Gryka e Kaçanikut u bë si Gryka e Termopileve

Opinione

Gryka e Kaçanikut u bë si Gryka e Termopileve

Nga: Gani Mehmetaj Më: 23 gusht 2018 Në ora: 15:56
Gani Mehmetaj

Gjenerali austriak, Pikolomini, u mahnit nga organizmi ynë, ashtu sikurse na lavdëroi për trimërinë. Për një apo dy muaj ushtria e Arbërisë çliroi Shkupin, Tetovën, Prishtinën, Prizrenin e Pejën, ndërsa ende pa u futur në Shkodër e Lezhë, trupat turke e tartare ia mbathën me të katrat, para forcave të armatosura të Kelmendit e Berishës, duke kaluar nëpër Qafë-Thanë, sepse shteg tjetër ikjeje tanët nuk u lanë. Por trupat arbërore në Strugë e Ohër u dolën para.

Lajmet që na vinin nga Jugu thonë se asnjë ushtar i huaj nuk shpëtoi, pos kasnecëve të tyre që duhej të tregonin për mynxyrat që i prisnin po u kthyen prapë në tokat e Arbërisë.

Shkëlqesi, suksesi ynë ushtarak nuk qe i rastit. Ne u përgatitëm një kohë të gjatë.

Imzot Bogdani disa vjet më parë ia nisi një letër perandorit austriak, ku e bënte me dije se në Arbëri ishin të gatshëm të hidheshin në sulm frontal kundër pushtuesit, vetëm nëse ata na e mbronin shpinën që të mos na sulmonin aradhet serbe e bullgare, të cilat gjithnjë u prinin forcave turke, duke e tmerruar popullatën civile.

Pas disfatës forcat e mbetura u riorganizuan dhe u tërhoqën nëpër malet e Pashtrikut, Lubotenit, Rugovës e Gollakut. Janë në pritje të ditëve më të mira.

Jemi duke u ballafaquar me një mizori të paparë. Shpërngulja e popullatës nga Arbëria drejt tokave austriake është shqetësuese. Kolonat e gjata, të pafundme shihen luginave e gërxhave, duke ikur drejt veriut. I ngjason shpërnguljes biblike. Fatkeqësisht arbërorët nuk po ikin drejt tokave të premtuara, ata po ia mbathin nga tokat e tyre, në tokat e huaja. Thonë se ultësira e Panonisë do të popullohet me njerëzit e gjakut tonë. Perandori austriak u ka premtuar toka të pëlleshme e kamje. Por asnjëri prej arbërorëve nuk ikën për lakmi, por nga halli. Pas vdekjes së Gjergj Kastriotit  kjo është shpërngulja më e madhe. 

Gjysma e fisit të Kelmendit e të Berishës ikën përtej Nishit, të udhëhequr nga priftërinjtë tanë, që s’dinin ç’të bënin tjetër, pos t’i shpinin atje ku ua thoshte mendja se do ta shpëtonin kokën. Ikën  me të madhe edhe nga Rrafshi i Dardanisë, ndërsa i lanë shtëpitë e pasuritë. Hakmarrja e turqve ishte e pritshme. I druanin plojës sikurse dikur në Kështjellën e Krujës e të Lezhës.

U druanin tmerreve që pësuan banorët e Prizrenit deri në një. Kështjellën e Pejës turqit e dogjën dhe e rrafshuan me tokë. Gur mbi gur nuk lanë. 

Me mbyt pikëllimi dhe më turbullohen sytë nga lotët, kur e kujtoj tmerrin nëpër të cilin po kalojmë.

Megjithëse luftën e humbëm, Gryka e Kaçanikut ende mbahet e mbyllur. Një pjesë e trupave pushtuese pasi e morën Shkupin, u përpoqën të futen në Ferizaj e Prishtinë përmes Grykës së Kaçanikut. Mirëpo kryengritësit nuk lanë këmbë turku të futej më tutje.

Gryka e Kaçanikut u bë si Gryka e Termopileve, qindra malësorë të Arbërisë ranë, por fushëbetejën nuk e braktisën. Doli kënga me thirrje kushtrimi:

Hej, Kaçanik-o, shkamb e gur

Vritesh e pritesh për flamur. 

Kënga thotë se arbërorët  jetën e tyre e paguan shtrenjtë. Mbrojtësit e grykës u vranë tinëzisht, prapa shpinës. Megjithatë turqve nuk ua mbanë të kalojnë ngushticës së frikshme. Kush ua mësoi rrugën e fshehtë trupave pushtuese? Një dhiare nëpër të cilën u futën turqit asnjëherë nuk u mor vesh.

Lajmëtarët na raportuan se trupat turke e tartare u futën nga Lugina e Nishit nëpër qytetin e riemërtuar Kurshumli. Llapjanët nuk patëm mundësi t’u rezistonin, ishin tejet të molisur e të përgjysmuar nga luftërat.   

Një tjetër lajm i hidhur erdhi nga krahina e Nishit. Popullata e atjeshme u islamizua dhunshëm. Përnjëherësh i detyruan të bëheshin myslimanë, ose të deklaroheshin serbë, sepse më nuk ua kishin besën, ndërsa Patrikana e Stambollit e tumiri...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat