Turizmi, qytetërimi i ri i maleve

Opinione

Turizmi, qytetërimi i ri i maleve

Nga: Ndue Dedaj Më: 25 gusht 2018 Në ora: 10:20
Ndue Dedaj

Një rizgjim e risim i traditës po ndodh si pa u vënë re, dita-ditës, në lugina, pllaja e kreshta bjeshkëtare, sidomos restaurimi i kullave të vjetra gjithandej, që meriton vëmendjen e Institutit të Monumenteve të Kulturës, që nuk dimë nëse po e asiston këtë proces që sapo ka nisur. Malet shqiptare kanë pasur qytetërimin e tyre autentik prej fillimeve të mijëvjeçarit të parë, gjuhën parake të vizatimeve shkëmbore dhe mbishkrimeve në tempuj, qytezat dhe kështjellat antike, ujësjellësit e arkitekturës romake si ai i Domgjonit, minierat piruste të bakrit, abacitë katolike e afreskat bizantine, princnitë arbnore e shtetin e Arbrit, kullat, pleqësitë e kanunet, vetëqeverisjen, odat e kuvendet, shkollat dhe librat e parë të shqipes, bashkëjetësen e besimeve fetare, si dhe qendresën e jashtëzakonshme ndaj asimilimit kulturor e shkombëtarizimit. Bash për këto vlera dijetarë të shumtë të Akademisë së Vjenës e të tjerë në shekullin XIX i zbuluan malet tona duke i shkelur cep më cep dhe rekomanduar qytetërimit europian si “një botë të çuditshme” që duhej njohur prej tij.

Është natyra alpine e relievit të kësaj hapësire gjeografike dhe trualli plot i etnokulturës shqiptare që i bën turistët të ngjitën përherë e më shumë në malet shqiptare. Tash për tash është vetëm fillimi, por nesër kullat tona do të jenë të gjitha bujtina etnografike për ta dhe nuk do të dalin. Por dhe për vetë ne. Pse ky entuziasëm? - mund të pyesë dikush. Nuk e di se si janë rrënuar malet tona? Janë zhveshur nga pyjet, ujërat po ua marrin për hidrocentrale, në shumë prej tyre nuk shkon më makina dhe janë izoluar në vetmi, si për shembull Laja e Kaçinarit, një nga bjeshkët më të rrafshta e më pjellore të vendit e më gjerë. Po, të gjitha këto janë. Ama, duhet lajmëruar se ka filluar një ndërgjegje e re, në radhë të parë e vetë banorëve të malësive, të cilët më në fund kanë kuptuar se ai vendi që e braktisën lehtësisht para 20-25 vitesh paska vlerë dhe mund të bëhet i jetueshëm e i shfrytëzueshëm në një mënyrë të re. Falë kësaj janë jo të paktë ata që janë kthyer e po i rindërtojnë kullat siç i kanë pasur. Kemi qenë kësaj vere në Selcë e Vermosh, Plavë e Guci, Koman, Kryezi e Qafë-Mali, Shishtavec e Has, Selitë e Orosh, Shqefën e Dukagjin, Lurë e Kurbin etj. dhe kudo kemi parë kulla që po kthehen në identitet, punuar me mjeshtri nga mjeshtrit e traditës. Krahas tyre vëren dhe hotele të reja turistike, disakatshe, dhe ato me stilizimin e kullave. Një i moshuar në Has na tha se djemtë tanë boll ndërtuan e stolisën vilat e grekut për vite më radhë, kurse tash iu janë kthyer kullave të tyre. Ashtu siç kanë filluar të duken frytet e investimeve të para në agroturizëm etj. E megjithatë, është vetëm fillimi i fillimeve, por një fillim i mbarë atje te “burimi” është i vërtetë, pasi asgjë nuk vjen nga lart, me direktivë. Nuk janë vetëm majat e këtij turizmi, që lexuesi i ka dëgjuar herë pas here, si bujtinat dhe hotelet e Thethit e Valbonës, Vuthajve e Rugovës, Razmës e Tamarës, Zadrimës e Ranës së Hedhun, Rubikut e Kthellës, Pukës e Lajthizës, Shishtavecit e Sharrit, Ulzës e Lurës, Qafë-Shtamës e Salltikut, Dajtit e Gjinarit, Voskopojës e Vithkuqit, Tushemishtit e Shën Naumit, Llogarasë e Këlcyrës etj., por dhe vende të tjera ende të papromovuara. Vlen në këtë mes dhe një set fotografish në Facebook i sendeve, zejeve dhe ritualeve të vjetra nga Arst-Miliskaja në anë të Drinit, duke na thënë se ka një ripërtëritje të gjerave të harruara. Kjo ndodh jo vetëm me njerëz të thjeshtë që duan t’i japin kuptim çdo “manaferre” të vendlindjes së tyre rrëzë bjeshkëve, po dhe me specialistë të njohur të pyjeve dhe mjedisit në nivel kombëtar, të cilët sensibilizojnë vazhdimisht me albume fotografike dhe video tepër interesante me gjithnur malesh, shpellash, kanionesh, drurësh, bimësh, lulesh, shpendësh, monumentesh natyrore, si inxhinier Abdulla Diku, nga njëri cep i trojeve shqiptare në tjetrin. Apo, në Nikaj-Mërtur, ku siç lajmëron Gjin Progni në rrjetet sociale, njerëzit e ikur në Tiranë e gjer Amerikë bashkojnë kontributet monetare me ata që nuk kanë lëvizur, për ndërtimin e rrugës Mserr-Palç-Salcë, pa pritur shtetin ta bëjë këtë gjë. Janë tashmë disa ata që mbledhin relikte të vjetra origjinale, jo për t’i trafikuar në rrugë klandestine, por për t’i ekspozuar në resortet turistike, duke i shërbyer tërthorazi trashëgimisë kulturore. Një shoqatë austriake e drejtuar nga zonja Marianne Graf po ndërton në Rubik së bashku me “Info-Kullën” një sinjalistikë moderne “shtigjesh” për tek kalatë e vjetra dhe visaret historike të trevës, duke dhënë modelin për rrethet e tjera. Shkurt, ka një tjetër frymë e një tjetër qasje ndaj turizmit malor, sot për sot më së shumti familjar. Sa më shpejt të ecë iniciativa e lirë e individëve dhe komuniteteve në këtë lloj turizmi, aq më i zvetnuar bëhet reagimi frenues i burokracisë, kinse në emër të kuadrit ligjor. Kemi folur me investitorë të ndryshëm deri në Shishtavecin e largët dhe kanë vërejtje për mënyrën si sillen organet shtetërore karshi resorteve turistike, vetëm duke iu kërkuar tatimet e tarifat për të mbushur arkën e shtetit, pa iu afruar atyre asnjë ndihmë infrastrukturë, projekte të rivitalizimit të zonave malore etj. Më e pakta nuk ka një listim të këtyre objekteve dhe një hartë kombëtare të tyre, për të treguar një realitet të ri që po krijohetnë male. Apo dhe këto do të mbahen “sekret”, si minierat e kromit, hidrocentralet e reja etj., dyermbyllura për mediat, të cilat nuk janë të mirëpritura t’i vizitojnë, përkundrazi dëbohen që te porta.

Vite më parë, kur nisi të shkruhej për ngjitjen e qytetërimit në male, kishte mosbesim, duke iu kujtuar atyre që shkruanin hiret dhe magjitë e detit etj. Dihej që do të zhvillohej me përparësi Butrinti e Ksamili, Dhërmiu e Vunoi, Gjiri i Vlorës e Gjiri i Lalzit, Rana e Hedhun e Velipoja, Shiroka e Driloni etj., çka nuk ishte më një lajm, por njëherësh nuk mund të pranohej se turizmi ishte vetëm i detit dhe se tash që ishim bërë të gjithë “qytetarë” duke i braktisur malet, ato le t’i gjuante rrufeja si në kohë të Mujit e Halilit. Vetëdija për turizmin malor ka bërë që të shihet më tjetër sy çdo fshat, qytezë, lumë, shpat, shkëmb, livadh, pyll, curril uji. Sot njerëzit nuk drejtohen vetëm në Pogradec, Voskopojë, Dardhë, Syrin e Kaltër, Ujin e Ftohtë, por dhe në Belsh, ujëvarën e Sotirës në Gramsh, ujërat tërmale të Benjës (Përmet), kanionet e Vërmoshit, Skraparit e Vjosës, krojet e Vuthajt në Alpe, parkun turistik të Viroit në Gjirokastër etj. Problemi është që kullat e reja të turizmit duhen shpejtuar, pa u shtuar “agresorët” e natyrës, mjedisit, ekologjisë, pyllit, burimeve, bimëve, kafshëve të egra etj., që në emër të investimeve hidroteknike, minerare pa kriter etj. nuk ndalen para muzës ekologjike e turistike të vendit.

Ashtu, si pa e kuptuar, në disa rajone po shkohet drejt qyteteve e fshatrave turistike. Një model qyteze turistike po krijohet në Ulzë me investime shtetërore, ku nga Shkopeti, në afro 10 kilometra, zgjatet një nga luginat më të bukura të Shqipërisë. Në Pukë, të gjithë aktorët, bashkia e qeveria me projektin urban të qytetit, shoqata Agro-Puka e të tjerë, synojnë turizmin elitar, ekologjiken, pasurimin mjedisor etj. Është fillimi e ka probleme ende të pazgjidhura. Liqenin e Komanit duan ta eksplorojnë jo vetëm ata që udhëtojnë me traget drejt Fierzës, por dhe turistë të tjerë, të ardhur dhe nga jashtë, siç pamë në vend këtë verë, po që nuk mund ta bëjnë këtë me varkat e thjeshta të banorëve të zonës, të pasigurta për të lundruar në një “det” të tillë. Nga pushteti vendor duhen ftuar aktorë seriozë të biznesit, që ta kryejnë këtë shërbim me mjete moderne dhe çmime të arsyeshme, pa spekuluar. Një problem i mprehtë është dhe shmangia e ndotjes nga ujërat e zeza etj., që ky turizëm të mos zhvillohet spontan dhe informal si ai bregdetar. Nuk mjafton që është kapur trendi. Është koha për t’u bërë pjesëmarrës dhe kontribues dhe komuniteti në çeshtjet e turizmit malor, duke propozuar ide dhe përfshirë vetë në nismat mjedisore, prodhimet bio etj. Projekti i njëqind fshatrave të urbanizuar është shprehje e “ngjitjes” së qytetërimit në male, në funksion të zhvillimit ekonomik, social, kulturor dhe veçmas agro-turistik.

Turizmi malor është ana tjetër e medaljes së turizmit në Shqipëri, krahas atij bregdetar. Janë disa aktorë që lypet të koordinojnë për zhvillimin perspektiv të tij: organet vendore, ministria përkatëse, operatorët turistikë, agjensitë e zhvillimit rural, shoqatat mjedisore, ekspertët e Zonave të Mbrojtura e parqeve kombëtare, investitorët e donatorët e ndryshëm, përfaqësuesit e agroturizmit, komunitetet e zonave turistike, institucionet e trashëgimisë, arsimi profesional i hotelëri-turizmit etj. Por a keni dëgjuar të jenë bërë ndonjëherë bashkë që të gjithë këta për të krijuar një strategji?...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat