Trupat tartare e turke erdhën si qentë e çartur para katedrales

Opinione

Trupat tartare e turke erdhën si qentë e çartur para katedrales

Nga: Gani Mehmetaj Më: 22 gusht 2018 Në ora: 15:34
Gani Mehmetaj

Më kap tmerri kur e parafytyroj fundin e fatkeqit të linçuar nga banorët që shkumëzonin nga tërbimi. Shëmtira të tilla ndodhën edhe në fillim të luftës, kur dyshohej se armiku spiunonte, kështu që çdo njeri që nuk e fliste mirë gjuhën e arbërorëve e pësonte keq, madje e pësonin edhe ata që nga frika belbëzonin. Më treguan se pati edhe situata tragjikomike.

Grupe serbësh që plaçkitnin në kohë lufte, ndërsa pastaj gjenerali Pikolomini urdhëroi të dëboheshin, sepse i solli, duke shpresuar se do të ndihmonin kundër turkut, nuk e braktisën Dardaninë. Mbeten tek-tuk për fatkeqësinë e tyre. Të irrituar nga ta, arbërorët e armatosur ndalnin në rrugë të panjohurit, me dyshimin se janë serbë, i detyronin të thoshin: Thura, tharkun e thive me thupra thane. Ndonjë fatkeq i cili në vend të kësaj formule, thoshte tura, tarkun e tive me tupra tane, e linçonin. Këtë fat e pësonin edhe turqit e mbetur, të cilët për fatkeqësinë e tyre kishin ardhur nga fundi i Anadollit, që të gjenin vdekjen në katundet e humbura të Arbërisë.         

Në rrugëtimin tim në tokat e shkreta, disave që ende frika nuk ua errësoi arsyen më pyetën: padër, pse na ndëshkoi Zoti kaq mizorisht? Çfarë i bëmë? 

Nuk dita ç’t’u thosha, nuk kisha përgjigje as për vete. Atyre ua ktheva përgjigjen ngushëlluese: nuk dihet asnjëherë vullnesa e Zotit, nuk dihet qëllimi i tij përfundimtar. Ata më shikuan me shpresa të shuara e me pikëllim të thellë në sy. Ata nuk besonin dhe nuk shpresonin më në asgjë. Zoti prapë i braktisi kur e patën lirinë aq afër. E dinin çfarë i priste, bënin rojë ditën e natën.       

Shkëlqesi, më e tmerrshmja ishte kur hordhitë turke e tartare hynë në Prishtinë. Ata bënë kërdinë, vranë gra e fëmijë. Aziatikët depërtuan nga Nishi, qytet të cilin tashmë e shtinë  në dorë, sepse austriakët u tërhoqën përtej Danubit.

Ndërkaq, me të kuptuar ku ishte varri i imzot Bogdanit, trupat tartare e turke erdhën si qentë e çartur para katedrales, në qendër të qytetit. Ngrehinës ia vunë zjarrin, silleshin rreth e rrotull si kanibalët rreth presë kur e piqnin në hell. Kështu e dogjën  gjysmën e godinës, një godinë madhështore, ndër më të mëdhatë në Arbëri.

Trupat aziatike bënë akte të shëmtuara kundër banorëve vendës. Bënë aktin tjetër të shëmtuar të paparë në botën e qytetëruar: ia nxorën eshtrat nga varri ipeshkvit tonë, i hodhën nëpër djerrina, i ndollën qentë që t’i hanë. Një lemeri e tillë i bëri qytetarët që shpëtuan të marrin ikën, t’ia mbajnë nga sytë këmbët.

Disa bëjnë be në të gjithë shenjtorët se në terrin e natës, ndërsa i ndriçonte ndonjë flakadan i godinës që digjej, panë se si ushtarët turq e tartarë nga tërbimi nxirrnin eshtra nga varret dhe i kafshonin si qentë e çartur, aq shumë i grinte tërbimi e urrejtja.  

Të tjerët thonë se eshtrat e ipeshkvit tonë nuk i gjetën në varr, nuk i gjetën as në katakombet e katedrales, ku shpresonin se mund të ishin fshehur në strehimoret nëntokësore. Prandaj, ushtarët e huaj  në shenjë hakmarrje ia përdhosën  varrin, ia thyen gurët e varrit, e nxorën arkëmortin jashtë.

Pëshpëritet se trupi i imzot Bogdanit u rivarros gjetiu. Askush ose pakkush e di ku i prehen eshtrat. Ka edhe zëra që thonë se trupi i tij nuk u gjet në varr, ata pëshpëritnin diçka tjetër, pëshpërimë e cila nuk do të dalë kurrë nga goja ime, as sot, as mot, sepse nuk më takon mua të bëj krahasime të pakrahasueshme, megjithëse bëjnë be e rrufe ata se ai ishte në varr dhe nuk është më.

 Ipeshkvin tonë e mbështjell oreoli i lavdisë, por edhe thagma e shenjtërisë. Ai ishte i shenjtë në të gjallë, duhet të shenjtërohet në amshim. Populli edhe në këto ditë të rënda ka nisur ta ngrejë në qiell emrin e lavdinë e tij.      

Megjithëse është ditë zie e pikëllimi të thellë, megjithëse tokat e Arbërisë asnjëherë nuk ishin në gjendje më të rëndë, qysh nga vdekja e Skënderbeut, më duhet t’ju themi se patëm ditë të lavdishme. Prapë më duhet të bëj krahasime: asnjëherë nuk ishim më të organizuar e më të fortë që nga koha e mbretit Gjergj, asnjëherë nuk ishim më të afërt e më të dashur me njëri-tjetrin, “je arbëror, je im vëlla”, e përsërisnim fjalën e vjetër mallëngjyese të arbëreshëve.

 Forcat tona të armatosura në kulmin e lavdisë iu kundërvunë me sukses pushtuesit turk, i cili vuri në veprim tartarët e Krimesë, por edhe çetat serbe e bullgare, të cilat janë të njohura për mizorit ndaj popullatës.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat