Vettingu: “Pasuritë e grabitura popullit t’i rikthehen popullit”

Opinione

Vettingu: “Pasuritë e grabitura popullit t’i rikthehen popullit”

Nga: Fahri Dahri Më: 16 maj 2018 Në ora: 09:21
Fahri Dahri

II. Krijimi i kapitalit pas 1990-tës në vendin tonë

Ndërrimi i rendit ekonomiko-shoqëror, që ndodhi tek ne, në fillimet e viteve “nëntëdhjetë”, e gjeti sektorin e bujqësisë pa pronar. Gjatë viteve të qeverisjeve socialiste, toka ishte shtetëzuar dhe administrohej nga shteti nëpërmjet ndërmarjeve të ndryshme shtetërore dhe kooperativave bujqësore, organizohej, administrohej e drejtohej me ligjet e ekonomisë socialiste që, siç dihet mungonte konkurenca, inisiativa e lirë, nuk funksiononte ligji rregullues i tregut, kërkesa dhe oferta.

Kjo ishte situata në të cilën ndodhej sistemi tërësor i sektorit të bujqësisë. Pikërisht nga kjo situatë, përfituesi i vetëm u bë klasa politike, e cila nxorri ligje që favorizonin ngritjen e një klase pronarësh të tokave që do i shërbente klasës politike në dy drejtime, në atë ekonomik dhe politik.

Mos ralizimi i pronësisë ndaj tokave ka sjellë dhe sjell dëme të pallogaritshme, të cilat pengojnë në kryerjen e investimeve nga investitorë të ndryshëm vendas dhe të huaj. Ligjet e miratura për pronësinë e tokave, ishin ligje që nuk mundësonin zgjidhjen njëherë e mirë të të drejtave të pronarëve të vërtetë. Fakt i vërtetuar gjatë 27 viteve.

Nuk është as e panjohur dhe as e pakuptueshme rëndësia e zhvillimit të sektorit të bujqësisë tek ne. Sipas gazetës “Dita”, dt. 10 maj 2018: "Sektori bujqësor, i cili zë më shumë se 40% të punësimit dhe një të katërtën në PBB kufizohet kryesisht në operacionet e vogla familjare dhe në bujqësinë e ekzistencës, për shkak të mungesës së pajisjeve moderne, të drejtave të paqarta të pronësisë dhe ngastrat e vogla të tokës”, thuhet në vlerësimin e CIA për 2017.

Politika, nga kjo gjendje, ka përfituar politikisht me premtime të vazhdueshme elektorale dhe me tjetërsime pronash, mënyrë efektive në lindjen dhe zhvillimin e korrupsionit aktiv dhe pasiv, me shtrirje horizontalisht dhe vertikalisht në shumë institucione shtetërore.

Negativitetin  e veprimeve që kryhen në vendin tonë, e gjejmë të shprehur edhe nga institucione të huaja dhe që na bëhen me dije në gazetën “Dita”, dt. 10.05.2018, lexohet: “CIA vëren se kodet komplekse të taksave dhe kërkesat e licencimit, sistemi i dobët gjyqësor, korrupsioni endemik (tipik për këtë vend), zbatimi i dobët i kontratave dhe çështjet e pazgjidhura të pronësisë, si dhe infrastruktura e vjetruar kontribuojnë në mjedisin e varfër të biznesit në Shqipëri, duke e bërë të vështirë tërheqjen e investimeve të huaja”.

Klasa politike, krahas përfitimeve politike dhe ekonomike të arritura nga sektori i bujqësisë, ndihmoi edhe me anë të ligjeve në mundësitë e krijimit të kapitalit fillestar nëpërmjet privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore. Veç grabitjeve, vjedhjeve dhe shkatërrimeve që u lejuan në pronat shtetërore, u veprua qëllimsht në mos venien në funksionimi të tyre, masë e cila njëkohësisht goditi prodhimin vendas dhe çvlerësimin e aseteve. Me këto veprime i u dha mundësi subjekteve të caktuara, personave, grupnjerëzve pranë politikës, për blerje me çmime të papërfillshme. Kështu filloi të lindi një klasë pronarësh me kapital fillestar të siguruar në rrugë informale.

Pronarët e kapitalit fillestar informal, si efekt i mjeteve të kufizuara financiare, nuk mund të kryenin investime në fusha të rëndësishme të prodhimit. Me sipëmarrjet e tyre ata u drejtuan tek ato aktivitete që mund të siguronin mjetet fiananciare për kryerjen e investimeve. Ishte ky fakt që aktivitetet e tyre i shtrinë në fushën e ndërrtimit, duke patur garancitë e politikës e cila u siguronte sheshet dhe lejet e ndërrtimit, kundrejt përfitimeve të ndërsjellta. Burimet e financimit për këto sipërmarrje ishin të ndryshme, por permendim disa prej tyre:

a) Kapitali fillestar informal, të cilin e trajtuam.  

b) Kredi të buta bankare, sipas afërsisë me politikën. Më pas u trajtuan si kredi të këqia, gjoja nga pamundësia e kthimit.

c) Forma e kleringut (mall me mall) me pronarët e trojeve, dhënie truallit të konvertuara me sipërfaqe banimi, dyqane, depo, magazina etj.

ç) Parapagim nga blerësit për sipërfaqe ndërrtimi, kundrejt favorizimit në ulje të çmimit të shitjes.

d) U përdorën për blerje sipërfaqe ndërtimi edhe paratë e sjella nga emigrantët, kjo sidomos gjatë viteve nëntëdhjetë, etj.

Asgjë nuk është e thënë të mbetet e palëvizur, kështu bashkë me vitet, u rritën kapitalet dhe bisnesmenët u fuqizuan. Ndërmorën të tjera sipërmarrje, siç janë ato të ndërtimit të rrugëve, jo pak tërheq vemendjen edhe fusha e mediave, artit, sporteve, etj. të cilat sponsorizohen të diktuara me ligje të caktuara. Fshehja e të ardhurave dhe pagesat me zarf, jashtë listës pagesave të punonjësve nga biznesmenët ka krijuar dhe krijon humbje vlerash të konsiderueshme për buxhetin e shtetit. Dhjetë vjetët e fundit shtrirje kanë marrë edhe dhëniet (lëshimet) e konçesioneve shoqërive apo bisnesmenëve të pronave ende shtetërore, po kështu janë edhe dhëniet me qera të shërbimeve publike, autostradat, doganat, bile u fol edhe për institucionin e tatimeve,  etj.

Të gjitha këto transaksione komerciale, të mbështetura nga klasa politike, në pushtet ose jo, shoqërohen me përfitime personale të ndërsjellta, të cilat fuqizojnë ekonomikisht të dyja palët, por jo buxhetin e shtetit.

Brenda një kohe tremujore, sipas “nxitjes” së Bankës Qendrore për deeurozimin, euro është  zhvlerësuar kundrejt lekut me afro 4%, veprim ky që sipas Qendrës Shqiptare të Eksporteve (Albexport) dhe Albanian Food Industry (AFI), do ti mungojnë në qarkullim ekonomisë shqiptare rreth 14 miliardë lekë më pak. Ndërsa buxheti i shtetit do të humbasë rreth 25 %, ose 26 milionë euro më pak gjatë këtij viti. Në tërësi dëmet nga këto “lojra” me “mallin para”, mund të kapin shifrat mbi 50 milionë euro.

A- Koha për rishikimin e Rishpërndarjes së vlerës së shtuar!

Duhet ndalur tek rishpërndarja e fitimit. Dihet se fitimet e realizuara në përfundim të procesit të prodhimit apo shërbimit, me sistemin e sotëm ekonomik, janë përfitime vetëm të bisnesmenit (kapitalistit) qoftë individ, grup njerëzish apo kompani. Në organet tona tatimore janë të rregjistruara si: persona fizik dhe juridik, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar dhe shoqëri anomime.

Me ligjet që veprojnë në ekonominë e tregut, për rishpërndarjen e të ardhurave, ndeshemi në një anshmëri po thuaj të ligjëruar dhe të moralshme. Fitimi i realizuar i mbetet subjekteve ekonomike të rregjistruara, ndërsa fuqia punëtore, nëpunësit e administratës, janë të ligjëruar me kontrata pune për tu trajtuar me pagat e caktuara për punën që kryejnë. Fuqia punëtore nuk ka përfituar nga vlera e shtuar prej shitjes së produktit të realizuar edhe si efekt i punës së saj.

Nuk do trajtojmë këtu rishpërndarjen e fitimit duke praktikuar raporte të pranuara ndërmjet subjektit juridik dhe fuqisë punëtore, sepse kërkohet një studim përmbysës i mënyrës së shpërndarjes së të ardhura të krijuara nga kapitali dhe puna. Por koha e ka sjellë si kërkesë të domosdoshme për tu studjuar dhe zbatuar. Idea këtu përqëndrohet tek njohja e ligjëshme për përfitim nga krijimi i një vlere të shtuar edhe për punën e kapitalit variabël (V)-(shpenzimet e punës).

Me një mendim të shpejtë dhe të thjeshtë, ideja mund të gjej një zbatim të përafërt nga raporti ndërmjet kapitalit konstant (C) dhe kapitalit variabël (V). Nëse vlera e kapitalit konstant që hidhet në një proces prodhimi është 100.000 Euro dhe shpërblimi i fuqisë punëtore të shprehura në para është 45.000 Euro, me një raport të thjeshtë, lidhur me ndarjen e fitimit ose mbivlerës së krijuar nga C+V, e supozouar 29.000 Euro; në një periudhë të caktuar, rezulton ky raport: 69% -31%. Sipas këtij raporti pronari do të përfitojë jo më 100% të fitimit, por 69% ose rreth 20.000 Euro; ndërsa fuqia punëtore do të ndajë mes vetes 31% të fitimit, ose 9.000 Euro nga zero.

Ashtu si pronari ka të drejën e rritjes së aksioneve nëpërmjet fitimit përkatës edhe fuqia punëtore duhet ligjëruar në pjesëmarrje me aksionet e saj, pa përjashtuar edhe transferimin e aksioneve në aktivitete të tjera brenda apo jashtë kompanisë, shoqërisë apo firmës ku kontribuon.

B.- Koha për të caktuar tavan për normën e fitimit.

Për të frenuar rritjet kapërcyese të pasurive të kompanive, shoqërive apo firmave, krahas ligjërimit të pjemarrjes së fuqisë punëtore në rishpërndarjen e vlerës së shtuar, është kërkesë e kohës edhe rishikimi i vendosjes së tavanit në normën e fitimit. Përcaktimi i saj duhet të variojë nga 15 deri në 20 %, në vartësi të përparësive të kërkesave ekonomio-sociale të shoqërisë. Kufizimi do të ndikojë në uljen e çmimeve të mallrave apo shërbimeve me përfitim mbarë shoqëror, jo vetëm në rritjen e mirëqenies por dhe në një qarkullim më të shpejtë të shitjes së mallrave.

Me vendosjen e ndryshimit në mënyrën e rishpërndarjes së të ardhurave (pjesmarrja e fuqisë punëtore në rishpërndarjen e vlerës së shtuar dhe caktimi ligjor i tavanit në normën e fititmit), sigurohet zbutja e polarizimeve të krijuara mes kapitalit dhe shpenzimeve të punës; frenohet fenomeni i grumbullimit të kapitalin në disa duart, që aktualisht përbëjnë 5% deri në 10 % të popullsisë. Fenomeni nuk është vetëm shqiptar, por ndjellkeqës në ecurinë e mëtejshme të mekanizmave në ekonominë e tregut.

III.- Sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurive si efekt i vettingut

Problem tepër i rëndësishëm dhe që kërkon kujdes të veçantë, është mënyra e administrimit të pasurive, qofshin në mall apo para, të subjekteve fizike dhe juridike, të cilat krijohen nga  funksionimi normal i Vettingut. Bëhet fjalë për vlerat materiale dhe monetare të përfituara nga vepra penale, financimi i terrorizmit, pastrimi i parave, vlera të realizuara nga krimi i organizuar, nga tjetërsimi i pronave, vlera pasurore në mall dhe para nga korrupsionet aktive dhe pasive etj, që sipas vendimeve gjyqësore, sekuestrohen apo konfiskohen.

Tek ne vlerat më të mëdha objekt konfiskimi dhe sekuestrimi do të jenë pasuritë e paluajtshme; toka, pallatet e ndërtimit, hotelet, pasuritë e luejtshme si makineri të ndryshme, automjetet dhe vlerat në para përfshirë edhe thesarin. Pasuritë e konfiskuara apo të sekuestruara, duhet të menaxhohen nga institucione shtetërore dhe aspak nga subjekte apo institucione joshtetërore, kushdo qofshin. Institucioni shtetëror, në bazë të vlerësimeve nga ekspertë përkatës të pavarur, do të bëjë vlerësimin dhe shitjen e tyre.

Të ardhurat nga shitja e objekteve të këtyre kategorive duhet të derdhen në llogari të posaçme bankare dhe të përfshihen në zërin buxhetor “të ardhura nga sekuestro dhe konfiskim prej Vettingut”.     

Deri tani nuk ka rezultate të dukshme në drejtim të sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurive nga persona që kanë kryer vepra penale të korrupsionit. Lidhur me këto çështje, mungesa e vetëdijes ligjore, profesionale dhe përgjegjshmëria tek disa prokurorë dhe gjyqtarë, në drejtim të ndjekjes korrekte të kryerjes së detyrës për të vendosur për sekuestrimin, apo konfiskimin e pasurisë të personave me veprimtari kriminale nuk është më konstatim, por janë fakte reale. Prandaj është krijuar bindja mbarë popullore se marrjet e këtyre masave bëhen të realizueshme kur sistemi i drejtësisë të jetë vërtet i pavarur, të mos jetë i kapur dhe as të ndikohet nga politika.

Me rëndësi është gjithashtu edhe krijimi i kushteve optimale që prokurorët dhe gjyqtarët të mos kenë mundësi të bien në situata korruptive. Konfiskimi dhe sekuestrimi i pasurive të paligjshme, duhet të gjejnë mbështetje ligjore në Kodin Penal dhe Kodin civil. Veprimtaritë kriminale dhe korrupsioni duhet të përballen me ligjet.

Ish Presidentit Obama gjatë Asamblesë së Përgjitshme të OKB-së, në Shtator 2012 ka deklaruar se: “E ardhmja nuk duhet t’u përkasë të korruptuarve që vjedhin burimet e një vendi. Ajo duhet t`i përkasë studentëve dhe sipërmarrësve, punëtorëve dhe pronarëve të bizneseve, të cilët kërkojnë një prosperitet më të gjerë për të gjithë njerëzit...”.

Ndofta ka ardhur koha që ligjvënësit duhet të amendojnë (përmirësojnë) pjesë të Ligjit Nr.10 192, datë 3 dhjetor 2009 ”Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, me të cilin duhet të rregullohen shumë çështje që lidhen me krijimin, sekuestrimin, konfiskimin dhe administrimin e pasurive të paligjshme. Kërkohet një përsaktësim më i prerë në ligjërimin e përqëndrimit, administrimit dhe përdorimit të këtyre fondeve të shprehura në vlera monetare, apo asete të ndryshme të palëvizshme e të lëvizshme.

Ka shtete që kanë krijuar “Fondin Sovran të Pasurisë, pasuria e popullit rikthehet tek populli”. Fondet Kombëtare të Pasurisë duhet detyrimisht të zotërohen dhe menaxhohen nga shteti me synim për të ruajtur me rigorozitet të ardhurat e siguruara nga konfiskimet dhe sekuestrimet. Kapitali fillestar i këtyre institucioneve apo kompanive shtetërore, të krijohet nga vlerat e arkëtuara nga privatizimet e ndryshme në formën e parave apo aseteve.

 Institucioni shtetëtor i administrimit të “Fondeve nga Pasuritë Sekuestro” si dhe të fondeve të tjera, duhet të ligjërohet që të jenë subjekte për auditim vetëm nga Instituti i ekspertëve kontabël të autorizuar (EKA-Auditët).

Transferimi i vlerave materiale dhe monetare në ”Fondin nga Pasuritë Sekuestro” mundëson krijimin e burimeve të fuqishme financiare në duart e shtetit; krijohet një institucion i gjallë, energjik me efekte pozitive në përballimin e fenomeneve ekonomike negative.

Nuk duhet të trembemi se po devijohet nga teoritë ekonomike që aktualisht veprojnë, as të tërhiqemi se ndofta centralizimi i disa degëve kryesore ekonomike në duart e shtetit, të cilat po jepen me konçesione, apo privatizohen në disa duar të paracaktuara, të paafta, papërvojë drejtimi dhe administrimi, i hapet shtegun sistemit socialist në ekonomi. Jo, aspak, nuk është ky këndvështrim! Përvojat përfitohen gjatë ushtrimit në kohë, dhe jo nga militantizmi apo nepotizmi.

Është vërtetuar gjatë 27 viteve se privatizimi i disa degëve kryesore të ekonomisë, apo pjesëmarrje me aksione shtetërore, nuk kanë patur prurje zhvillimi, përkundrazi në përgjithësi kanë rezultuar ose në falimentim, ose i janë drejtuar rritjes së çmimeve, duke rënduar ekonomikisht si familjarët në përgjithësi dhe buxhetin e shtetit. Faktet tregojnë se nxitimi drejt privatizimeve në forma të ndryshme të degëve kryesore të ekonomisë, ka qenë jo vetëm irentabël por ka krijuar situata të rënda deri edhe në tensione ndërshtetërore.

Në shumë nga degët ekonomike të privatizuara, shërbime, apo dhënie me konçesione, ka rezultuar se “sipërmarrësit” i trajtojnë veprimtaritë dhe efektet financiare thjeshtë prona personale-private, krejt ndryshe nga konceptet e ekonomisë së tregut.

Përpara realiteteve të sotme të këtyre fenomeneve, të cilat në vazhdimësi kanë thelluar hendekun mes rreth 10 përqindshit dhe 90 përqindshit të popullsisë, shtrohet detyra për marrjen e disa masave, me përqëndrim kryesisht tek pasuritë e përfituara nga informalitetet, pa përjashtuar mundësitë e qendrimeve në tërësi ndaj rishpërndarjes së të ardhurave.

Ndikimi fillimisht rekomandohet për tu shtrirë në rastet e para, nëpërmjet vendosjes dhe zbatimit të suksesshëm të “Vettingut”.

Të gjithë jemi ndërgjegjësuar tek domosdoshmëria e katarsit, që ka filluar të veprojë në disa nga institucionet tona me “Vettingun”. Efektet e “Vettingut”, do të çlirojnë shoqërinë nga oligarkët politiko-ekonomikë joformalë, do shpëtohet nga nepotizmi dhe militantizmi.

Nëpërmjet zbatimit rigoroz të Vettingut, pasuria e përqëndruar në disa miliarderë dhe “super miliarderë”, do të sjellë nevojën e një rishpërndarjeje dhe vendosjen e disa normave, që sigurojnë raporte të drejta për ndarjen e fitimit ndërmjet punës dhe kapitalit. Realizimi i Vettingut, është kërkesë objektive e kohës. Shtrirja e tij nuk duhet kushtëzuar me hapësira gjeografike, politike, ekonomike. Për nga epërsitë pozitive, Vettingu duhet të shtrirhet në shtetet e Europës dhe më gjërë.

Të gjithë njerëzit gjatë jetës aktive dallohen në grupe apo kategori në vartësi të veprimtarive që kryejnë. Është zgjedhja e tyre, kushtet, rrethanat hisorike, sociale dhe ekonomike. Do veçojmë dy kategori njerëzish, ata të grupimeve politike dhe grupimet e studimeve shkencore, të dijes në përgjithësi. Grupnjerëzit e politikës, pavarësisht nga kapacitetet e dijeve dhe përvojave, arrijnë të shfrytëzojnë rezultatet tepër të dobishme në zhvillimet e të gjitha fushave të jetës, të studjuara dhe zbuluara nga grupnjerëzit e dijes. Edhe në këtë rast, zhvillimi shoqëror ka pranuar dhe ligjëruar në heshtje pabarazinë e theksuar mes këtyre dy kategorive, qoftë në drejtim të pasurisë dhe të plotfuqishmërisë.

Kategoria e grupit politik, përfiton nga përvehtësimi i arritjeve të grupit tjetër, siguron pushtet dhe pasuri; ndërsa kategoria e grupit të studimeve dhe çpikjeve, shpërblehet me ligjet që nxjerr grupi politik, nuk priren drejt pasurive, mbetet në histori me një cilësim “Emër i mirë”. Politikani, me arritjet e studiuesave në fushat e ndryshme të shkencës, krijon pasuri dhe pushtet. Pushtetin e tyre, me anë të politikës, e shtrijnë në të gjitha drejtimet, bile deri edhe tek nënështrimi i  kategorisë së shkencëtarëve duke shfrytëzuar dhe përdorur pikërisht rezultatet e tyre, prej të cilave sigurojnë përfitime pasurore. Një shembull tepër interesant është, fjala vjen, mbajtjet në kasafortë nga politikanët çelësat e “bombës atomike”, dhe sa herë ju duhet kërcënojnë Botën. Një e padrejtë e madhe që shoqëria njerëzore duhet të reagojë fuqishëm për të ndrequr ekuilibrat.

Besoj se të gjithë kemi një mendim: “Paradokse të shëmtuara, kontradikta, anomalira që shoqëria duhet të çlirohet, prandaj duhen ndrequr!”

Shpresojmë se një epokë e re po troket në shoqërinë tonë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat