Prerja në Besë

Opinione

Prerja në Besë

Nga: Mr. Lulzim Beqiri Më: 2 gusht 2018 Në ora: 21:40
Lulzim Beqiri

Fenomeni i "besës" ndër shqiptarë paraqet vlerat më sublime etike, fetare, dokesore dhe shpirtërore.

Ky fenomen mbart me vete vlerat më të larta morale të shqiptarit, vlera mjaft autentike, me të cilat shqiptarët, sidomos në të kaluarën, dalloheshin nga popujt e tjerë. Besa, si fenomen unikat nuk mund të përkufizohet thjesht si sentiment sublim i mbajtjes së fjalës së dhënë, meqë ekziston dallimi mes fjalës së dhënë lidhur me lidhjen e një kontrate gojore, dhe besës si kategori elementare dhe fondamentale të lidhjes me besë.

Por ka një lloj njerëzish në Republikën e Kosovës të cilët edhe pse janë më të këqij se gjithë të tjerët, ata u shpëtojnë kontrollit të të gjithëve, këta i hanë çdo ditë njerëzit në besë, i presin në besë, i vrasin në besë, i vrasin duke shfrytëzuar gjithmonë besën, besimet, mirëbesimin e njerëzve.

Këta njerëz ky popull i vuajtur i ka votuar tash e 18 vite e prapë do t’i votoj sepse këta njerëz din të mashtrojnë, madje janë bërë ekspert të mashtrimeve, këta të pabesë na e shkatërruan edhe shpresën për të jetuar në këtë tokë, andaj nuk duhet zënë besë këtyre, mos harroni çdo popull ka në mesin e tij  njerëz që shesin vendin, familjen, ardhmërinë e fëmijëve të tyre.

Këta njerëz thyen besën dhënë Bacë Adem Jasharit, besën dhënë Zahir Pajazitit, thyen besën dhënë Ukshin Hotit, besën e thyen edhe me Mulla Idriz Gjilanit, besën e Mujë Krasniqit, Agim Ramadanit, thyen besën e Ibrahim Rugovës, thyen besën dhënë shqiptarëve të Preshevës, Ulqinit e Shkupit, këta janë politikanet e Kosovës.

Këta njerëz thyen besën kur pranuan pakon e Ahtisarit, e cila Kosovës për qindra vjet do ti kushtoj jashtëzakonisht shtrenjtë, si pasoj e kësaj pakoje 1/3 e territorit i takon okupatorit shekullor serb, jeni dëshmitar se si janë duke penguar edhe shtrimin e një rruge, e cila është vetëm urë lidhëse mes popujve. 

Këta njerëz thyen besën kur ndihmuan në krijimin e listës serbe, siç dihet dëmin më të madh Kosovës ia ka shkaktuar kjo listë e cila në gjirin e saj ka kriminel të cilët kanë vrarë, përdhunuar, e përzënë afër një milionë banorë të Kosovës, kjo listë famëkeqe determinon edhe politiken e qeverisë së Kosovës, kjo listë punon çdo sekondë që Republika e Kosovës të paraqitet si shtet i dështuar, e ne madje edhe i presim në zyrë zyrtarisht.

Këta thyen besën kur u pasuruan në kurriz të popullit, a e dini që shumica absolute janë milioner e miliarder, përderisa populli vuan për bukën e gojës, 15% e qytetarëve janë në asistencë sociale, papunësia deri në 40%, me një varfëri ekstreme, pasuria e tyre tejkalon edhe buxhetin e shtetit, ata kanë ndikuar edhe në biznes, secili nga ta është biznesmen i suksesshëm si për kuriozitet.

Thyen besën kur falen  mbi 8 mijë hektar tokë Malit të Zi, pa kurrfarë kriteri, si presion i Bashkësisë Ndërkombëtare dhe i strategjisë së gabuar, falën gurë e dru, mal e fusha, falen edhe varret e të parëve tanë.

Thyen besën kur dhanë kompanisë “Bechtel&Enka”, e cila po e ndërton autostradën për Shkup, “Arbën Xhaferi”, hiç më pak se 53 milionë euro pagesë shtesë për shkak të vonesave në kryerjen e pagesave. Tallje me buxhetin e tatimpaguesve kosovar, sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit janë 295,809,378 euro mjete të cilat nuk janë tërhequr/shpenzuar sipas marrëveshjeve të arritura me institucionet financiare ndërkombëtare, si pasojë e mospërputhjes së dinamikës kohore në mes të alokimit të kredive dhe realizimit të projekteve, vlera e paguar e tarifave të zotimit për mjetet e kredive të pa tërhequra nga huamarrësit arrin kuotën prej 890,000 euro.

Thyen besën duke vrarë shpresën për një vend pune, në mesin e qytetarëve kosovarë dominon perceptimi se pa i bërë gati 5.000 euro ose pa qenë në një parti politike, e ke të pamundur të punësohesh, pavarësisht se a i plotëson kriteret e parapara me konkurs për atë punë. Shumica dominuese e të punësuarve në Ministrinë e Financave janë jo ekonomistë, edhe pse çdo ditë janë pjesë e hartimit të politikave të ndryshme ekonomike e fiskale, pa analizuar edhe situatën konkrete në të cilën ndodhet Kosova.

Thyen besën në vitin 2014 ku Republika e Kosovës humbi 4.999 milionë euro nga skandali i pasaportave biometrike, Gjykata e Arbitrazhit me seli në Paris të Francës kishte dhënë opinionin e saj se Kosova kishte bërë shkelje ligjore, duke u dënuar shteti me shumën marramendëse. Edhe Gjykatat  vendore dënuan me burgim 7 persona me dënim 50 vite dhe shuma të mëdha parash për të njëjtin rast. Vlera e tenderit ishte 14 milionë e 127 mijë e 3.24 euro u nënshkrua në datën 17 qershor 2011. Pastaj kemi padinë nga Z Mobile ndaj VALA-s ku Arbitrazhi vendosi në favor të Z Mobile pra telekomi i Kosovës është i obliguar të paguajë 26.1 milionë euro gjobë.

Ka edhe qindra veprime të cilat kanë sjell situatën që shumë kosovar të ikin nga toka e tyre për një jetë më të mirë, por mendoj se nuk duhet humb shpresa se një ditë ka për t’u bërë mirë edhe në Kosovën tonë, ka për të pas rregull e drejtësia, këta politikan kanë për të na lënë të lirë që të krijojmë shtetin ashtu siç duhet pa haraç e pa nepotizëm, pa korrupsion e pa shantazh, andaj populli im i dashur duhet t’i bashkojmë forcat që të zhvillojmë këtë shtet e kemi obligim nga gjeneratat e kaluara.

Mbesim me shpresë për një ringjallje ekonomike të Kosovës, sepse është treni i fundit para se të shpërthejë një pakënaqësi totale e qytetarëve, dhe kam frikë se gjërat do të përkeqësohen shumë dhe do të vijë deri të trazirat e mëdha sociale. Në njërën anë politikanë milionerë, e nga ana tjetër njerëz që janë ka vuajnë për kafshatën e bukës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat