Nanëmadhja

Opinione

Nanëmadhja

Nga: Kalosh Çeliku Më: 2 gusht 2018 Në ora: 12:07
Kalosh Çeliku

Vërtetë, tashti më në fund u binda se, një artist i lindur në Livadhin e Babait nën hijen e Lisit midis Livadhit rrëzë Çukës, e ka vështirë të mbijetojë në këtë shtet të “përbashkët demokratik” policor. E rrethojnë gjysëmanalfabetët partiak nga të gjitha anët me armët politike tokësore e qiellore. Portën ia mbyllin me shul tullari. Edhe, derën. Patjetër, edhe dritaret. I ka mbetur vetëm oxhaku i të parëve mbi çati. Dalje, të cilën e kanë ditur dhe përdorë vetëm fisi i kaçakëve. E plaçkitë shteti i “përbashkët”, e plaçkisin hajdutët politik të strukur nëpër Parti politike dhe  institucione të Shtetit.”përbashkët”.

Vitet e fundit, që kur dolën në skenë bombat “politike” të “Shpëtimtarit” shqiptarëve, telefonatat me provokime “erotike-artistike” më kanë lënë hë pë për hë së paku rehat. Sonte, a do të dal në takim me Miken Di apo Hënoren dhe në cilën Tavernë?! Mos harro, më thotë Hënorja: edhe unë jam një sexi bombë, jo si ato të “Shpëtimtarit” shqiptarëve - politike e patetike të përditshme në rrugë para kamerave televizive. Aqmëpak, të “Abazit” Malit, por edhe më e rrezikshme - atomike te pragu i derës. Dallimi mes meje e “Shpëtimtarit” shqiptarëve ështe, se: “Shpëtimtari” i shqiptarëve erdhi nga rruga në pushtet, e unë nga shtrati pranë dritares, me Hënë mbi mal…

Hënorja vazhdon të më bindi përgjumshëm: vetëm me mua mund t’i rrokullisësh ato Dy Shtambat e tua historike me verë nën Rrap. Dhe, shkruash poezi erotike antologjike. Libra historik. Ndihmë, O Zoti Madh! Natë e errët pa Hënë në Lëmë, nuk e di pas kujt të eci: Hënores, apo Partive politike me brekët nëpër këmbë?!

Rrufjani, më paraqitet përmes telefonit në gjuhën “maqedonase”: Nuk e di nga ku më ka rënë në dorë numri yt i telefonit, mos shetë ti pula? Qesh, përmes telefonit. E ke gabim, o mik: Jo, unë nuk shes pula, po gjithë jetën kam shitur dhe shes gjela. Përgjigja nervoze, aty për aty më vjen matanë telefonit: ti, po tallesh me mua? I përgjigjem gjakftohtë në stilin tim satirik të shkrimtarit: Jo, nuk tallem me ty o “burrë” telefoni anonim, por e kam seriozisht: Unë gjithë jetën kam shitur dhe shes gjela.

Zëri i panjohur matanë telefonit, aty për aty më përgjigjet i nervozuar me belbëzime pa kontrollë truri në kokë: Mirë, atëherë do të shihemi me ty një ditë sy më sy në fushën e mejdanit ballë për ballë, do të të kërkoj nëpër qiell mes reve e nën tokë: Ti vazhdo të shesësh gjela e unë sipas teje do të shesë pula.

Patjetër, i përgjigjem përmes telefonit: brez pas brezi unë si fis i kaçakëve kam shitur dhe shes gjela, e jo pula. Përmëtepër, sa për dije: unë jam ende në tokë, këmbëkryq në Shkup. Kryeqytetin shqiptar, që kryengritësit dy herë me radhë e kanë çliruar nga pushtuesit (1844 dhe 1912). Sotpërsot, ende nuk kam fluturuar në qiell si Azreti Isai nga minarja e xhamisë. Nuk ka nevojë të më kërkosh mes reve nëpër qiell, ende jam në tokë. Dje, më ke pasur nën Rrap përpara Dy shtambave me verë të Mikes Di, sot përditë më ke në Tavernë para këmbëve të Olimbisë me fëmij në bark, gji e prehër. Dhe, Hënores.  

Dhe, kohën e fundit, përçudi askush nuk më bënë telefon, përkujton si mik i “fiçit”, Zotit Madh dhe penës me dy tyta. Mendja, ma thotë: Vallë, nuk e dinë se Unë ende jam gjallë, në Shkup?! Luftën e vazhdoj me penë nën Rrap. Nuk më kërkon njeri i gjallë në takim “erotik-politik” rrëzë Kalasë Dardane, as te Sheshi “Skënderbeu”, në Shkup apo policor tek Vetëshërbimi i mallërave me afat të skaduar përdorimi, në “Bit-Pazar”. Nuk do të bëjë “biznes” politik të pulave me mua si shkrimtar. I kërkon në “Bit_Pazar” gjelat kryengritës! Shteti nuk më dërgon gra “besnike”. Nëna Parti, mu si dje ndonjë rrunzë kopeje nga ato të nënkryemet në vathën e Taçi Vojvodës, ose Bariut të maleve. Ndoshta, të vdekurit më kërkojnë për ndonjë përkujtim vjetor, por ato nuk më kanë mbetur borxhe. Problem nuk kam me të vdekurit, por me të gjallët.

Zgjohuni të vdekur se, më mbytën të gjallët! Edhe, në ndihmë papritmas me “tabutin” mbi shpinë zvarrë rrugës më erdhën të vdekurit, jo të gjallët në Shkup. Kopështi im poetik, përçudi sot u mbushë me gra besnike. Përçudi, erdhi edhe Hënorja. U kënaqa me Penën time kryengritëse me dy tyta..

Shqiptarët, ende vazhdojnë të merren me ndarjen e lugëve dhe enëve me “vëllezërit” e Njerkës. Asnjërit, deri më sot nuk i teket të merret me Shtëpinë e Babait. “Vatanin” (Atdheun), që sipas porosisë pejgamberit fundit: Muhamedit a. s.: Pa “Vatan” nuk ka “Iman”. Pejgamberi a. s., gra e shtëpi ka pasur me shumicë, por luftë ka bërë për gra azgane e “Vatan”. Vallë, mos ka qenë edhe Muhamedi a. s. shqiptar?!... Ku ta dimë, ne. Ndoshta. Zemra nga inati më plasi me politikanët e arratisur shqiptarë: Çka u duhet shqiptarëve një Njerkë (Nanëmadhe), ende pa “Vatan”?!

Ditën e Sotshme Historike, shqiptarët janë kapur mbi Urë si ato Dy Dhitë kryeneçe tek Abetarja: shqiptarët dhe “maqedonasit”. A, është Nanëmadhja jonë shqiptare, apo “maqedonase”?! Rroken kokë më kokë me brirë shyta mbi Urën e Gurit dhe përfundojnë bythekrye në Vardar. Shkaku, se: Ballkani, historikisht është i përzier me popuj vendor fisnorë dhe pushtuesë ushtarak kalimtarë, pak veta kanë gjak të pastër shqiptari. Aqmëpak, “maqedonasit”: Mjerimi, nuk e dinë, se: “maqedonasit” e sotshëm që thirren si “maqedonas”, nuk janë të gjithë fis i Ilirëve, por popull sllav pakicë e përbërë gjatë sistemit komunist jugosllav nga bullgarët, shqiptarët, vllehët, serbët, turqit dhe romët, që shoku Tito me pushtetin e asaj kohe i bëri “shtet” komunist. Dhe, “Abazi” i Malit me Aliun e Fushës, shtet “demokratik” në Europë.

Përçudia: pakica “kombëtare” nga shteti komunist me ndihmën e shqiptarërve ende kanë shtet “demokratik”, e shumica shqiptare vazhdon të jetojë nën pushtetin e tyre si robër lufte të një politike “paqësore”. Punë tjetër është ajo se, vendin e shokut Tito në sheshin “Makedonija”, sot e ka zënë Aleksandri Madh i Maqedonisë. Olimbia disa hapa mëtej, me familje e kafshë shtëpiake përballë,  në hyrje të “ Bit- Pazarit” me fëmijë në bark, gji e prehër tek këmbët e Urës Gurit. Filipi i Maqedonisë, burrërisht me grushtin lart si Xhaxhi Enver më këmbë, poashatu në hyerje të “Bit-Pazarit”. Realiteti: Nanëmadhja nuk u takon vetëm shqiptarëve, por gjithë botës përparimtare, mbarë njerëzimit.

Fatkeqësisht, mu si dje: shqiptarët ende vazhdojnë të merren me ndarjen e lugëve dhe enëve. Dhe, jo me Shtëpinë e Babait. Livadhet. Malet dhe arat. Politikë “madhore” bëjnë nëpër Katunde, e “maqedonasit” krah për krahu me shqiptarët “sejmenë” përmbrapa nëpër institurcionet e shtetit të “përbashkët”, u kënaqën duke i lexuar poezi njëri-tjetrit për Nanëmdhen nëpër Katunde. Dhe, pizi për Vitin e Skënderbeut. “Maqedonasit” para syve të botës u përgjigjen me pagëzimin e emrit si shtet i “përbashkët” pa gjuhë shqipe dhe shqiptarë.

“Fitoren” historike e festojnë në pesëmbëdhjetë qytete me këngë, valle dhe pizi. Akademi Shkencore nëpër Institucione shtetërore. Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Kulturore të Shqiptarëve e "arrin “kulminacionin”: Kryetarit të Akademisë të Shkencave të Maqedonisë i dhuron edhe një katalog për Nanëmadhen. Nuk e ditka, ky institucion i Shtetit të “përbashkët”, se: Nanëmadhja, ishte shqiptare?!

Turr mjetet e “pavarura” shqiptare të informacionit ta shpallin kush i pari “patriotizmin” e tij si lajm “ekskluziv” në publik. Propagandë e politikës ditore. Kalorësit e arratisur shqiptar të ASHM -së me nga dy-tre vende pune, pensione shtetërore e paga të majme mujore nga shteti i “përbashkët“, nuk distancohen pas gjumit dimëror shekullor. Përçudi, asnjëri nuk jep dorëheqje?! Përmëtepër, edhe vazhdojnë të anëtarsohren si anëtarë të rregulltë e nderi të kësaj Akedamie Shkencore?! 

Dalldisjet “letrare - poetike” vazhdojnë me vargje patetike deri në mengjes për Nanëmadhen. Skënderbeun. Shkupi lexon “ilahi” në “Bit-Pazar” për “Ramazan”. Vitin e Skënderbeut. Ftesa për anëtarsim në NATO. Bashkimin Evropian. Edhe, Ditën e Nesërme. Ndoshta, edhe pas një jave. Muaji. Viti. Shekulli.

Shqiptarët, siç duket ende nuk kanë politikanë për Ditën e Sotshme, mos e them për atë të Nesërmen Historike, me Diell mbi mal. Ama, kanë akademikë dhe poetë Katundi me shumicë e pakicë. Kutadi Unë, ndoshta ky soj i akademikëve dhe poetëve janë ato që do ta shpëtojnë Atdheun (“Vatanin”) nga Robëria shekullore. Ndoshta?!

Populli thotë: ku të dhembë dhëmbi, aty shkonë dhe gjuha. Përçudi, edhe mua gjuha më shkon tek dhëmbi: Koha erdhi, sot të mbes pa gra “besnike”, spiunë dhe “patriotë” kuqezi. Pasuri të cilët i kishim me bollëk në sistemin komunist: asaj kohe kishim edhe patriotë edhe spiunë. Sot, të gjithë u bënë “patriotë” shqiptar, pa asnjë spiun?! Rrezik! E mua, më ka marrë malli dhe kam filluar t’i dua spiunët?!

Përmëkeq, frikë kam, se: një ditë do të mbetem një Hu gardhi pa shkrime publicistike në Librin e ardhshëm për Nesër...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat