Programet partiake nuk mund t’i zëvendësojnë platformat në interes të përgjithshëm

Opinione

Programet partiake nuk mund t’i zëvendësojnë platformat në interes të përgjithshëm

Nga: Abdulla Mehmeti Më: 1 shtator 2018 Në ora: 15:39
Abdulla Mehmeti

Vetëm mendësia komuniste mund t'ua imponojë qytetarëve programet, idetë dhe vizionet e një partie, si platformë e përbashkët me interes të përgjithshëm shoqëror dhe kombëtar.

Këshilli i Përgjithshëm i Bashkimi Demokratik për Integrim, më 31 gusht 2018, në Shkup, ka miratuar një Platformë politike për referendumin e 30 shtatirit, siç thuhet, për integrim në NATO dhe në BE, pa e përmendur çështjen thelbësore pse organizohet ky referendum, si obligim që del nga Marrëveshja e Prespës mes Maqedonisë dhe Greqisë për ndryshimin e emrit kushtetues të shtetit, nga Republika e Maqedonisë (e njohur ndërkombëtarisht si Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë) në Republika e Maqedonisë Veriore.

Sidoqoftë, është mirë kur subjektet politike pjesëmarrëse në pushtet kujdesen për zhvillimet e brendshme politike në vend, në rajon dhe në arenën ndërkombëtare.

Por, le t'i mbetet opinionit, qytetarëve shqiptarë në Maqedoni dhe jo vetëm, si edhe faktorëve të tjerë të bëjnë analiza përkatëse për qëllimet dhe rëndësinë e kësaj Platforme, e cila i obligon vetëm organet e kësaj partie, anëtarësinë dhe mbështetësit e saj, sigurisht që jo edhe anëtarësinë e partive të tjera politike, sektorin civil dhe qytetarët tjerë shqiptarë në Maqedoni.

Që të mos del se askush nuk është i interesuar për çështjet që trajtohen në këtë Platformë dhe obligimet që dalin prej saj për organet e kësaj partie, do të donim që së paku njëra nga pikat e kësaj Platforme të realizohet seriozisht, edhe atë, udhëzimet që i jepen Shtabit Qendror të kësaj partie në lidhje me fushatën për referendumin dhe realizimin e tij.

Ja çka parashihet (zotohet, obligohet) në njërën nga pikat e kësaj Platforme:

„Udhëzojnë Shtabin Qëndror të Bashkimit Demokratik për Integrim që, në bashkëveprim me liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim, të veprojë në përputhje me vullnetin shumicës dërmuese të shqiptarëve dhe qytetarëve të tjerë në fushatën “për” dhe të bashkëpunojë me partitë politike, organizatat e shoqërisë civile, botën akademike, opinionbërësit, grupet e interesitsi dhe mediat në fushatën për Evropë dhe për NATO;“

Nga kjo del që, ky Shtab duhet të thërret më së voni deri më 10 shtator (kur zyrtarisht fillon fushata për referendumin), tryezën e rrumbullakët, ose takim (mbledhje) të përbashkët me këta faktorë që përmenden në këtë pikë të Platformës, siç thuhet, "që të veprohet në përputhje me vullnetin e shumicës dërmuese të shqiptarëve dhe qytetarëve të tjerë në fushatën “për” dhe të bashkëpunojë:

- me partitë (tjera) politike, 

- organizatat e shoqërisë civile, 

- botën akademike, 

- opinionbërësit, 

- grupet e interesit dhe 

- mediat.“

Nëse nuk realizohet ky zotim, obligim që del nga kjo pikë e Platformës, atëherë, përmbajtja e kësaj Platforme do të trajtohet si manipulim i radhës i kësaj partie me vullnetin e qytetarëve shqiptarë në Maqedoni.

Për aq më tepër nëse merret pyrasyhs fakti se, ky është edhe detyrim moral i drejtuesve të kësaj partie që buron nga Platforma e partive politike parlamantare të shqiptarëve, të cilën e ka nënshkruar edhe kjo parti, më 7 janar 2017, në Shkup, me mbështetjen edhe të Tiranës zyrtare dhe të Prishtinës zyrtare.

Zgjedhja është në duart e drejtuesve të kësaj partie, ndërsa çështjet tjera le të vlerësohen nga qytetrët shqiptarë në Maqedoni, sot dhe në të ardhmen.

(1 shtator 2018)

* Pjesë nga Deklarata e përbashkët e partive politike parlamentare të shqiptarëve në Maqedoni:

„Përmbushja e këtyre objektivave do të mbikëqyret nëpërmjet krijimit të Tryezës së Partive Shqiptare Parlamentare.

Tryeza e Partive Shqiptare Parlamentare do të funksionojë sipas parimit të rotacionit dhe do të shërbejë si platformë për harmonizimin e aksionit politik dhe komunikimin transparent me partnerët ndërkombëtarë të Maqedonisë, duke kërkuar veçanërisht mbështetjen e Bashkimit Europian dhe institucioneve ndërkombëtare.

Tryeza do të përcaktojë afatet për realizimin e objektivave të sipërpërmëndura, në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë.“

(Deklarata e përbashkët është nënshkruar në Shkup, më 7 janar 2017)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat