Zgjerimi i sanksioneve të SHBA-së mund ta sjellin Turqinë para bankrotimit - Bota Sot
Zgjerimi i sanksioneve të SHBA-së mund ta sjellin Turqinë para bankrotimit

Opinione

Zgjerimi i sanksioneve të SHBA-së mund ta sjellin Turqinë para bankrotimit

Nga: Sherif Ramabaja Më: 4 gusht 2018 Në ora: 19:42
Sherif Ramabaja

Uashingtoni pas paralajmërimit të sanksioneve ndaj Turqisë, i vuri në veprim ngase Turqia refuzoi  ta lironte pastorin Brunson, të cilin tash po e mbanë në arrest shtëpiak. Turqia po fajësohet se pastorin po e mban peng si këmbim për dorëzimin e Fethullah Gylenit nga SHBA-të. Erdogani po ndihet aq i fuqishëm sa po ka guximin që të matet me SHBA-në.

 Pas akuzave të ndërsjellta SHBA-të vendosën për sanksione ndaj Turqisë, që në realitet janë vetëm simbolike. Fjala është për ngrirjen e pasurisë ndaj dy ministrave të qeverisë së Erdoganit, që  SHBA-të po i bëjnë fajtor për burgosjen e pastorit Brunson. Posa u komunikuan sanksionet simbolike, menjëherë filloi zhvleftësimi i lirës turke. Inflacioni arriti rekordin në 16%, kurse tregjet financiare të investimeve filluan të luhaten.

Investorët kanë frikë nga zgjerimi i sanksioneve

Ky është vetëm fillimi i thellimit të krizës, ngase qeveria turke me krenarinë e saj nuk po shifet se dëshiron zgjidhjen. Uashingtoni me këto masa vetëm paralajmëroi Turqinë, sepse si partnere e Natos nuk i nevoitet një konfrontim i tillë me shtetin turk. Në të kundërten Komiteti i Punëve të Jashtme të Senatit të SHBA-ve ka ofruar ligjin që do të obligoi përfaqësuesit amerikanë në Bankën Botërore dhe në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim që t`i frenojnë kreditë e mëtutjeshme për Turqinë. Kjo do të ishte një goditje e rëndë për Ankaranë, për shkak se Turqia është në mesin e huamarrësve më të mëdhenjë të këtyre institucioneve financiare. Turqia vitin e kaluar nga Banka Botërore mori 927 milionë dollarë, kredi, kurse nga Banka Evropiane 1.8 miliardë dollarë. Bllokimin e kredive ndaj Turqisë duhet ta vendosë Senati dhe ta nënshkruaj presidenti, po vetëm përgaditja e këtij ligji ka sjellur frikë në tregjet financiare, që Turqinë po e sjellin buzë kolapsit.

Asnjë vend tjetër në botë nuk është i varur nga kapitali i huaj, se sa Turqia. Varësia e tillë madje ka arritur në mënyrë të vazhdueshme që kur erdhi Erdogani në pushtet. Kjo ndodh për shkak se vendi më tepër importon se sa eksporton, duke shkaktuar që të rritet deficiti. Ky deficit mund të kompenzohet vetëm nëse ka kapital të përhershëm që rrjedh në vend, aktualisht 200 milionë dollarë në ditë. Përkundrazi rreziku i një krize të bilancit të pagesave do të rritet. Më pas do të vinin falimentimet dhe standardi jetësor do të bie. Bankat mund të kenë vështirësi dhe njerëzit mund të humbasin kursimet e tyre.

A dëshiron SHBA që ta gjunjëzoi Turqinë?

Shikuar realisht SHBA-të nuk ka kurrfarë interesi që ta gjunjëzoi Turqinë. Përkundrazi, si partner të Natos, roli i Turqisë në Lindjen e Afërt dhe në përgjithësi në rajon i përgjigjet SHBA-së, që Turqia të ketë një rol të fuqishëm e konstruktiv.

Por sjelljet e fundit të Turqisë në Siri, aleanca me Putinin dhe Iranin si dhe polarizimi i shoqërisë turke nga Erdogani, kanë krijuar vështirësi në marëdhënjet mes dy vendeve. Si do të zhvillohen ngjarjet në të ardhmen e afërt, varet krejtësisht nga sjellja e Erdoganit dhe qeverisë turke. Në të kundërtën nga kokfortësia dhe krenaria e tillë do të pësojnë vetë dhe shteti i tyre.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat