Shokët jugosllavë janë të interesuar ta gjejnë varrin e Skënderbeut!

Opinione

Shokët jugosllavë janë të interesuar ta gjejnë varrin e Skënderbeut!

Nga: Gani Mehmetaj Më: 30 gusht 2018 Në ora: 08:12
Gani Mehmetaj

Nuk u habit asnjëri kur i ballafaquan. Sikur e prisnin këtë takim. Ndërsa e shihte shtatin e tij, i dolën parasysh imazhet e ish-togerit austriak, të kapardisur, në qytetin e Lezhës.

Turbullt i vinte jehona e bisedave të dikurshme, si të bisedonte dikush në vend të tij, kurse ai dëgjonte. Pastaj iu fiksua pamja, kur e braktisi vendin e hulumtimeve. Pas disa javësh dëgjoi se ekspedita e përgjysmuar endej me kazma në duar në muret e kështjellës së Krujës, në bjeshkën e zhveshur sipër qytetit. Tregonin krutanët sesi përpiqej të kacavarej si dhi e egër. Këtu përfundoi njohja e tyre. Përmes të tretëve dëgjonin për njëri-tjetrin.  

Nga përgjumja e zgjoi pyetja e përsëritur e inspektorit shqiptar: 

-Shokët jugosllavë janë të interesuar ta gjejnë varrin e Skënderbeut, ata duan t’ia ndërtojnë një mauzole në kryeqytetin e vet, - fliste i entuziazmuar rrondokopi, sikur donte që këtë entuziazëm t’ia bartte edhe priftit.

 -Shokët jugosllavë e kërkuan edhe më parë varrin, por nuk e gjetën, - ia ktheu françeskani i lodhur. Rrondokopi e shikonte i habitur, hetuesi jugosllav qeshte me cinizëm.

-Si guxon të shpifësh? Spiun i Vatikanit, maskara!, -i hakërrohej hetuesi.

Ndërkaq prifti si të fliste me veten mori pak forcë, vazhdonte aty ku e ndërprenë:  -Dikur erdhën e shkuan me trastë mbi supe, - lëvizte buzët me vështirësi.

Rrondokopi i bërë bishë mësynte ta godiste, por hetuesi jugosllav e ndalte dhe i drejtohej viktimës me zemërim të përmbajtur:

 -A s’na thua kush e kërkonte varrin para nesh?

- Të gjithë: ju, austro-hungarezët, italianët, turqit, gjermanët, mbase edhe bullgarët. Kot që u lodhën, e gjetën të zbrazët”. 

Pastaj si të pendohej që e zgjati shumë me torturuesit e vet, e mbyllte gojën duke e lëvarur qafën e hollë. Nuk lëvizte, as nuk fliste. Prapë binte në kllapi.

“Athua ç’do të bënin me eshtrat e heroit tonë, sikur t’i gjenin?”, pyeste gjysmë i vdekur. Më duket këtë pyetje ma drejtonte mua. 

Dikur hetuesit shkuan të çlodheshin, duke e lënë priftin me mua. Me porositën ta sillja në vete. Nuk isha infermier, nuk dija të sillesha me një njeri të torturuar. Më vinte pështjellim në stomak sa herë e mbështillja me gazë.

- Tmerr! - mezi nxori nga goja këtë fjalë.

-Çka asht tmerr?,-  nuk e di pse e pyeta, gati instinktivisht, i habitur me të dhe me veten. U pendova pse më shpëtoi kjo pyetje, sepse ç’do të bëja, po të më pyesnin çfarë të tha. Po sikur të përgjonin prapa dere?  

- Tmerr po e bartën varrin e Gjergjit në vendin e tyre, - e drejtoi kokën nga vendi ku rrinte pak më parë hetuesi jugosllavë. Nuk ia zgjata bisedën, sepse druaja nga pasojat. Më pikonte në zemër kur e shihja në këtë gjendje.

Ai pushoi, më pa me interesim, sikur të përgjonte efektin e fjalëve të veta. Unë e regjistroja zërin e tij në magnetofon. Por plaku Zef nisi të improvizonte sesi rrodhi dialogu memec në mes të atë Gjergji e majorit gjerman. 

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat