Kriteret që duhet plotësuar për një vend pune në Kosovë

Opinione

Kriteret që duhet plotësuar për një vend pune në Kosovë

Nga: Dr. Artan Haziri Më: 4 shtator 2018 Në ora: 10:10
Dr. Artan Haziri

Një prej potencialeve që ka Kosova sot dhe ndër më të rëndësishmit është numri i madh i të rinjve, e që një pjesë e madhe është e papunë dhe, ndoshta, e pashpresë për një të ardhme të ndritur. Një numër aq i madh i të papunëve, medoemos, do të thotë fuqi e lirë punëtore, pra punëtorë me paga të ulëta, që do të prodhonin produkte konkurruese në treg me kosto më të ulet në krahasim me vendet perëndimore, ku paga është deri në dhjetëra herë më e lartë. Është interesant fakti pse një fuqi punëtore kaq e re dhe e lirë rri e pashfrytëzuar, rri kot!

Ku është problemi?

Nëse e hulumtojmë këtë çështje dhe nëse përcjellim publikime të ndryshme për këtë çështje, mund të konkludojmë se njëra prej arsyeve kryesore për këtë gjendje është arsimimi jo adekuat, apo jo i ndërlidhur mirë me nevojat e tregut të punës në Kosovë. Dihet se në Kosovë niveli i arsimit nuk është në gjendje të dëshiruar, mirëpo shkaqet për një gjendje të tillë vijnë nga shumë faktorë: një nga ta është se Kosova ende është shtet i ri dhe jo shumë kohë më parë ka dalë nga lufta. Para lufte Kosova bënte pjesë në Jugosllavi, pra në një bashkësi apo shtet me sistem të kontrolluar të tregut nga shteti. Ishte një shtet-federatë komunist, ku, medoemos, ka lënë pasoja në mentalitetin e popullsisë së shtetit tonë. Në krahasim me vendet e rajonit dhe të botes, Universiteti i Prishtinës, si universiteti i parë i shqiptarëve të Kosovës, është themeluar shumë vonë. Pra, është një kohë shumë e shkurtër që kemi universitet në krahasim me vendet e tjera. Mirëpo, pavarësisht këtyre rrethanave, mendojmë se gjendja ka pasur mundësi të jetë shumë më ndryshe, pra shumë më e avancuar.

Punëtorët e rinj, doemos, në çdo firmë duhet të kalojnë një fazë provuese fillestare, në të cilën fazë llogariten praktikantë, e që paguhen, zakonisht, me paga më të ulëta. Periudha e praktikës ndryshon nga firma në firmë dhe nga profesioni në profesion.

Punëtorët e rinj të diplomuar kanë njohuri të përgjithshme për profesionin e tyre, disa më shumë e disa më pak, por nga konkurrenca e madhe që ekziston në treg, punëdhënësit, në të shumtën e rasteve, kanë mundësi të mëdha të zgjedhjes. Kriteret e zgjedhjes së punëtorëve, zakonisht, përqendrohen, veç njohurive të fituara në universitet, edhe në kurset e ndryshme që kandidatët kanë ndjekur për t’u aftësuar. Në profesionet si, bie fjala, inxhinierë të ndryshëm, shembull, në fabrikat e ngjyrave të cilat operojnë në Kosovë, firmave i nevojitet t’i aftësojnë punëtorët e rinj për një kohë relativisht të gjatë, madje duke filluar nga gjërat elementare praktike. Kjo bëhet shkaku i mungesës së praktikës dhe i lidhjes apo bashkëpunimit ndërmjet firmave dhe universiteteve për punë praktike të studentëve.

Profesionet e tjera të ndryshme, si: menaxherët e firmave, bankierë, financierë, në të shumtën e rasteve, vendimin përfundimtar për ta pranuar apo jo një punëtor në punë, firma e merr pas një periudhe provuese, e cila zgjat më shumë se një muaj. Pra, pas një aftësimi praktik të cilin e merr kandidati në atë firmë dhe të asaj se a arrin t’i kënaqë kërkesat e asaj firme.

Për kontabilist çdo firmë kërkon që kandidati të jetë i certifikuar në kontabilitet, sepse, në të kundërtën, vetëm me aftësitë e fituara nga universiteti është pothuajse e pamundur kryerja e një pune të tillë.

Profesionet e tjera, si: kreator apo dizajner, në firmat e përpunimit të drurit, janë profesione të kërkuara në masë të madhe, nga të cilat profesione është duke u varur shumë suksesi i këtyre firmave. Krijimi i dizajneve të reja dhe të pëlqyera e mban firmën në treg dhe i siguron shitjen e produktit, duke i siguruar kështu një sukses të garantuar firmës.

Firmat që merren me shitjen e teknologjisë, e që duhet të merren edhe me servisimin e produkteve që i shesin, kanë kërkesë për punëtorë për servisimin e kësaj teknike, ku ka raste që një serviser paguhet nga firmat deri në 1200 euro në muaj. Dhe, zakonisht, këta serviserë vijnë nga shkollat profesionale apo ka raste kur këtë zanat e kanë marrë duke punuar vetëm punë  praktike, pa e ndërlidhur fare me teori. Është interesant fakti se shumë të diplomuar me bachelor dhe master nuk arrijnë ta kryejnë këtë punë, edhe pse janë të diplomuar në fushë të tillë.

Një numër i madh i të punësuarve punojnë si shitës dhe pjesa dërmuese e tyre nuk janë të diplomuar në ndonjë fushë të caktuar. Në vendin tonë mungon një shkollë e tillë për këtë lëmi, e që do të ishte ndihmesë e madhe për firmat në vendin tonë, kur dihet se shitja është njëri ndër elementët më të rëndësishëm të suksesit të firmave.

Një numër i madh i të punësuarve është në markete të ndryshme, ku menaxherët dhe pronarët e këtyre marketeve deklarojnë se punëtorët e rinj, pas një praktike të shkurtër, arrijnë ta kryejnë punën pa problem, meqenëse një punë e tillë nuk kërkon aftësi shumë speciale.

Në hoteleri shumica e firmave si problem paraqesin profesionin e kuzhinierit kryesor, ku, sipas tyre, ka kërkesë të vazhdueshme për ta dhe paga e tyre arrin dyfishin, madje në shumë raste edhe trefishin e pagës mesatare neto në Kosovë.

Në pyetjen që u kemi bërë firmave prodhuese, pra atyre të cilat merren me prodhimin e produkteve për treg, se cilat kushte u nevojiten për rritjen e biznesit të tyre dhe që të jenë konkurrent në tregun ndërkombëtar, përgjigjja nga firmat përpunuese të drurit, firmat e prodhimit të ngjyrave dhe fasadave të ndryshme, firmat përpunuese të llamarinës, firmat e prodhimit të dyerve dhe dritareve dhe firma të tjera më të vogla në industrinë ushqimore, del se një nga problemet e tyre është rritja e kapaciteteve në aftësinë e fuqisë punëtore për përdorimin e  makinerisë së re, e që nevojitet për prodhimin e produkteve në treg. Mirëpo, arsyet e tjera, e që përmenden nga ta janë vështirësitë për t’i plotësuar standardet e kërkuara nga tregu evropian, e që për arritjen e tyre kërkohet investim shumë i madh, qoftë në makineri e edhe në stafin punues. Sipas tyre, për të sjellë makineri të re në Kosovë, medoemos, duhet të sjellim në Kosovë edhe ekspertë për përdorimin e atyre makinerive, e që firma duhet t’u paguajë paga të majme ekspertëve për një kohë relativisht të gjatë, derisa të aftësohet stafi vendor për përdorimin e atyre makinerive. Firmat e lartcekura shumicën e punëtorëve i marrin nga shkollat profesionale. Në fillim të vitit 2015 kanë pasur probleme jashtëzakonisht të mëdha, ku një numër i madh i punëtorëve të tyre kanë shkuar emigrantë në shtetet evropiane, e edhe më larg, kryesisht shkaku i pagave të ulëta në firmat ku ishin, e që paga, kryesisht në ato firma, nuk arrin as 300 euro në muaj.

Vetëm një numër i vogël nga ato firma, prej afër 10%, ka deklaruar se do bashkëpunonin me universitete dhe shkolla profesionale për punë praktike të studentëve. Pjesa tjetër konsideron se një gjë e tillë do të shkaktonte probleme në ato firma. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat