Thaçi, një argat i “ideve të porositura”

Opinione

Thaçi, një argat i “ideve të porositura”

Nga: Mr.Sc. Ymret Reshiti Më: 31 gusht 2018 Në ora: 14:22
Mr.Sc. Ymret Reshiti

Faktori vendor duhet ta kuptoj se ideja për “ korrigjim kufijsh”  nuk është ide e Thaçit. Miqtë ndërkombëtar e dinë mirë se  kush janë autor të kësaj ideje. Me vetë faktin se kjo ide nuk është e Thaçit dhe as e jona,  vetvetiu duhet refuzuar. Idetë e tillë që fshehin në vetvete  mjaftë të pathënë, të panjohura dhe të papritura, e sidomos kur nuk e kanë autorësinë tonë, janë ide të rrezikshme dhe të pa parashikueshme.

Autor të kësaj ideje për “korrigjim kufijsh” janë  shtetet që nuk ia duan të mirën as Kosovës dhe as  Ballkanit.   Kjo ide e rrezikshme për “korrigjim kufijsh “ në Ballkan, nuk është e dizajnuar  enkas vetëm për rastin e Kosovës. Kjo  ide  është e mirë kultivuar dhe studiuar për të përmbushur qëllimet e atyre konjukurave  politike  të boshtit të së keqes, që janë të prira të shkaktojnë gjakderdhje dhe tragjedi të reja  në mes të popujve.

Idetë për “korrigjim kufijsh “ në Ballkan, në Evropa dhe kudo në botë janë idetë ma armiqësore kundër paqes. Historia na mëson se kufijtë e botës janë të shënuara me gjakun e njerëzve të pafajshëm dhe “korrigjohen” po me gjak njerëzish.

Është mentalitet primitiv që sot ta mundosh vetën për të kërkuar kreativitete të reja për ri dizajnimin e kufijve. Sot, bota dhe njerëzimi janë në trend  për të zbehur dhe shlyer kufijtë që ndajnë shtetet dhe popujt. Është vlerë e civilizimit botëror të humbet “ kuptimi klasik i kufijve” si mur që ndan shtetet, popujt, fetë, kulturat, njerëzit. Nuk duhet të na befasoj neve nëse e gjithë bota nuk mendon njëjtë si ne për “kufijtë”. Ka edhe pjesë të  botës ku kujdestaronë  errësira barbare  duke kërkuar shansin që  të ri dizajnoj  kufij në copa hartash fatkeqe.

Nuk mendojmë se ne kosovarët duhet të jemi fatkeqët, që mbi kurrizin e tonë të shënohen do farë ri dizanimesh kufijshë!

Ideja për “korrigjim kufijsh”  më së shumti i shkon në favor shteteve hegjemoniste si  Rusia, të cilat kanë mjaftë çështje të hapura territoriale, të shkaktuara me agresione, dhe që mendojnë t’i mbyllin duke përdor Kosovën si eksperiment. Për këtë rrezik janë të alarmuara edhe  fuqitë evropiane, prandaj  në këtë kuptim duhet kuptuar edhe reagimin e ashpër të Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe.

Evropa ende është në proces“ reanimacioni ”  nga flakët e  përpjekjeve shekullore për ri dizajnim kufijsh. Këtë assesi  nuk po mund ta kupton një president mediokër, i cili rreziqet e Kosovës i merr si mënyrë për argëtim.

Thaçi në këtë ide është vetëm një argat i dobët dhe egoist, i cili  fatin e Kosovës po e kupton në mënyra emocionale,  pa u shqetësuar se ai ka përgjegjësi si president i vendit, të sillet me  maturi dhe  pjekuri politike.

Thaçi duhet të kuptoj se në këtë aventurë të rrezikshme politike është i vetëm. Nuk ka përkrahjen e Kuvendit të Kosovës, Qeverisë, partive politike, opinionistëve  dhe  as  90% të qytetarëve. Bile, nuk e ka as përkrahjen e miqve ndërkombëtar, prandaj është në të mirën e tij që të heq dorë nga kjo aventurë, para se të bëjë vetëvrasje politike.

Gabimi strategjik i Kosovës në qasjen ndaj Serbisë ka të bëjë me  pyetjen,  pse mu tani del të jetë kaq e rëndësishme  njohja  e Kosovës nga  Serbinë, qoftë duke bërë edhe kompromise tjera të dëmshme?

Ku ishim që 10 vite kur pa “pëlqimin” e Serbisë e shpallëm pavarësinë e Kosovës në ndërkohë që vet  akterët e shpalljes së pavarësisë siç është Thaçi, tani del e na thonë se nuk mund të bëhemi shtet “ pa pajtimin” e Serbisë!

Fake argumentet e Thaçit

Hashim Thaçi tërë potencialin e tij “intelektualë” e ka të përqendruar në mjeshtërinë e tij për  dezinformime. Ai është bërë  top model për “fake news”. Ai  përpiqet që duke keq interpretuar deklarata e miqve ndërkombëtar, të krijoj opinion për vetën e tij dhe të shkaktoj huti te qytetarët e Kosovës.

Ai thirret kinse SHBA dhe miqtë tjerë ndërkombëtar e përkrahin Thaçin dhe  idenë e tij për “korrigjim kufijsh” me marrëveshje me Serbin. Ky është puro manipulim.

 E para. SHBA dhe asnjë shtet mik i Kosovës me asnjë deklaratë nuk e ka përkrah në mënyrë eksplicite idenë e  “korrigjimit të kufijve”. Gjithashtu, as nuk e kanë përmendur në deklaratat e tyre  në mënyrë eksplicite se përkrahin presidentin e Kosovës për idenë e “korrigjimit të kufijve”.

Këto janë  fake argumentet e Thaçit. Shumë lehtë është të vërtetohen deklaratat e miqve ndërkombëtare, mjafton një kërkim në google.

E  dyta. Në deklaratat e SHBA-së dhe shteteve mike të Kosovës thuhet në mënyrë eksplicite se përkrahin çfarëdo marrëveshje që Kosova e arrin me Serbinë në mënyrë  vullnetare. Pra , në mënyrë eksplicite përmendet Kosova dhe nuk përmendet kurrfarë presidenti apo ideje.

Shtetet mike të Kosovës të cilat kanë traditë të gjatë në politikën ndërkombëtare, asnjëherë nuk e ndërtojnë dhe nuk e mbështesin politikën e tyre të jashtme  në individ dhe organet e një shteti  të caktuar, por  politikën e tyre të jashtë e mbështesin në  tërësinë e shtetit si subjekt i së drejtës ndërkombëtare.

Presidenti Thaçi për të realizuar agjendën e tij, nuk ngurron të lansoj në media gënjeshtra të mëdha siç është ajo se, luginën e Preshevës ( tri komuna) do ta bashkojë me Kosovën  ndërkohë thotë se; “ nuk ka ndarje, nuk ka shkëmbim  territoresh, nuk ka ndryshim kufijsh”! Këtë gënjeshtër kaq të madhe e thotë nga paniku se mos Kuvendi i Kosovës po e ndal nga udhëheqja e bisedimeve. Ai është në gjendje  të na  gënjej duke na  premtuar që  edhe Sanxhakun do ia bashkojë  Kosovës, vetëm e vetëm që ai t’i udhëheqë bisedimet me mikun e tij Aleksandrin.  A do të thotë kjo se, ne duhet t’i besojmë njeriut i cili  sa herë që flet gënjen?!  Ne duhet ta kuptojmë se na gënjen presidenti ynë Thaçi, ngase është tepër  kundërthënës  në deklarimet e tija sa që arrin ta demanton vetveten pa pas nevojë që këtë ta bëjë ndokush!

Mos ta mashtrojmë vetën, Thaçi nuk ka ndryshuar. Ai po kërkon të na ndryshoj neve që t’i besojmë gënjeshtrave të tija. Mos harruam shpejtë  po ky është ai Thaçi që e pranoi rezolutën 1244, pa e pyetur askënd. Bëri të gjitha marrëveshjet e dëmshme me Serbin kokë në vete pa debat në Kuvendin e Kosovës. Tekstet e marrëveshjeve të arritura me Serbinë i ka mbajtur fshehtë dhe asnjëherë nuk iu ka ofruar deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Po ky është ai njeri që ka gojën plotë “bashkëpunim” kur thotë  se “ do të veproj në pajtim me akterët vendor  dhe  miqtë ndërkombëtar” ndërsa vepron kokë në vete.

Nga paniku se po i rrëshqet timoni i bisedimeve me Serbin, presidenti Thaçi në deklaratat e tija  nuk ngurron t’i ofendoj analistët e pavarur dhe gjithë ata që nuk pajtohen meidenë e tij të “çmendur”.

Në kohën kur jemi duke përmbyllur ciklin e fundit të shtet ndërtimin, dhe kur  po shënojmë 7 vite negociata të dështuara me Serbin në krye me Thaçin, si mund të hedhën të gjitha këto “kompromise të dhimbshme dhe të arritura”, dhe ta fillojmë një proces te ri, me plotë të panjohura dhe rreziqe për Kosovën, që bien ndesh me tërë procesin politik të shtet ndërtimit tonë, të monitoruar dhe mbështetur nga miqtë ndërkombëtar?!                                                                                                                   

Ideja për “ korrigjim kufijsh” është ma shumë se ide. Është mision sekret i shteteve që presin të  realizojnë qëllimet e tyre, duke përfituar nga politikan injorantë si Thaç.

Prandaj, duhet të kemi kujdes nga  idetë e tilla!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat