Në ditën e përsonave të zhdukur…

Opinione

Në ditën e përsonave të zhdukur…

Nga: Haki Latifi Më: 30 gusht 2018 Në ora: 11:08
Haki Latifi

Kosova vazhdimisht duhet ta hap temën në dialog me Serbinë, për të pagjeturit dhe të mbi 20 mijë shqiptarëve të vrarë e të masakruar, e jo të bëjë pazare me tokat shqiptare!!

Lufta ka lënë shumë plagë, por ajo e të pagjeturve është ndër më të rëndat.

Nga pritjet për të zhdukurit, familjarët më janë të lodhur, kjo për të gjithë është një dhimbje e pafund për të dashurit e tyre.

Shifra 1,700 njerëz të zhdukur, është mjaftë e madhe andaj duhet sensibilizim, duhet përkrahje edhe nga shoqëria civile e në veçanti nga familjarët, në veçanti dhe me përgjegjësi nga institucionet që në prioritet t’i qasen këtij problemi.

Për këto familje, procesi normal i pikëllimit ka kuptimin e orës që ka ngecur në vend. Dhe kjo nuk është vetëm një çështje e dhimbjes personale apo individuale. Fakti se aq shumë njerëz janë të zhdukur përbën një pengesë për ndërtimin e paqes së drejtë. Lufta ka lënë shumë plagë, por ajo e të pagjeturve është ndër më të rëndat. 

Edhe sot, 19 vite më vonë, nuk dihet asgjë për fatin e njërës prej mendjeve më brilante të kombit tonë, një shkencëtari të mirëfilltë të politikës shqiptare Mr. Ukshin Hoti dhe intelektual e atdhetar të t‘jerë.

Mr. Ukshin Hoti ishte njeri me guxim të rrallë intelektual, ka qenë ndër të burgosurit jo të shpeshtë politik i cili ka pasur deklarata të njëjta, si gjatë hetuesisë ashtu dhe gjatë gjykimit.

Në këtë kategori nuk mund ti harrojmë edhe të zhdukurit shqiptar para lufte, në kazamatet e burgjeve jugosllave si dhe ushtar shqiptar të shdukur.

Qytetarët me të drejtë vënë në pikëpyetje kredibilitetin e autoriteteve, të cilat nuk munden ose nuk ndërmarrin hapa për t’i vënë para drejtësisë përgjegjësit dhe autorët e krimeve për zhdukjet.

Si rezultat, shumë familjeve jetojnë për vite të tëra me “humbje të dyzuar” të më të dashurve të tyre. Të gjesh të zhdukurit do të thotë të ndihmosh të mbijetuarit, por gjithashtu edhe të respektosh sundimin e ligjit; është për të siguruar që ata, të cilët janë përgjegjës të japin llogari. Varrezat masive janë skena krimi të okupatorit serb mbi civil dhe pupullatën e pa fajshme shqiptare që kanë urdhëdhënësit dhe autorët e krimeve gjenocidale. Ato përmbajnë fakte, të cilat mund të përdoren në gjykata vendore dhe ndërkombëtare. Janë qindra familje që për çdo ditë luftojnë, duke u ballafaquar me ankthin e mosdijes se çfarë ka ndodhur me më të dashurit e tyre.

Në Republikën e Kosovës, 19 vjet pas luftës nuk dihet për fatin e mbi 1700 njerëzve të zhdukur.

Familjarët jetojnë ende me shpresë që të paktën t’i gjejnë eshtrat e tyre dhe të kenë një varre ku mund të vendosin lule për ta.

Dihet se adresa për zbardhjen e fatit të të pagjeturve është Beogradi. Institucionet vendore dhe Bashkësia Ndërkombëtare duhet ti përdorin të gjitha mekanizmat dhe llojet e presioneve mbi Beogradin për të vënë drejtësinë në vend.

Derisa vazhdimisht dëgjojmë të flitet për finalizim të marrëveshjes Kosovë-Serbi, për fat të keq familjarët ende nuk dinë asgjë për fatin e të më të dashurve të tyre. Kosova vazhdimisht duhet ta hap temën në dialog me Serbinë, për të pagjeturit dhe të mbi 20 mijë shqiptarëve të vrarë e të masakruar, e jo të bëjë pazare me tokat shqiptare!!

Për derisa nuk gjenden të zhdukurit, në të cilën janë plaga jonë e përbashkët dhe e pa sherueshme kombëtare ne nuk duhet të jemi të qet.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat