Zhgënjimi

Opinione

Zhgënjimi

Nga: Gani Mehmetaj Më: 16 maj 2018 Në ora: 08:53
Gani Mehmetaj

- Ditën më të keqe të jetës sime s’do ta harroj kurrë. M’u errësua horizonti, më humbën shpresat, m’u këputën këmbët. Po kjo? Më bëjnë sytë apo jam në ëndërr? Pyeta i skandalizuar. Sepse 77 ditë të jetës sime në një furrik pashë shumë ëndrra që më dolën zhgjëndrra dhe pashë shumë zhgjëndrra që më dukeshin ëndrra. Prisja hyrjen e trupave të NATO-s, kurse ata po festonin hyrjen e trupave ruse që parakaluan nëpër udhëkryq. Dikush nga kopeja e tyre lëshoi kushtrimin: - Po vijnë rusët! - ndërsa krismat e armëve nisën korin e tyre që nuk u ndërpre deri natën vonë.

Të parët policët e përhershëm, para shitores, e bjerrakohësit, i përshëndesnin me tre gishta e breshërimë kallashnikovi. Nuk vonoi e shpërthyen krismat, saqë i dridhen themelet e ngrehinës sonë. Një herë mendova se u futën trupat e NATO-s sikur të mos i shihja shenjat ruse në autoblinda. Gati më goditi infarkti.

Me t'u errur predhat filluan të ndriçonin qiellin. Shikoja nga tarraca e çatisë pa  e shpjeguar dot, çfarë po ndodhte? Nuk e kuptoja si mori fund në këtë mënyrë, sepse e binda veten që ata do të dorëzoheshin, do të kapitullonin. Tmerri më mbërtheu: do ta rrafshonin qytetin, do të vrisnin banorët e mbetur.   

Ka disa ditë që serbët shkrepnin kot më kot, natën e ditën, sidomos qëkur reshtën bombardimet. Tymi e flaka dilte nga disa shtëpi e lagje të qytetit. Era vinte deri në maje të çatisë. Ata po e digjnin periferinë e qytetit. Ndërkaq, me futjen e papritur të kolonës së motorizuar ruse, ata s'do të frenonin veten.    

Krisma pati gjithë natën. Nuk ma merrte mendja që kishte kaq shumë armatime e municion në qytet. Zbrazeshin armët e të gjitha llojeve që emrin nuk ua dija. Qyteti flakërohej nga krismat e shpërthimet. Më dukej si në  filmat vesternë, kur festat e gëzimet e bandave  kriminale që e kishin pushtuar qytetin organizonin orgji. Këto banda që shkrepnin sonte, qytetin e pushtuan shumë më herët, por i gëzoheshin forcimit të radhëve. Shkrepnin e festonin, pinin e çmendeshin. Sa s’më luajti kapaku i kokës.

Mendimi i parë që më erdhi ishte: të ketë përfunduar lufta? T’u kenë dhënë fund bombardimeve? Por kush fitoi? Sepse e dija që ata nuk fitonin dot. Pse festonin atëherë? I ndoqa krismat e festën e tyre pa e marrë vesh fitimtarin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat