këtë lloj të vrasjes së pacientëve, nga mjekët. Hetemin e duan mediat, tona. Ai flet për vrasjet e qëllimshme, vrasjet për përfitime, nga ana e industrisë shëndetësore, farmaceutike, klinikave...! Ai është i bindur se koncepti i shëndetësisë oficiele, është krejtësisht i gabuar dhe vrastar. Ai është i bindur se insulina vret. Ai është i bindur se kolesteroli  nuk është armik i njeriut. Ai mendon se këto që kanë marrë emra sëmundjesh, nuk janë sëmundje, por janë gjendje që mund të tejkalohen me meditim dhe me ushqim, dhe se njeriu mundet dhe duhet të jetoj deri në 250 vjet. Pse, jo?! Kush nuk do të dëshironte. Aq më tepër, kur nëpër media, defilojnë edhe pacientët e shëruar, pasi janë shkëputur nga  barnat dhe nga trajtimi i sistemit.

Sistemi i cili shëron me ilaçe, vret, thotë, Hetemi! “Nëse i japim qelizës çka i duhet, s’ka nevojë për ilaçe”. Kjo tingëllon si formulë shpëtimtare, e Hetemin e bënë të duket  si   shpëtimtar!

Me të vërtetë, ashtu po duket, kur kemi parasysh se si duket dhe si funksionon  sistemi ynë shëndetësorë! Me të vërtetë, po ju them!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat