Politikat ekonomike të cilat po i përdorë shteti i Kosovës

Opinione

Politikat ekonomike të cilat po i përdorë shteti i Kosovës

Nga: Dr. Artan Haziri Më: 31 gusht 2018 Në ora: 13:29
Dr. Artan Haziri

Pas përfundimit të luftës në Kosovë filluan reformat ekonomike dhe shoqërore, ku edhe filloi transformimi i ekonomisë së vendit: nga një ekonomi socialiste në ekonomi të bazuar në ekonominë e tregut të lirë.

Reformat të cilat u ndoqën në Kosovë, kryesisht, ishin të konceptit neoliberal, ku u privatizuan pjesa dërmuese e kapaciteteve industriale me një ritëm të shpejtë dhe të pamenduar, ku këto politika, në mase të madhe, e deindustrializuan ekonominë edhe ashtu të prapambetur në këtë aspekt.

Shteti i Kosovës ndoqi një politikë liberale në marrëdhëniet ekonomike me jashtë pa kurrfarë masa mbrojtëse për prodhuesit vendorë dhe pa asnjë mbështetje për zhvillimin e tyre. Duke pasur parasysh nivelin tejet të ulët të zhvillimit të prodhuesve vendorë, ekonomia vendore nuk ishte në gjendje të konkurrojë me biznesin e huaj dhe kjo çoi te një deficit tejet të madh tregtar dhe rrjedhimisht pamundësinë për akumulimin e kapitalit me pasoja tepër të mëdha për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Pra, politikat ekonomike të Kosovës ishin neoliberale, që, në fakt, nuk treguan suksese në zhvillimin e Kosovës, ku shteti hoqi dorë nga ekonomia. Politikat neokejnsianiste nuk ishin të pranishme në politikëbërjen e Kosovës.

Në mungesë të kapitalit financiar, shteti i Kosovës orientimin strategjik duhet ta ketë në zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla e të mesme, ku krijimi i një vendi pune ka kosto më të ulët. Në këtë drejtim përparësi do të duhej dhënë zhvillimit të përparuar të bujqësisë e blegtorisë dhe përpunimit industrial të prodhimeve bujqësore e blegtorale. Me këtë shteti i Kosovës do të mund t’i realizonte disa caqe strategjike. Njëkohësisht, do të mund të zvogëlonte shkallën e papunësisë së kontigjentit të aftë për punë; do të mund të rriste bazën e taksapaguesve dhe të të hyrave të veta; do të mund të bënte zëvendësimin e importeve me prodhime vendore dhe mbetjen e qindra miliona eurove në tregun vendor, që do të mund të shërbenin për projekte të tjerë zhvillimor; si dhe do të mund të rriste eksportin në tregun rajonal e ndërkombëtar, e që me këtë do bëhej edhe zbutja e debalancit tregtar të pagesave.

Qeveria duhet të shikojë dhe të mësojë edhe nga përvojat e të tjerëve. Të mos harrojmë se në saje të zhvillimit të bujqësisë intensive, disa shtete të Evropës Perëndimore, si, bie fjala, Holanda, kanë arritur kulmin e zhvillimit dhe të mirëqenies. Ajo që duhet të dijë qeveria është se nuk ka ekonomi pa prodhim dhe nuk ka prodhim nëse shteti me politika ekonomike aktive nuk e stimulon biznesin, për të shtuar aktivitetin ekonomik. Dhe, nuk mund të ketë prodhim pa ngjalljen e kapaciteteve ekonomike që tash e 10 vjet mrizojnë dhe çdo ditë asetet humbin vlerën, sepse gjithnjë e më shumë amortizohen e bëhen jofunksionale dhe jo atraktive për çdo blerës apo investitorë të mundshëm.

Kosova mbetët edhe më tutje vend me përparësi e mundësi të shumta, por ende pa strategji të zhvillimit ekonomik. Ajo që duhet t’i frikohet shteti i Kosovës është teza e shpikur nga ana e maniakëve të ekonomisë se gjërat do të bëhen mirë vetvetiu, sepse bazohen në parimet e ekonomisë së tregut dhe të globalizimit. Kjo tezë është pohim jo i qëndrueshëm në shtetet e përgjegjshme, sepse praktika ekonomike e shumicës së shteteve bazohet në partneritetin e shtetit me biznesin, ku shteti ndihmon me politikat ekonomike e fiskale bizneset në arritjen e objektivave zhvillimore të tyre. Me këtë ndihmë shteti përfiton në mënyrë të shumëfishtë qoftë në mënyrë direkte apo indirekte.

Gjithmonë ekzistojnë segmente të caktuara ku shteti duhet të intervenojë me politika ekonomike e fiskale për të ndihmuar biznesin, e që deri më tani nuk janë aplikuar sa duhet nga ana e shtetit të Kosovës. Përvoja e Kosovës, si edhe e shumë vendeve të tjera në botë, dëshmoi se liberalizmi i tepruar në ekonomi i parapriu gjithherë anarkisë. Madje, edhe shtetet më të zhvilluara në botë kanë elemente proteksioniste në politikat e tyre ekonomike.

Politikat ekonomike e fiskale shtetërore kanë të bëjnë me stimulimin e zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjen e prodhimit vendor. Këto politika janë: politikat kreditore ndaj biznesit, politikat fiskale, politikat e privatizimit të kapaciteteve ekonomike, politikat e stimulimit të investimit të kapitalit të jashtëm me krijimin e mjedisit të shëndoshë për investime, politikat e subvencionit të prodhimit vendor, politikat e kufizimeve të importeve për produktet bujqësore sezonale, politikat e mbrojtjes së prodhimit vendor nga çmimet damping dhe nga konkurrenca jo e ndershme e huaj, politikat e luftimit të informalitetit në ekonomi, politikat e luftimit të korrupsionit etj. Këto janë sfera ku shteti mund të intervenojë dhe duhet të intervenojë, për t’i ndihmuar bizneset dhe zhvillimin e vet ekonomik. Një ekonomi e zhvilluar do të thotë më pak papunësi, më pak fonde sociale nga ana e shtetit për kategoritë e rrezikuara shoqërore dhe më shumë buxhet shtetëror nga taksat, e që do të përfitonte shteti nga biznesi i zhvilluar. Kosova është, ndoshta, i vetmi vend në botë që nuk ka strategji të zhvillimit ekonomik. Kosovës i nevojitet strategjia e zhvillimit ekonomik. Kosova në hartimin e strategjisë duhet t’i shikojë modelet e shteteve të tjera të zhvilluara, por ajo duhet ta ketë modelin e vet të zhvillimit ekonomik, që do të duhej të bazohej në përparësitë komparative që ajo disponon. Kosova ka shumë përparësi komparative ekonomike në krahasim me shtetet e rajonit. Ajo ka nëntokën e saj të pasur me lëndë të parë dhe minerale, që ia kanë lakmi shumë shtete. Ajo, për momentin, ka kapacitete ekonomike jashtë funksionit, që me investime të pakta do të mund të funksionalizoheshin, ka popullsinë relativisht të re e të shkolluar, ka tokën e saj të pëlleshme, ka infrastrukturë të rrugëve dhe të telekomunikacionit relativisht të zhvilluar, ka klimën e saj që favorizon prodhimin bujqësor e blegtoral, përparësi këto që shumë shtete nuk i kanë.

Përparësi komparative zhvillimore e ekonomisë kosovare është edhe fakti se prodhimet kosovare janë të favorizuara nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja, të cilat në shenjë solidariteti me shtetin e Kosovës kanë abroguar të gjitha barrierat tregtare për prodhimet kosovare. Janë këto përparësi që do të duhej marrë parasysh dhe valorizuar në hartimin e çdo strategjie të zhvillimit ekonomik. Por, ajo që do të duhej të merrej parasysh nga qeveria gjatë hartimit të çfarëdo strategjie, pa dyshim, është mungesa e prodhimit vendor. Së këndejmi, opinioni ynë është se pa funksionalizimin e ekonomisë kosovare, pa hartimin e politikave aktive për rritjen e prodhimit me ngjalljen e aktiviteteve të prodhimit dhe në hapjen e aktiviteteve të reja prodhuese, është i pamundur një zhvillim i shpejtuar. Pra, për të kompensuar ngecjen shumëvjeçare në zhvillimin ekonomik, shtetit të Kosovës i nevojitet hartimi i një strategjie të zhvillimit ekonomik, e cila do të garantonte norma të larta vjetore të zhvillimit ekonomik. Ajo strategji duhet të jetë e hartuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës dhe ekspertët e ekonomisë.

Hartimi i strategjisë duhet t’i identifikojë prioritetet zhvillimore nacionale, burimet e financimit, resorët ku parashikohet të bëhen investimet, koha kur do të investohet, shuma e atyre investimeve, si dhe rezultatet e pritshme direkte dhe indirekte. Rezultatet e implementimit të strategjisë duhet të jenë të prekshme për shtresat e gjëra të popullsisë, në një të ardhme jo të largët. Nëse implementimi i strategjisë kërkon mjete ekstra, që nuk mund t’i përballojë ekonomia e Kosovës, atëherë duhet orientuar në investitorët e jashtëm dhe në tregun ndërkombëtar të kapitalit financiar, ku shteti mund të ketë qasje, sepse ai tashmë është shtet i njohur ndërkombëtarisht. Shtetin e Kosovës e njohën shumica e shteteve të botës, e që disponojnë me këtë kapital. Hyrja borxh në tregun e kapitalit, për të arritur objektivat zhvillimore strategjike, është praktikë e njohur e shteteve demokratike, që shpesh ka dhënë rezultate inkurajuese në shumë shtete, që sot janë të zhvilluara. Zhvillimi ekonomik pa strategji afatmesme dhe afatgjatë i ngjan lundrimit të marinarit pa busollë, i cili lundron në oqean duke qenë i ndikuar nga dallgët. E, dallgët ndodh, nganjëherë, e qojnë në vendin ku edhe është nisur. Andaj, theksojmë me këtë rast thënien e një ekonomisti të njohur amerikan, i cili thotë: “Ai i cili nuk e di se kah është duke shkuar, nuk do të arrijë kurrë në vendin që do të dëshironte”.

Në fund, mund të themi se marrja e përgjegjësive nga ana e shtetit, sa i përket politikave zhvillimore, do të jetë një mundësi e mirë drejt një rritje ekonomike të qëndrueshme, e cila do mundësonte edhe uljen e papunësisë, dukuri kjo që e ka ngulfatur shoqërinë kosovare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat