Meritor për sukseset, por të pafajshëm për krimet që bëjnë

Opinione

Meritor për sukseset, por të pafajshëm për krimet që bëjnë

Nga: Sytrim Halitaj Më: 14 korrik 2018 Në ora: 12:23
Sytrim Halitaj

Tek ne, të gjithë politikanët ankohen tek njëri tjetri për të këqijat që ndodhin në vend. E gjithë politikbërja është se cili është hajni, zhvatësi, krimineli e më i keqi. Nuk ka të mirë në këtë mes sipas tyre, dhe nuk ka të ndalur prej akuzave të kësaj natyre ndërmjet kolegëve politikan. Muhabete të përditshme si psh: ajo parti e tradhëtarëve, kjo parti e hajnave, ajo e frikacakëve e tjera e tjera! Në fund, askush nuk denohet. Shfaqen hajdutët e kriminelët haptazi, me zë e video që dihen. Të gjitha i mbulojnë me para/pushtet duke i blerë njerëzit apo duke negociuar pozita/pushtete për të bërë hajni e krime më të mëdha. Askush spo mbetet prapa grilave të burgut ndërsa të tillët që po e bëjnë gjithë këtë zhurmë e rrëmujë në emër të drejtësisë po pasurohen më shumë dita ditës. 

E gjithë kjo klasë politike, në asnjë mënyrë nuk gjunjëzohen para njëri tjetrit, edhe atëherë kur gabimet janë shumë evidente. Këta gjunjëzohen vetëm atëherë kur i kërcënohet gjendja financiare, sepse u kushton me humbjen e pushtetit. Por, edhe kur janë afër humbjes, koalicionet mbeten shpëtimi i tyre, sëbashku me akuzat/kërcënimet që do të bëhen dëshmitar të mashtrimeve, zhvatjeve dhe krimeve kundër kolegëve të vet që mbeten akoma në pushtet. 

Janë njerëz që pështyn në sofren që i shtruan njëri tjetrit e në po të njejtën sofer kthehen për të ngrënë bashkë, përsëri. Njerëz që janë zhveshur prej turpit, e çfarë i mbetët atij që turp nuk ka më?

Të bërë si molla e kalbur në mesin e mollave të shëndosha. Sa më gjatë që mbahen në bashkësi me të shëndoshët, dëmi i tyre vetëm sa rritet edhe më shumë. Të tillët, në pozita udhëheqëse e si përfaqësues shteti vetëm sa e dëmtojnë edhe më keq interesin shtetëror. Arsyeja e vërtetë e gjithë kësaj katrahure e së cilës jemi dëshmitar çdo ditë, janë dhe mbeten vetëm këta politikan. Sa më shpejtë që populli/qytetarët u japin dënimin meritor kësaj kategorie të politikanëve, aq më i shpejtë do të jetë edhe lirimi ynë si qytetarë nga prangat e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat