Galipoli (Çanakala) ishte varri më i madh i ushtarëve shqiptarë të rekrutuar me dhunë

Opinione

Galipoli (Çanakala) ishte varri më i madh i ushtarëve shqiptarë të rekrutuar me dhunë

Nga: Gani Mehmetaj Më: 6 gusht 2018 Në ora: 15:32
Gani Mehmetaj

Një ditë iu kujtua zyrtari turk që e takoi në legatën austriake. Turqia vlonte nga kaosi. Dikur administratorët e kronistët e tyre mbanin shënime të sakta për Gadishullin. Çdo ekspeditë e sulltanit dhe e gjeneralëve të Portës, merrte me vete kronistë që të përjetësonin luftën. Prandaj, ia kërkoi atasheu turk ndonjë të dhënë të kohës. Nuk vonoi kur erdhi me një libër nën sqetull. Duke u drejtuar nga vendi i gërmimeve, ecte në majë të gishtërinjve. Pas përshëndetjes paksa të pazakonshme, togeri mori dhuratën e turkut me veshje alla franga. Ilustrimet miniaturale e provokuan që t’ia niste shfletimit në prani të atasheut. Por u kujtua ku ishte, mbylli kopertinat, duke falënderuar atasheun, i ofroi kafe terreni, por mysafiri e refuzoi me kujdes, sepse, siç tha, nxitonte. Arriti ta përgëzonte me një –“Mashallah, mashallah! Paskëshit bërë goxha punë!”  

Iku  ashtu si erdhi, si hije me një përkulje të thellë. Nuk i folëm asnjëherë njëri-tjetrit, madje as u përshëndetëm.

-Aleatët i keni të shkalafitur si këta punëtorë e molisur nga vapa,- ia thashë me ironi, duke menduar tek atasheu që u largua me temena.

-Ka perënduar koha e tyre, - ma ktheu me përbuzje, - nuk janë të zotët për asgjë. Në tërë operacionet, ata duhej të mbanin pikat strategjike të Grykës së Dardaneleve. Dhe megjithatë ua dorëzuan anglezëve, ashtu sikurse e dorëzuan Kostandinopojën. Pastaj, u tërhoqën nga lufta, sikur lufta të qe ballo, ku futesh e del si të vijë për mbarë.

- Ishin mizorë kur e kishin pushtetin, - nuk u përmbajta. - Për tmerr vjet masakruan mbi një milion armenë,-  i fola me pëshpërimë. Ai heshtte. Pastaj i fola për Galipolin -varrin e shqiptarëve.

-  Galipoli (Çanakala) ishte varri më i madh i ushtarëve shqiptarë të rekrutuar me dhunë e mashtrime në Luftën e Madhe, - ia nisa më pikëllim. Zëri nisi të më dridhej. Shikimi i tij më thoshte të vazhdoja, ndërsa unë përpiqesha të isha më i përmbajtur.

- Nuk e dija që edhe ushtarët tuaj morën pjesë në luftën e Galipolit, - më tha po aq i befasuar. - Domethënë ata ishin në anën tonë?

 –Morën pjesë dhe u vranë nga i pari tek i fundit, - ia përsërita si i përhumbur, – por nuk ishin në anën e askujt, ishin mish për top. -  Zëri më vinte si nga fundi i detit, atje ku i hodhën ushtarët e vrarë shqiptarë.

-Si u futën në luftë atëherë, sepse ju nuk u deklaruat për asnjërën aleancë.

 - Refugjatë shqiptarë që i braktisën vatrat e tyre nga masakrat serbe, kalonin javët e muajt nën qiellin e hapur, në djerrinat e Edrenesë. Autoritetet ushtarake turke nuk e patën vështirë t’i mobilizojnë. U thanë: serbët e rusët ia bëhen para Grykës së Dardaneleve, i frikësuan se do t’ua përdhunonin nënat e motrat para syve, po nuk e mbrojtën Çanakalanë. Burrave të frikësuar u dhanë armë e municion, pak ushqime dhe i futën në llogore. Asnjëri nuk doli gjallë. Vala tjetër e ushtarëve shqiptarë, që e plotësoi kontingjentin e shuar, erdhën nga shkretëtirat arabe. Ata nuk e kishin idenë për ngjarjet në atdheun e tyre, nuk e dinin se Turqia po shpartallohej, prandaj i futën në luftë pa u dhënë mundësi tjetër. Dhe u grinë nga plumbat e mortajat pa e marrë vesh as kundër kujt luftuan as pse luftuan. Turqia në aleancë me boshtin e krishterë (Austro-Hungari, Gjermani), luftonte kundër anglo-francezëve, po ashtu të krishterë, ndërsa turqve e popujve të tjerë që i kishin nën sundim, u thoshin se bëjnë luftë të shenjtë për islamin. Shqiptarët e mi luftuan e vdiqën kot, - i thashë me zemërplasje togerit austriak, pa qenë i sigurt nëse më kuptonte apo jo.

Nuk ia thashë se turqit kishin mëri të vjetra me shqiptarët. Asnjëherë nuk e harruan fyerjen që ua bëri Skënderbeu, as rezistencën e vazhdueshme kryeneçe gati deri në shfarosje të shqiptarëve. Prandaj,  “shehidet” e Çanakalasë qenë të mirëseardhur: në njërën anë u bënë mish për top, në anën tjetër u merrej haku për turqit e vrarë në Shqipëri.   

- Interesante qenka kjo betejë, - më tha togeri,- ushtria e Mbretërisë Britanike angazhoi ushtarët australianë, të cilët u vranë deri në një.

Instinktivisht nisa të shfletoja librin, që ma dha togeri, të qetësohesha nga pamjet e ushtarëve shqiptarë në Galipol. Më dhimbseshin edhe ushtarët australianë që ranë gërxheve. Druaja se do të rrëmbehesha ende me pësimet tona.

Kur nisa ta shfletoja librin, duart ende më dridheshin nga emocionet. Që në fillim më ra në sy periudha e nënvizuar. Ta ketë bërë për togerin, apo e dinte se libri do të më binte në dorë?

 "Të gjithë djemtë e vashat e tyre u kapën dhe u bënë robër, ndërsa meshkujt e rritur u mblodhën dhe u lidhën me zinxhirë.... Arsyeja e kësaj në Shqipëri ishte se raca shqiptare është bërë e tillë që në karakterin e saj kanë hedhur rrënjë mosbindja, këmbëngulja, rebelimi e arroganca. ...Ata derra qenë nënshtruar dhe kishin pranuar zinxhirin vetëm nga tmerri prej kordhës gjakderdhëse të Sovranit... Atëherë u dha urdhri të shtroheshin në bindje ata harbutë të pafe. Për këtë arsye, në çdo vendqëndrim sillnin para Sovranit fitimtar meshkujt e lidhur me zinxhirë që luftëtarët guximtarë e të shkathët të islamit me një të rënë të shpatës, - fap-fap – i ekzekutonin.... Pati ndalesa ku u shkuan në shpatë deri në tri mijë, katër mijë, shtatë mijë të pafe".
"Prej kufomave të shumta, lugina të thella tanimë ngjasonin si të ishin kodra...”

Kështu shkruante kronisti turk. Ishte trimëri të ekzekutoheshin robërit e lidhur me zinxhir? Një raport i tillë më pështiroste. Dy herë u mata ta fërfëlloja librin, ta bëja copë e grimë, por prapë e përmbaja vetën. Pesëqind vjet na ndante nga kjo masakër. Vazhdova ta shfletoja për arsyen që më interesonte, por kronisti i sulltanit nuk shkruante për asnjë zhvarrim. Ai fliste për qytetin e djegur, për banorët që e braktisën qytetin në tym e flakë. Tri ditët e ushtarëve krijuan rrëmujë. Qyteti vazhdonte të digjej. Kronisti nuk e thoshte nëse u bë ndonjë dhunim varri. Megjithatë jashtë kësaj kronike, varri i Gjergj Kastriotit thuhet se qe dhunuar, eshtrat e tij u përhapën, aty ku shkuan ushtarët në pushtime e plaçkitje.

Shkëputesha nga tmerri i qytetit që digjej, me klithmën e grave e fëmijëve, që e mbushnin ajrin me lemeri. I kthehesha kronikës së Barletit me bëmat e lavdishme, por me fundin e pikëlluar. Sikur t’ua mbushte mendjen kronika e Barletit, osmanët nuk do ta nisnin një ekspeditë zhvarrimi. Athua patën informacione të fshehta, ose shpresonin se varri nuk ishte prekur. Ishte varri më i rëndësishëm e më i ruajturi në mbretërinë e arbërorëve. Mund të besohet që ushtarët e leckosur ta kenë gjetur me të parën? Doja ta besoja se ata më parë se varrin duhet të kenë kërkuar flori, argjend e plaçka të tjera me vlerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat