A spiunojnë të vdekurit

Opinione

A spiunojnë të vdekurit

Nga: Sefedin Krasniqi Më: 20 gusht 2018 Në ora: 18:30
Sefedin Krasniqi

Për ta evituar një shtrenjtim bilete të aeropolanit, disa muaj para ditës së fluturimit, e blen me çmim të lirë dhe fare s’e di a do të bëhen punët apo do ta lejojë shëndeti të fluturosh për vendlindje. Gjëja e dytë që bënë, planifikon se kë do ta takosh veç familjes që edhe po deshe s’mund ta anashkalosh. Vjen dita dhe nga cilido kënd i Europes për tri orë mbërrinë në aeroportin « Adem Jashari » në Prishtinë. I gëzuar, duke zbritur shkallëve të aeropolanit, ndez celularin dhe pret të paraqitet rrjeti për të dërguar një SMS, që ke mbërri mirë. Pas pak minutave ndodhesh në hollin e aeroportit, aty ku fillon mbretëria e policëve të ngathtë, që lënë përshtypjen që bëjnë qëllimshëm me një konroll sikur donë të thonë, « po ç’dreqin keni ardhur  dhe na nxirrni punë » ! Nuk janë vetëm të ngathtë por edhe hijerëndë si dhe të gatshëm të qortojnë për imtësira. Sidomos, ai polici i cili gjoja mban rendin, para sporteleve të kontrollit të pasaportve. Ai rri aty  fare panevojshëm, sepse askush nuk shtyhet askush nuk kalon pa rend. Pas 30 a 45 minutave, ndonjëherë një orë, kalon doganën. Takohesh me njerezit tu, ofshan dy a tre herë dhe i « harron » të gjitha.

As dëshmorët as betejat s’i kemi të njëjta

Sapo mbërrin në shtepi apo banesë fillon me SMS dhe i lajmëron të gjithë ata që i do, por për shumicën e tyre s’e di kurrë se a të donë edhe pse bëhen që shpirti i lëshon për ty. Zgjedh ndonjërin që të pëlqen më shumë apo që ke ndonjë punë me të dhe cakton takimin në një kafene, restoran. Nuk është me rëndësi, por dihet që në fund të ndejes i paguan të gjitha ti dhe jo vetëm njëherë, por vazhdimisht. Kjo është futur në mentalitetin e të gjithëve në Kosovë, sepse ti je njeri që vjen nga Diaspora ! Gjatë ndejes me familjarin, mikun apo dashamirin tënd, ti nuk i fton, por habitesh sesi mbushet tavolina me persona tjerë që ti herë i njeh, e shpesh fare. Ndizet muhabeti. Secili filozofon në mënyrën e vet. E thërrasin njëri-tjetrin « komandant ». Hëm, thua vetmeveti, athua ku kanë luftuar këta ? Sa beteja kanë udhëhequr,  e sa i kanë fituar. Sa vjeç ishin kur ndodhi lufta ? Ende s’paska mbaruar lufta !? Dhe, dhjetra pyetje tjera duke lodhur vetveten ! Dalngadalë, vëren se dëshmorët tu, nuk janë edhe të tyre dhe anasjelltas. Komandantët tu nuk janë edhe të tyre. Edhe UÇK e jotja, nuk është e tyre ! Të mos flasim për këngëtarë apo artistë e poetë e shkrimtarë. Për këta të fundit as që dijnë gjë. Nëse, rastësisht u flet për ta, ta kthejnë « çka osht ky sen » ?Më tragjikja është kur e kupton se patriotët tu, janë tradhtarët e tyre dhe anasjelltas. Në këtë ambient të trishtë, ti vendos të heshtësh, por nuk të lënë. Dhe kjo është pjesa më e zorshme. Fillojnë pyetjet dhe inspektimi  për të zbuluar « me kon je ti ».  Nëse di të rezistosh në këto pyetje dhe shpreh neutralitet, acarohen. Nëse rrëshqet dhe bjen në kurthin e tyre dhe flet për X personin, mos u habit nëse nga NY (ta zëmë) i njëjti përson të dërgon një SMS dhe të pyet, « si po kalon në KS » dhe ta thotë emrin e kafenesë ku ndodhesh!? Në vend se t’i përgjigjesh X-it, i shikon ngadalë përreth të pranishmit. Duke i fshehur emocionet,  pyet vetveten,  cili është spiuni këtu? Këtë inspektim të kujdesshëm, ta nderpret tjetri « edhe unë deshta me ta bo ni pytje ». As pyetja e tretë nuk mungon, e tjera në vazhdim dhe e  ndien veten sikur në një stacion policor. Mirë që marrja në pyetje zhvillohet shqip, edhe pse për nostalgji, ndonjëri ia fut me ironi ndonjë fjalë serbisht sa për të treguar fodullëkun e vet prej filoserbi të dalur boje.

Hajde punë o dreq…

Një shoqëri ku secili spiunin dhe është i spiunuar

Ende pa mbaruar ndeja apo në ditët në vazhdim, takohesh si pahiri prapë me ata njerëz dhe secili të flet e spiunon  për tjetrin ; « po të them veç ty, por filani punon për SHIK dhe është i gjuajtur në filan partinë ». Dhe ky filani tjetër, të nesermën të takon dhe të thotë, « e pe ai çfarë pyetje të boni » ? « Mbaje për vete,  se ai punon për SHIK dhe është i gjuajtur në atë apo këtë parti ». Ata më të « guximshmit », pa ngurrim të thonë, se punojnë për MI6, MIT (turk) apo CIA ! Më e preferuara mbetet CIA. Madje t’i tregojnë edhe shenjat dalluese dhe sikur donë me të çmend nga frika apo nga fuqia e tyre prej spiuni, t’i tregojnë haptas. Më besoni, secili spiunon për tjetrin dhe është i spiunuar nga tjetri dhe gjithë ditën rrinë bashkë me një kafe për pak lekë, siç më tha njëri,  që ua paguajnë këto sherbime intelegjente. E po nëse vërtetë kanë angazhuar njerëz të tillë, do t’i quaja sherbime budallaqe ! Ky i njëjti person që më tregoi historinë e bredhësve të rrugëve, parkingjeve dhe kafeneve, më tregoi se këto shenja dalluese, të sherbimeve të fshehta, i blejnë në Shqipëri për një grusht lekë. Më të kërkuarat, si më intelegjentët, prapë janë shenjat e CIA-s ! Prandaj, kushtojnë pak më shtrenjtë. Njëri për të më fascinuar apo frikësuar ma tregoi një lloj libreze të kuqe ku shkruante Republika e Kosoves dhe pe¨r të më bindur më tha që në vjeshtë, pa caktuar datë as muaj, duhej të shkonte në një bazë të Forcave Ushtarake të SHBA në Gjermani, për trajnim. Për t’ia bërë qefin dhe për ta trullosur pakëz, i thash, ndoshta në Düisburg, ku ka pas qenë edhe Tahir Zemaj. Nuk di pse, por kur ia përmenda kolonelin, në fytyrë i ra një pamje e zymtë. E vërteta është se nuk dija gjë për kolonelin dhe as që kishim biseduar ndonjëherë për këto gjëra, por ky ahmaku, vërtetë mendoi që i besoja. Ndoshta në ndonjë mjedis apo ndaj një « naivi » të diasporës edhe e ka përdoruar këtë krahasim me kolonelin për të treguar « sa lartë ka mbërri, by… e tij» !

A spiunojnë të vdekurit?

I ndodhur në mesin e këtyre krijesave spiunësh narcistë, të shkon mendja të pyetësh athua a spiunojnë të vdekurit ? A bëjnë edhe ata konspiracion ? A ka sherbime sekrete atje ? A ka deshmorë dhe veteranë lufte ? Të shkon mendja,  si të hysh në komunikim me ta për të parë si janë t’organizuar. Por me cilën kategori, me të afërmit, ata që të janë dukur më të drejtë apo dëshmorët si kategori më pak hileçare. Vendosa ta pyes një kushëri timin që shpesh më ka bërë të qeshem me batutat  e tij.

Ia dërgoj një pyetje me SMS

Më shkruan me ngulm e rrëmujshëm, sikur ta kishte shpirtin në fyt : « Unë kam ndërruar mendimin për dëshmorët Bacë» !  «Nga ata të Zhilivodës, veç Avdylin e Muslisë e njoh për ndëshmor». Groteske, por ky është mendimi i tij.  Them, dikush sigurisht ia ka plasur zemrën edhe këtij !

Si shakaxhi që është, kusheriri im, nuk më habiti shumë  pasi Avdyli Muslisë ishte një burrë me të meta psikike me një shkallë të theksuar. I ndjeri, madje as nuk dëgjonte dhe fliste vetmeveti me zë të lartë. Të folmen e tij nuk ia kuptonim gati kurrë dhe askush. Nuk dinim, a na shante,  na gjykonte apo ndoshta na uronte. Kur vërente se nuk e kuptonim, pasi e pyetnim disa herë të përseriste çfarë thoshte, ai qeshte me zë duke i hapur buzët të cilat ia venin në pah dy a tre dhëmbë që i kishin mbetur, krejt ngjyrë jeshile nga duhani kontrabandë. 

Më 22 shtator 1998, herët në mëngjes, pa zbardhur drita, kriminelët serbë e kishin sulmuar Zhilivodën duke granatuar me altileri të rëndë dhe e kishin bërë « pirinishan », siç thoshte, i ndjeri,  axha Alush. Asnjë shtëpi nuk kishte rezistuar. Banorët duke ikur, iu kishin qepur Lugut të Ahishtes dhe Rrezes së Kishës. Kur kishin dalur në maje të Çiçavicës (Qyqyvicës), te Vorri Hoxhës dhe kishin menduar se shpëtuan, kriminelët tjerë serbë, i kishin sulmuar me të njëjtat mjete, duke i goditur,  nga Ferronikeli i Drenasit.

Qëndresa e Avdylit

Vetëm Avdyli Muslisë s’kishte lëvizur këmbën. I pa armatosur, me një cigare të dredhur, ngjitur në buzë, në mënyrë madhështore iu kishte dalur përpara kriminelëve serbë. U kishte folur me zë diçka që askush nuk do ta kuptonte dhe kishte qeshur fortë, si zakonisht. Kriminelët ishin ndier të ofenduar, të tallur dhe të ngacëmuar nga kjo « rezistencë » e Avdylit dhe askush s’e di sa kriminelë e sa plumba të kallashit kishin zbrazur mbit rupin e tij. Ia kishin bërë trupin shoshë ! Serbët kishin treguar se nuk e durojnë turpërimin. Por, as Avdyli s’ishte dorëzuar. Kishte folur dhe qeshur heroikisht dhe rënë heroikisht për “çeshtjen kombëtare”, siç më tha në një SMS tjetër, kusheriri im!

Ky është versioni që kam dëgjuar. Ndoshta, versioni i vëtetë i vrasjes së Avdylit të Muslisë është tjetër, shumë më i ndieshëm dhe më heroik. Sidoqoftë, ai nuk ishte fshehur në ndonjë kosh apo kasollë qenësh, as nuk ia kishte mbathur bjeshkës së Çiçavices (Qyqavicës) sikur të tjerët. Ushtarët kishin bërë, edhe ata, “tërheqje taktike”!   

Problemi me vetveten

Tash u gjenda para një dileme të madhe. Thash vetmeveti, nëse Avdyli nuk është dorëzuar para kriminelëve serbë, atëherë pse do të pranonte të rrëfehej para meje në mënyrë paqësore? Nëse përballja e Avdylit të Muslisë ishte aq dinjitoze saqë i kishte nënçmuar serbët e armatosur rënd me të qeshurat e zëshme dhe me cigaren pa e lëvizur nga buza,  në anën e djathtë të buzëve, pse do të ligështohej para meje dhe të më tregojë, a spiunojnë të vdekurit ? Po edhe sikur të pranonte të rrëfehej, pse të rrëfehej pikërisht para meje? Madje, a do të mund ta kuptoja rrëfimin e tij, pasi s’e kemi kuptuar kurrnjëherë!?

Ndoshta Avdyli me të qeshurën e tij, i ka ironizuar serbët për tankun e mbetur në përroin e fshatit dhe pasi askush nga ushtarët tonë nuk kishte mundur, apo ditur, ta ndezte dhe ta lëvizte nga vendi, derisa serbët, kishin ardhë përseri dhe, në pikë të ditës,  e kishin terhjekur. Asnjë plumb, askush, s’e kishte zbrazuar!    

Në këtë kakofoni mendimesh, më në fund e ngushëllova veten dhe thash, kur të shkoj në Kosovë do t’ia blej një kurorë Avdylit  dhe sadopak  do t’ia zbukuroj varrin, por paraprakisht duhet t’ia gjej. Nuk di as kush e ka varrosur as ku? Në cilat varre është i varrosur, sepse Zhilivoda shtrihet në mes të shtatë palë varreve që i di unë. Ndoshta, banorët  tjerët dijnë më shumë pika varresh, por e di që në Zhilivodë hihet nga të katër anët e horizontit dhe është e pamundur të mos kalosh pranë varreve. E di që lagjja e Avdylit i ka pasur varret e veta, që gjenden pas Kodres së fshatit, në drejtim të Shtepisë së Përpales dhe Guri t’Kishes.  Ato i quanim varret e Lutajve.    

Ndjesë pastë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat