Shën Nëna Terezë gjithnjë me ne

Opinione

Shën Nëna Terezë gjithnjë me ne

Nga: Don Lush Gjergji Më: 4 shtator 2018 Në ora: 16:02
Don Lush Gjergji

Sivjet, kemi një festim të trefishtë, që na lidhë me Shën Nënën tonë Tereze:

90 vjetori e vendimit (14 gusht 1928) dhe të  nisjes së saj për jetën rregulltarë dhe misionare në Kalkutë të Indisë (26 shtator 1928);
Dy vjetorin e shenjtërimit të saj (4 shtator 2016);
Një vjetorin e shugurimit të Shenjtërores dhe Katedrales “Nëna Tereze” në Prishtinë (5 shtator 2017).

Këto ngjarje të mëdha dhe të rëndësishme për ne, si Kisha amë e lindjes, rritjes dhe edukimit të saj, por edhe për mbarë Popullin tonë, shpresoj dhe uroj ta bëjnë Shenjtëreshën tonë gjithnjë të pranishme ndër ne dhe me ne, për jetën dhe veprimtaritë tona. Frymëzimi hyjnor, i lindur nga feja e krishterë, i zbatuar me përpikëri dhe dashuri, sipas traditës sonë ilire, arbërore dhe shqiptare, sidomos sipas Jezu Krishtit dhe Ungjillit të tij, e bëjnë Zotin më të pranishëm, më të afërt, më të gjallë dhe më veprues ndër ne dhe me ne, por edhe ne me njëri-tjetrin.

Ky është roli i nderimit dhe lutjes ndaj Shën Nënës Tereze, njohja, jetësimi, dëshmimi, përvetësimi dhe imitimi i saj në jetën tonë.

Bota, pra, edhe bota shqiptare, e njohu me nderim dhe falënderim, duke u mahnitur me veprat e saja, me Zotin  dhe për Zotin, me të afërmin dhe për të afërmin, me ata që gjithnjë ishin të kërcënuar dhe të rrezikuar nga indiferentizmi, egoizmi, egocentrizmi ynë, me mjerime, sëmundje, gërbula, përjashtime, mallkime dhe ndasi nëpërmjet kastave në Indi.

Shën Nëna Tereze këtë e kishte thënë bukur dhe e kishte zbatuar me fuqinë e fesë dhe frymëzimin e dashurisë, sipas këtij përbetimi dhe përcaktimi të shenjtë: “Kudo që jeta është në rrezik, aty duhet të jemi ne”.

“Shpikja” e saj gjeniale dhe epokale ishte DASHURIA NË VEPRIM, si “mjekim” kundër çdo të keqeje në botë.

Parimi i dytë është trajtimi me kujdes, vëmendje, përkushtim dhe dashuri universale për të gjithë, pa asnjë përjashtim gjinor, racor, kastor, fetar, shoqëror, në emër të Zotit – Dashuri dhe Vëllait apo Motrës – Njeri.

“Asnjë sëmundje, as gërbula, nuk mund ta shëmtojnë njeriun, që unë mos ta njoh në atë vëllain apo motrën time, edhe më tepër, vetë Jezusin”.

Pa fe të gjallë dhe dashuri vepruese, ajo s’kishte pasur mundësi as 24 orë të jetonte dhe të vepronte në mesin e të gërbulurve, të atyre që janë në buzë të vdekjes, të mjerëve të paparë në Kalkutë, në Indi, në botë.

Mu për këtë Shën Nëna Tereze ishte dhe mbetet Misionarja e parë  e tillë në 2000 vjetorin e krishterimit, edhe më gjerë, të mbarë njerëzimit, që pati vetëm një qëllim: flijimin, dhurimin, besnikërinë dhe dashurinë ndaj Zotit dhe ndaj të afërmit, pa i ndarë ata në jetë dhe në veprim.

Shën Nëna Tereze në një rast më tha: “Pasi e kuptova se Zoti është Dashuri, më s’duhej të bëja asgjë tjetër, përpos t’ua dhuroja njerëzve këtë Dashuri”.

Sivjet, në 90 vjetorin e vendimit dhe nisjes për jetën rregulltarë dhe misionare, Zoti nëpërmjet Shën Nënës Tereze, na jep shumë hire dhe bekime, si është  Shenjtërorja dhe Katedralja jonë, dëshmi e vëllazërisë kudo ndër ne apo në botë, pa dallime feje dhe shtetësie. Kjo dëshmon “shpirtin e Nënës së mbarë botës”, në ndërtimin e këtij objekti me ndjeja dhe zemra tona.

Në Katedrale paraqitet, nëpër dritare, mozaik në qelq, në mënyrë panoramike krishterimi ynë ilir, arbëror, shqiptar, prej Shën Palit te Shën Nëna Tereze, me figura të ndritshme që na i ka dhuruar Provani dhe historia, për ndërgjegjësimin dhe përcaktimin tonë sot dhe këtu.  

Aty ruhet gjaku i Shën Nënës Tereze, “gjaku ynë i shprishur”, që na thërret dhe pret të gjithëve, pa dallime, për të dëshmuar dashurinë ndaj  Zotit, ndaj jetës,  ndaj flijimi dhe dhurimit, ndaj njëri-tjetrit.

Kështu Shën Nëna Tereze do të jetë gjithnjë ndër ne dhe me ne, dhe ne do të jemi bij dhe bija të denja të saja, nën ndikimin dhe frymëzimin e fesë dhe veprimin e dashurisë. Ky nderim, kult, ndërmjetësim i saj, është i pëlqyeshëm para Zotit, dhe i dobishëm për të gjithë ne, sepse krijon kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë.

SHËN NËNA TEREZE, LUTU PËR NE!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat