E anashkaluara refuzon mirënjohjen

Opinione

E anashkaluara refuzon mirënjohjen

Nga: Rexhije Xheladini Më: 29 gusht 2018 Në ora: 22:49
Rexhije Xheladini

Kujtesa e datave historike është rifreskim i memorjes kolektive dhe u përcjell mesazh brezave për kuptimësinë e të kaluarës së popullit, andaj çdo organizim që shënon ngjarjet e lavdishme është për t'u çmuar e përshëndetur. Krahasuar me veprat e shumë patriotëve, sakrifica ime ndoshta është shumë e vogël, por për kohën në të cilën është bërë, ndjehem krenare. Megjithatë, e keqja qëndron në faktin se idealet për të cilat u sakrifikuam kush më shumë ~ e kush më pak, u zvetënuan pas rrënimit të ish-sistemit monist. Sistemi i ri pluralist e demokratik hodhi në pah disa dukuri jashtëzakonisht të papëlqyeshme te ne, gjë që zhgënjeu të gjithë ata që njëmend me sinqeritet u flijuan për një kauzë sublime.

Ndër më të patolerueshmet mbeten pikërisht formalizmi me petk hipokrizie, me çka nënkuptoj shpërfytyrimin e të sakrifikuarve: për të rënët duke i vënë në bronzë~statuja e duke u përkulur te varri i tyre me buqetë lulesh, kurse për ish- të burgosurit duke i kujtuar se janë gjallë vetëm në përvjetore. Mirëpo të rënët nderohen duke e çuar amanetin e tyre në vend e duke treguar përkujdesje institucionale për të gjallët që lanë pas, kurse ish-të burgosurit duke u risocializuar, stabilizuar e sistemuar denjësisht në shoqëri nga faktorët vendimmarrës.

Prandaj unë, e anashkaluara nga të gjitha partitë shqiptare prej viteve '90-ta e këtej, e them publikisht se atëherë nuk veprova që të marrë sot mirënjohje, por që të kemi arsim cilësor e jo sasior, që të kemi meritokraci e jo nepotizëm e partiokraci, që shqiptarët t'i çmojnë vlerat dhe t'i trajtojnë me dinjitet ata që dikur dhanë sakrifica nga jeta e tyre për të ardhmen më të mirë të të gjithëve. Dikur na bënte padrejtësi sistemi monist, kurse prej pluralizmit e këtej më shumë keq ne i bëmë vetvetes, pra njëri-tjetrit, e këtu sërish më rëndë e pësuan prapë një pjesë e ish-të përndjekurve. Kjo që ka ndodhur e po ndodh, do t'u japë leksione negative të rinjve: mbase idealet e dikurshme tani nuk përputhen me realitetin e sotshëm e nga kjo do të nxjerrin përfundim se nuk ia vlen të sakrifikosh gjë nga vetja, sepse më pas në pozita do të vijnë përfituesit mosmirënjohës që do të zhvatin nga meritorët atë që denjësisht u takon.

Përderisa diskriminimi im dhe i familjes sime vazhdon akoma, me refuzimin e mirënjohjes dua të përçoj mesazh te të gjithë ata që kanë zemër, sy e veshë se unë nuk dua të shërbejë si urë e krekosjes së atyre që janë në pozita, prej nga vazhdojnë ende të nëpërkëmbin pozicionin tim në shoqëri dhe të arsimit shqip në përgjithësi. Po ashtu dua të cek edhe faktin se pas pluralizmit në Maqedoni, Ministrinë e Arsimit e kanë udhëhequr kryesisht partitë shqiptare, megjithatë kushtet e arsimit në Kumanovë i lanë në gjendje të mjerueshme, pa ndërtesa shkollore, pa paisje profesionale dhe salla sportive.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat