Interpretimi i temave fetare në mënyrë sipërfaqësore prodhon kundërefekt!

Opinione

Interpretimi i temave fetare në mënyrë sipërfaqësore prodhon kundërefekt!

Nga: Shkelzen Marevci Më: 9 korrik 2018 Në ora: 16:03
Shkelzen Marevci

Nuk duhet që të thellohemi në analiza të thella për ta kuptuar se, disa individ dhe grupe në emër të së mirës janë shndërruar në gjakderdhës dhe tejet rrezikshëm gjithandej nëpër botë. Është fakt  se, njerëz të tillë, me tendenca shkatërruese, ka pasur prejse ekziston bota, por ajo që bën të dallohej nga e kaluara është se, në dy dekadat e fundit janë të theksuara goxha shumë me vrasjet e njerëzve të pafajshëm.

Kohëve të fundit, ngado dhe në baza ditore, shohim dhe dëgjojmë për akte terroriste me pasoja tejet të rënda. Pasojat e këtyre akteve kryesisht prekin njerëzit e pafajshëm, pra vriten njerëz që fare nuk kanë lidhje me vrasësit (fëmijë, burra, gra e  pleq). Faktorët që nxisin akte të tilla janë të shumtë, megjithatë njëri nga faktorët fatkeqësisht lidhet me radikalizmin fetar.

Me rendin e ri botëror (globalizmin), janë hapur mundësit e bartjes dhe shpërndarjes së informacionit nga vendi në vend me shpejtësi marramendëse dhe kjo për shumë arsye është mirë, mirëpo një mundësi e tillë bartë me vete edhe pjesën e keqe, ngase së bashku me shpërndarjen e informacioneve shpërndahen edhe dezinformatat dhe propagandat. Ky realitet ka ndikuar dhe vazhdon së ndikuari tek shumë të rinj e të reja, që ata në vend se të informohen me interpretime të drejta fetare, të bien pre e propagandave të ndryshme, që për pasoj jo rrallë përfundojnë në terrorist. Fatkeqësisht janë dy kategori të imamëve që me interpretimet e tyre fetare i kanë kontribuar konsiderueshëm ngritjes së nivelit të radikalizmit dhe ekstremizmit fetar.

Kategoria e parë janë imam që vetëquhen ashtu, ngase përpos emrit në realitet nuk kanë lidhje fare me fenë islame dhe mesazhet e vërteta të kësaj feje (në parimet e fesë islame paqja është rregull e lufta  përjashtim, ndërsa kjo kategori e ‘’imamëve’’ janë shkaktar të ndryshimit të vendeve të këtyre parimeve, pra luftën ta bëjnë rregull, ndërsa paqen përjashtim). Të tillët, ndjellin urrejtje patologjike tek pjesëtarët e grupeve të tyre ndaj çdo kujt i cili nuk i përket fesë islame. Një gjë e tillë është shkelje flagrante e  parimeve të vërteta të kësaj feje, ngaqë sipas parimeve islame njeriu duhet të respektohet së paku si krijesë e Zotit, sepse duke respektuar krijesën respektohet krijimtaria e Zotit dhe vetë Zotit.

Shkaktarët  e shfaqjes së mentalitetit  radikal  janë të shumtë, por njëri nga ta duhej veçuar, ngase  është burimi dhe shpërndarësi më i fuqishëm i një mentaliteti të tillë. Imamët e kësaj kategorie dhe ndjekësit e tyre janë mbyllur në një rreth aq të ngushtë vicioz, saqë thuajse janë të shkëputur fare nga bota e jashtme. Çdo mendim dhe veprim që futet nga jashtë brenda grupit të tyre provokon tej mase mendime e veprime ekstremiste e radikale tek ta. Si pasoj e shkëputjes me realitetin që i rrethon, injoranca bëhet themeli ku ata bazojnë mendimet dhe veprimet e tyre. Një gjë e tillë ndodh si pasoj e selektimit të literaturës që ata lexojnë. Duke lexuar literaturë vetëm nga autor të preferuar të tyre dhe ekskluzivisht për fenë islame, shpeshherë shfaqin hapur mendime tejet kundërshtuese me çdo mendimtarë i cili mendon ndryshe nga ta. Në mungesë të njohurive të përgjithshme (në mungesë të komperacioneve e krahasimeve të mendimeve), janë të prirur që t’i interpretojnë dhe përshtatin argumentet fetare duke ja përshtatur interesave të tyre. Këta ‘’imam’’, kanë ndikuar që të ekstremizohen dhe të radikalizohen tej mase në mendime e veprime disa të rinj. Fatmirësisht, numri i të tillëve është i papërfillshëm në krahasim  me imamët e vërtet e qëllimmirë.

Kategoria e dytë e imamëve, edhe pse dallojnë krejtësisht nga imamët e kategorisë së parë, prapëseprapë edhe këta kanë ndikuar deri diku në ngritjen e mendimeve dhe veprimeve ekstremiste e radikale. Imamët e kësaj kategorie kanë ndikuar të kontribuojnë pa dashje në ngritjen e dukurisë së ekstremizmit dhe radikalizmit fetar, ngaqë shquhen për përtaci e neglizhencë gjatë përgatitjes së temave para se ata të ligjërojnë. Me interpretimet e tyre gjysmake e sipërfaqësore dhe jo të studiuara mirëfilli, disa nga temat e ligjëruara nga ta, edhe pse janë interpretuar me qëllim krejtësisht të mirë kanë pasur kundërefekt. Për shembull, temat që kanë prodhuar më së shumti kundërefekt janë temat e sprovës dhe durimit. Zakonisht, gjatë ligjëratave të imamëve të kësaj kategorie dëgjojmë  ku thuhet se, më të sprovuarit në këtë botë janë profetët e Zotit, pastaj evliatë (njerëz shumë të mirë), dhe të tjerë njerëz të mirë që vijnë pas tyre, por asnjëherë nuk kanë thënë se sprovohen dhe të këqijtë. Dhe gjithashtu dëgjojmë duke thënë se po u sprovuat, duhet të duroni, ngase jeni të përzgjedhur të Zotit për t’u sprovuar. Në fakt, bazuar në argumente fetare, imamët kanë të drejtë që thonë se i sprovuari duhet të duroj, mirëpo domosdoshmërshit duhet t’ju shpjegohet të rinjve se, jo të gjithë të sprovuarit janë të mirë dhe kanë të drejt, ngase edhe të këqijtë sprovohen. Duke interpretuar kësisoj, në mënyrë gjysmake, tek të rinjtë krijohet  përshtypja se të tillët sprovohen ngaqë janë njerëz të drejtë e të mirë dhe duhet ngulur këmbë në të veten (edhe nëse e kanë gabim duke menduar se e kanë mirë). Një i ri (injorant në fe) sa herë që dëgjon interpretime të tilla fetare gjatë ligjëratave të imamëve, ka rrezik t’i shtohet ndjenja e ekstremizmit dhe radikalizmit fetar pa e kuptuar ai këtë gjë. Sepse, tek ai ndodh shpesh që të mendoj apo veproj gabueshëm dhe sa herë që i tërhiqet vërejtja për gjërat e gabuara, ai gjen ngushëllimin tek ligjëratat e dëgjuara se, profetët, evliatë dhe njerëzit e mirë, ku tashmë e rreshton dhe ai vetën e tij, sa herë janë kundërshtuar kanë qëndruar duke duruar. Dhe sa më shumë i tërhiqet vërejtja për gabimin, atij i shtohet krenaria, ngase është i bindur se është duke duruar sikur ka duruar profeti apo evliatë dhe me durimin e tij është duke e kënaqur Zotin. Pra, sa më shumë kundërshtohet për gabimet e tij, aq më shumë radikalizohet dhe i shtohet krenaria, duke qenë i bindur qëndresa e tij është e drejt.

Për fund kisha dashur t’ju sugjeroj imamëve të mirëfilltë se, para se të ligjërojnë disa tema të përzgjedhura t’i studiojnë pa përtesë dhe të këshillohen qoftë nevoja edhe me psikolog për efektin eventual, ngase psikologët janë të thirrur për t’i kuptuar efektet e fjalëve dhe veprave. Nëse ligjëratat përgatiten duke i studiuar dhe konsultuar psikologët, efekti i tyre do të jetë tejet pozitiv.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat