Zeqir Halili, 100 vite nga rënia dhe flijimi për liri!

Opinione

Zeqir Halili, 100 vite nga rënia dhe flijimi për liri!

Nga: Gani Qarri Më: 18 gusht 2018 Në ora: 06:16
Gani Qarri

Sa ka dhënë Malësia trima

Nuk kanë dhënë disa krahina!

Ky do duhej të ishte refreni nderues apo himni i përhershëm përkujtimor, në shenj respekti ndaj të gjithë heronjve më sublim të Malësisë, e sidomos, në rastet si ky sot, kur në datën e 100 vjetorit të rënies, flitet për trima të veçantë dhe me emër historik, si Zeqir Halili me shokë.

Çdo vendi-kudo qoftë ai, pa marrë parasysh madhësinë, pozitën dhe shtrirjen gjeografike, vlerën dhe madhështinë ia përcaktojnë bijtë e vet, përmasa e të cilave varet nga bëmat dhe vepra që ata kanë lënë për gjallje të tyre. 

Të gjithë jemi dëshmitar se emrin e mirë Malësisë së Gjakovës, ia dhanë heronjtë, ndaj në këtë rrafsh, mund të themi me plotë gojën dhe krenari sipërore, se ajo ishte dhe mbeti amë e përhershme heroizmi e trimërie, e cila lindi bij të pushkës dhe të fjalës burrërore, që përherë "Zanin e Nanës" e quan lartë e më lartë, gjithandej dhe në të katër anët e globit tokësor.

Burrat më të përmendur të saj, ngritën e lartësuan vendlindjen, nderuan kombin dhe mbështollën gjithë atdheun me lavdi!

Të nderuar pasardhës të Zeqir Halilit

E nderuara familje dhe pinjoll të heroit

Të nderuar organizator dhe pjesëmarrës të këtij tubimi madhështor;

Sot bëhen plot 100 vite nga rënia tragjike e heroit të kombit Zeqir Halili si dhe Dy Bajramave të mirënjohur për trimëri.

Bajram Manit asokohe Bajraktar i Krasniqes si dhe Bajram Nimanit, trim i njohur dhe kryengritës me nam nga fshati Margegaj (po ashtu i Krasniqes),të cilët që nga viti 1910 e deri më 1915, ishin bërë shembull për heroizmat kundër forcave pushtuese turke dhe atyre serbo- malazeze, si bashkëluftëtar dhe bashkëpunëtorë të ngushtë të Zeqir Halilit.

Edhe në këtë ditë kur me nderimin më të lartë dhe pietet të veçantë kujtojmë figurën më emblematike të njërit nga pasardhësit më të ndritshëm të konakut të Binak Alisë dhe Malësisë së Gjakovës, si heroi Zeqir Halili dhe bashkëluftëtarëve të cilët brez pas brezi luftuan e ranë për komb e atdhe dhe gjithë Shqipërinë etnike, më kujtohet se si duke lexuar e studiuar historitë e shumë heronjve të kombit, në të gjitha përpjesëtimet nga krahina në krahinë, numri më i madh i tyre, gjithmonë më dilte të jenë nga Malësia. 

Ata ose kishin lindur këtu ose ishin rritur e burrëruar në kullat e saj, apo të paktën kishin origjinë nga kjo trevë kreshnikësh, duke filluar nga Binak Alia, Mic Sokoli, Bajram Curri, Haxhi Zekë Biberi,Ali Ibër Neza, Shaban Binaku, Abdullah Hoxha, Zeqir Halili, Bajram Mani, Bajram Nimani e shumë të tjerë.

Për hirë të emër-mëdhenjëve të këtij vendi, të cilët çështjen kombëtare e kishin prioritet në jetën dhe veprën e tyre, nuk munda ta vazhdoja tekstin pa theksuar që në fillim, një fenomen të veçantë dhe shumë domethënës, që, megjithëse të përkufizuar në vetëm dy rreshta, mungesa e tij, më dukej se zbehte përmbajtjen e tekstit dhe e bënte  shkrimin pa kuptim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat