Afërdita edhe kur kthehet në fshat nuk mban inat

Opinione

Afërdita edhe kur kthehet në fshat nuk mban inat

Nga: Lirim Gashi Më: 9 korrik 2018 Në ora: 18:05
Lirim Gashi

Jetojmë dhe vdesim pa e ditur pse dhe vdesim për së gjalli kur na vdesin shpresat që do ta gjejmë kuptimin e jetës. 

Sterio Spasse e pat pyetur njëherë Afërditen " Oj e bukur Afërditë, po pse po kthehesh oj bardhokja e xhaxhit përsëri në fshat ? ", e ajo iu pat përgjigjur kështu : Sepse dua të jem e para e fshatit dhe jo fundrrina e qytetit, fund i muhabetit.

Aroma e barit dhe luleve kur përzihet me kundërmimin e baglave, glacave dhe kokordhive të bagëtisë shndërrohet në delikatesë të papërsëritshme dhe çdo tentim për tu liruar nga magjia e saj bëhët dëshirë e paarritshme.

Po mirë moj Afërditë, atëherë pse je shpërngulur në qytet, kur në fshat ke përjetuar aq shumë lezet?

Shkova për ta njohur botën shqiptare i dashur, por e njoftova vetëm Ibrahim Kelmendin dhe sa më shumë që e njoha Ibrahimin aq më pak e kuptova vetveten, botën shqiptare, Migjenin dhe Naimin, andaj shpëtimin e kërkova te njëfarë Ramiz Lladrovci që interesohej fatkeqësisht vetëm për pelat gjermane dhe bareshat thatane.

Aq ishte i dhënë pas pelave gjermane dhe bareshave thatane sa që nuk e vërente aspak praninë time, prandaj nga monotonia fillova ti numëroj flokët e mia qime për qime dhe ta vë në siklet hypotalamusin, mirëpo deshi Zoti që papritmas të takohem me njëfarë Hashim Çoban mësuesin.

Ky mësues më bindi që kashagitja e pelave nga Ramiz Lladrovci është punë shumë më e rëndësishme, dobishme dhe humane për shtetin e Kosovës, se sa menaxhimi i Fondit ''Vendlindja thërret  nga Ibrahim Kelmendi, sepse ashtu siç është karakteri i popullit tonë, funksionon rendi dhe kuvendi.

Në fakt, ai ma bëri me dije se fondet shqiptare sa herë që menaxhohen nga njerëzit e ndershëm, bamirës dhe të moralshëm, bëhën të pa menaxhueshme, sepse këto specie janë tepër strikte, kryeneçe, të bezdisshme dhe të pa dëgjueshme.

Është e pamundur më tha, që fondet shqiptare të menaxhohen me nder, andaj për ti shpëtuar nga hajnat amatorë i angazhova disa hajna profesional dhe një shofer. 

Nuk të kam faj i dashur Sterio që ti romanin ma kushtove kur prodhimi i grurit i tejkalonte pritjet treqind për qind dhe sasia mjaftonte për ta ushqyer një Rusi e Kinë. Nuk të kam faj që e shkrove kur nuk ekzistonin lojërat e fatit e kur korrupsionit i prehej rrënja me ndihmën e drapërit, tarrakopit dhe shatit.

Nuk të kam faj që romani yt nuk u kandidua për çmimin Nobel, vetëm pse ti nuk quheshe Ismail e unë isha dhe vazhdojë të jem akoma e thatë dhe e vogël.

Nuk të kam faj që mi vendose dy gjinjë të vegjël si dy arra në kraharor, në kohën kur Dolly Buster ia lëvizte trurin rinisë me dy topa të basketbollit, në televizor.

Nuk të kam faj që me përshkrove si po aq naive sa hoxhë Tasini Refiçen e Ortakollit dhe si po aq burrërore sa Shaban Arusha Shote Galicen e veshur me tirqi burrash dhe me fytyre të gërvishur prej dashurisë malore mes manaferrash dhe shkurrash. 

Për ta kuptuar i dashur Sterio se sa i bukur është fshati, duhet ta kalosh një pjesë të jetës në qytet ose gyrbet. 

Ti në fakt më ke lënë aq gjatë për të jetuar në qytet dhe gyrbet, sa që kam thithur dhe joshur aq shumë helm e djallëzi sa filteri mbi epruvetë.

Mirëpo në momentin që të krijohet në gjak sheqeri dhe në mushkëri kanceri do ta kuptosh që të ndihmon vetëm fshati, tarrakopi dhe shati për t'ia hapur varrin vetvetes nën hijen e verrit dhe për ti bërë shoqëri në botën e ,, qytetëruar '' të amshimit Titos, Stalinit, Hitlerit, Maos dhe Enverit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat