Mallkimi i betejës së huaj

Opinione

Mallkimi i betejës së huaj

Nga: Gani Mehmetaj Më: 5 gusht 2018 Në ora: 11:32
Gani Mehmetaj

Udhëzimet e fundit të eprorëve nga Vjena i thoshin të thyente rregullat e gërmimeve: të kërkonte kryesoren, dëmtimet e vlenin po u gjet kryevarri. Përpiqej t’u kundërvihej urdhrave me monologun që e përsëriste shpesh: ai nuk do ta bënte këtë për asnjë çmim. -Jam arkeolog, nuk jam aventurist italian apo anadollak që kërkonin flori a shenja mbretërore për muzetë e tyre, ose më keq për tregun e zi, - më thoshte mua, ndërsa mendonte në eprorët e vet, të cilëve sigurisht nuk u përgjigjej në këtë mënyrë. Punëtorëve sikur u ra intensiteti në punë, u ra kureshtja. Prisnin të gjenin gjëra të çmuara: flori e argjend. Por sa herë e fusnin kazmën më thellë, dilte ndonjë gur i nxirë, copë qeramike apo kockë e drobitur. Në fantazinë e secilit prej tyre, kjo ua përkëdhelte ëndrrat edhe udhëheqjes së ekipit. Për habi shefat entuziazmoheshin kur gjenin ndonjë shenjë hekuri a metali, që s’paraqiste asnjë vlerë për tregun e zi të qytetit, ku njerëzit e konsullatave blinin gjëra të tilla me para të thata. Sa më shumë i afroheshin qendrës së varrimit, murmurimat shtoheshin.

Katedralja, apo ajo që kishte mbetur nga katedralja, dihej nga shumëkush. Për disa qe bërë faltore qysh kur s’mbahej në mend. Por i torturonte pasiguria, nëse prehej a jo trupi brenda. Legjenda aty e përcaktonte varrin e heroit të tyre. Fshehurazi në netët pa hënë luteshin, para këtyre rrënojave, i shtronin kërkesat e tyre, me shpresën se natën e ardhshme e ditëve në vijim do t’u jepej përgjigjja, do t’u plotësoheshin dëshirat. Kështu kishte qenë gjithmonë. Kështu do të jetë edhe në të ardhmen përjetë e mot. Thureshin legjenda për këtë varr, fliteshin mrekulli. Njerëzit e të dy besimeve, ata që ndërruan fe dhe ata që e mbajtën fenë e moçme, e shihnin me respekt. Kur nisën gërmimet, të gjithë luteshin që themeleve të katedrales të mos u afroheshin, varri të mos lëkundej, sepse do ta pësonin keq ata që do të vinin kazmat të parët, por edhe ata që jepnin urdhra.

Legjenda rrëfente kohën kur erdhën turqit, mësyn katedralen, ua vunë kazmën varreve të vjetra, u sulën si të çartur drejt kështjellës së qytetit, ranë në lumë në kërkim të gjërave të çmuara. Pëshpëritej se të gjithë ata patën fund të frikshëm: e morën malin njëri pas tjetrit me kokën që e mbanin me duar të mos u pëlciste, të tjerët ranë në fushëbetejë me dhimbje të tmerrshme, disa i goditi e liga në familje, u shuan fare. Ata që rrëfenin, rrëqetheshin. Asgjë e mirë nuk i priste as ata që iu sulën më vonë kryevarrit për të rrëmbyer ndonjë gjësend me vlerë. Fatkëqijtë nuk u kthyen kurrë në shtëpitë e tyre. Goditja e ndëshkimit i kapte rrugës, dergjeshin në guva a gërxhe me trupin e bërë shosh nga plumbat e të shqyer nga ujqërit. # Punëtorët e shkalafitur nga vapa gërmonin e shihnin njëri-tjetrin. Pushonin pak, shikonin diellin, pastaj kalimtarët e rastit, përgjonin ndonjërin që u thoshte në të kaluar: pse nuk i lini të vdekurit në paqe? Dikur punëtorët nisën të rralloheshin.

Rrinin ata më të këputurit, që s’kishin ku të shkonin. Boshllëqet e krijuara, togeri i plotësonte me jevgjit që i morën nga Podgorica për shtrimin e xhadesë. Në mbrëmje kur shtrihej në tendën e fushimit, apo ditën kur shikonte nga hija e fikut, ushtaraku austriak përpiqej të konsultonte hartat e planimetrinë e kishës së bashku me terrenin përreth. Përpiqej të gjente objektet e ngjashme, sepse e brente dyshimi. Si do t’ia bënte po qëlluan dy vendvarrime: varri i gënjeshtërt e varri i vërtetë. Ku duhej ta kërkonte varrin e rremë e ku të vërtetin? Nuk e kapte dot. Athua ishte aty ku gërmonte, pranë katedrales? Po në kështjellë? Katakombet e ruanin fshehtësinë e varrit, por edhe fshehtësinë e rrugëtimit nëntokësor për të mashtruar armikun.

“Fundja katakombet për këtë qëllim u bënë: të fshihnin diçka që ndëshkohej nga pushtuesi”, i tha vetes. Kur e hidhte shikimin nga kështjella, kodra i dukej si të qe stisur më vonë, pasi u krijua toka e qielli. Zoti pa se kishte lënë diçka mangu, prandaj hodhi ca gurë e dhe. Hartat topografike nuk e gënjenin. Megjithatë ato nuk i tregonin ku është varri kryesor. Profesori i pati thënë se duhej të konsultonte edhe arkivat shqiptare e turke. Nga Vjena ai nuk e dinte se arkivat shqiptare u zhdukën, nuk gjeti asgjë, i morën të tjerët para tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat