Ndërprisni cicërimat që ndjellin gjak: Kjo është thikë pas shpine…

Opinione

Ndërprisni cicërimat që ndjellin gjak: Kjo është thikë pas shpine…

Nga: Andi Bejtja Më: 27 gusht 2018 Në ora: 21:48
Andi Bejtja

Presidenti i Serbisë Vuçiç dhe ai i Kosovës, Thaçi, po i shpalosin gjithmonë e më shumë publikisht e ndërkombëtarisht idetë e tyre për të ashtuquajturin “korrigjim të kufijve”, me shpinën kthyer parimeve e kodeve që e kanë mbajtur Europën në këmbë deri tani. Me fytyrën kthyer një dreq e di se ku.

Është e dhimbshme të shikosh një lider kosovar, kur pas dekadave thirrje dëshpëruese të Kosovës në rrugën drejt pavarësisë për përfshirje të faktorit amerikan dhe europian në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, të thotë sot, me nëntekst dhe pa nëntekst: Ne i zgjidhim vetë problemet me Serbinë, nuk ka nevojë të na i zgjidhin të tjerët.

Me këtë fjali, automatikisht nuk ka më Kosovë. Kjo ka qenë lufta e Serbisë së Millosheviçit dhe më pas, “nuk pranojmë të tretë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës”. Dhe ja ku jemi, fatkeqësisht për Kosovën, shumë vite pas shpalljes së pavarësisë, një lider serb dhe një shqiptar mendojnë çuditërisht njësoj, kur Serbia nuk e njeh fare si shtet Kosovën, pavarësisht se Vuçiç i thotë Thaçit se është President më i mirë se ai.

Le ta themi një fakt, që të gjithë e dimë, por disa e pranojnë në heshtje dhe disa nuk kanë qejf ta pranojnë: Kosova nuk e fitoi vetë lirinë, atë ua ka borxh jo vetëm amerikanëve, por dhe europianëve e anglezëve. Ndaj, sot të kërkosh një zgjidhje pa ta, për më tepër një zgjidhje që prish djepin e kodeve dhe parimeve të tyre, jo thjesht nuk është “fair”, por është vetëshkatërruese për Kosovën. Kjo është një rrugë mbrapç dhe e mbrapshtë njëkohësisht, një minë për vetveten, ciflat e së cilës e kanë rrezen më të gjerë se vetë Kosova dhe Serbia dhe një thikë pas shpine ndaj Europës.

Dy liderave si Thaçit, dhe Vuçiçit, duhet t’i mjaftonte vetëm deklarimi i para disa kohëve të kancelares Merkel, që përseriti me tone të ashpra se kufijtë janë të paprekshëm, për t’i ndërprerë cicërimat që ndjellin gjak.

Për më tepër invidualizmi, portagonizimi, errësira e këtij projekti, moskonsultimi paraprak sidomos i Thaçit me faktorët brenda dhe jashtë Kosovës, e bën akoma më të dyshimtë këtë projekt se ç’është dhe në të vërtetë. Po edhe sikur t’i kishte bërë të gjitha këto, sidomos Presidenti Thaçi, edhe pse mund të jetë President më i mirë se Vuçiç, siç thotë Vuçiç për të, duket se është shumë më i paqartë se ai.

Në forumin e para disa ditëve në Vjenë, Thaçi tha diçka që i shumëfishon paqartësitë e këtij projekti të errët. Korigjimi i kufijve, tha ai, nuk do të bëhet mbi baza etnike, Kosova do të vazhdojë të jetë një shoqëri multietnike….

Uau, atëherë për çfarë ndarjeje u bëka fjalë, për çfarë kriteri? Prapë do u likan shqiptarë brenda në Serbi? Çfarë kuptimi ka atëherë kjo ndarje? Nëqoftëse nuk është ndarje etnike, pavarësisht se tundohen për këtë etiketim?

Nëqoftëse ndarja nuk bëhet mbi baza etnike ateherë ka vetëm një lloj ndarje tjetër: ndarje ekonomike. Ndarja ekonomike, ndërkohë nuk zgjidh asgjë përsa i përket stabilitetit të dy vendeve dhe rajonit në përgjithësi, thjesht fuqizon një palë dhe në këtë rast dihet se kë. Ndaj, ky projekt, pa dalë detajet e letrës së ndarjes, dhe është luftëndjellës, merre me mend nqoftëse dy liderat në fjalë, një ditë të bukur kanë guximin e marrë të nxjerrin në tavolinë këtë letër kalk dhe me vizore dhe me laps të fillojnë të ndajnë kufijtë në bazë të disa kritereve që nuk ekzistojnë askund, në asnjë kushtetutë, në asnjë kartë ndërkombëtare, por i kanë shpikur për herë të parë po ata të dy vetë.

Kjo është as më shumë e as më pak, një shaka me gjakun dhe për të mirën e Kosovës dhe të shqiptarëve në rajon; këto cicërima duhen të ndërpriten sa më shpejt. Në radhë të parë këto cicërima duhet t’i ndërpresë klasa politike dhe vetë populli kosovar. Por edhe Shqipërisë zyrtare nuk i takon të rrijë indiferente, se cicërimat që ndjellin gjak e prekin edhe atë direkt.

Kryeministri shqiptar përpara se t’i mbrojë parimet europiane, duke kërkuar t’i marrë Italisë 20 refugjatë, ka rastin t’i mbrojë në këtë rast, duke i bërë thirrje dy miqve të tij të ngushtë, Thaçi dhe Vuçiç, të heqin sa më shpejt dorë nga ky projekt, duke filluar ndoshta së pari të përgënjeshtrojë Karl Bild, se nuk ka qenë dhe ai nga të parët në dijeni të këtij projekti, që ndjell gjak dhe mban në treg vetëm lidera të kapur dhe bajraktarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat