Vdekja e Ibrahim Rugovës –fundi i një epoke

Opinione

Vdekja e Ibrahim Rugovës –fundi i një epoke

Nga: Gani Mehmetaj Më: 6 shtator 2018 Në ora: 10:42
Gani Mehmetaj

Në shkurt të vitit 1997, në Lutjet Tradicionale të Mëngjesit, në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, Nënë Tereza e kishte përqafuar presidentit Rugova, dhe pastaj ajo i ishte drejtuar presidentit të SHBA-së, Bill Klinton, duke i thënë: "Zoti President. Ky është presidenti im dhe i Kosovës – Ibrahim Rugova. Të lutem ma ke në kujdes, bashkë me popullin tim!" Mbas përfundimit të luftës në Kosovë, Klinton kishte shkuar në Kalkutë dhe duke u lutur mbi varrin e Nënë Terezës, ndër të tjera i kishte thënë: "Nënë, ndihem krenar dhe i çliruar në shpirt, që Zoti na ndihmoi dhe ta çova në vend amanetin! Tashmë populli yt në Kosovë është i lirë dhe po ndërton demokracinë". 

Dy kolosalët shqiptarë, Nënë Terezën e Ibrahim Rugovën, fati i nxori në një rrugëtim të përbashkët që njëra ta plotësonte tjetrin. Ata bënë punë të madhe. 

Ndërkaq, Átë Zef Pllumi, një martir që rrnoi për me dëshmu, për Rugovën shkruante:

“Nji ndër burrat e rrallë të kombit shqiptar. Ndoshta ma i rralli ndër shekujt e fundit. Sepse na cilsohemi, simbas tjerve, popull hakmarrës, i pamëshirshëm e shkatrrimtar. Ai u përpoq me spjegue shkrimtarin e madh kosovar Pjetër Bogdanin, ndërkaq Pjetër Bogdani zotnoi shpirtin e Ibrahim Rugovës. I përpoq mendimi i tyne i perbashktë: liria e popullit kosovar. Caktoi me ndjekë rrugën e tij si ma të drejtën për nji Kosovë të lirë e të pamëvarun prej gjithkujt. Ai pati vizionin e themeluesve të Europës së bashkueme. Atje mendonte me shti edhe vendin e vet Kosovën, por pa i shkaktue vuejtje as gjak kurrkuj, prandej edhe kje thirrë “Gandi kosovar”. U sha e u luftue nga serbët, u sha e u luftue nga shqiptarët, u sha e u luftue edhe nga kosovarët e vet, por ai kishte si drejtim vetëm vizionin europjan. Kje trim e nuk çau kryet për kurrnji kritikë e të shame, sepse ai ishte ma i dijtuni, e ma i urti i të gjithve. Vazhdimisht pat kritika në shtypin Kosovar për dy fotografi që mbante në zyrën e tij: atë të Nanë Terezës, si dhe atë të Gjon Palit të dytë ose Voitil-ës Papë. Mbas të gjitha kritikave, ai vazhdoi t’i mbante deri ditën e fundit të jetës, jo vetëm se i kishte zgjedhë si model të jetës s’vet sepse Gjon Pali i dytë kje luftari ma paqsor mbi tokë, i cili ia duel me shkatrrue dy ideologjitë ma kriminale të shekujve, nazizmin e komunizmin internacional, ndërsa Nana Terezë shqiptarja qi mori çmimin “Nobel për paqen”, e propozueme nga nji komb i largët për të mirat që i kish dhanë njerëzimit, nji kohë kur në vendin e vet nuk lejohej me ardhë as sa me nderue vorrin e nanës së vet."

Nënë Tereza vdiq e u varros në Kalkutë, disa vjet më parë. Ibrahim Rugova dergjej në shtratin e vdekjes. Botën shqiptare po e braktisin dy personalitetet më të rëndësishme të shekullit XX. Të gjithë prisnin kumtin për vdekjen e presidentit të shtetit të dytë shqiptar, Ibrahim Rugovës. 

Kumti mori dheun: Pas një sëmundjeje të shkurtër e të rëndë, vdiq Ibrahim Rugova, presidenti i Kosovës. Kumti i shkurtër e pikëllues, atë ditë të zymtë dimri, e shtoi mërzinë e popullit që e priste një fund të tillë, por ndonjëherë sikur shpresonte ndryshe. Lajmi ishte i pritshëm, sepse që nga shtatori ai vuante nga një lloj i kancerit të rëndë. Javëve të fundit Rugova nuk mori pjesë në aktivitetet e përditshme shtetërore, nuk paraqitej në televizion e në gazeta. 

Disa mua më herët Rugova e dha kumtin se mjekët i thanë që vuan nga kanceri. Por në kumtin që ia drejtonte kombit, çuditërisht kishte optimizëm të lehtë, diçka kaluese, sikur shpresonte se do ta tejkalonte këtë krizë shëndetësore, për t’iu kthyer punëve të përditshme, ose u jepte zemër shtetasve. Muaj me radhë ai punoi, ndërsa bënte kimioterapi, dilte në ekran me aktivitetet e shumta, sikur nxitonte t’i kryente disa punë më shpejt, që të mos i linte përgjysmë. Pak ditë para se të dilte publikisht për sëmundjen që e kishte mbërthyer, Rugova vuri themelet e Katedrales “Nëna Terezë” në Prishtinë. Kur u tha nga goja e tij me lehtësi të pazakonshme, sikur ka ca probleme, të cilat falë Zotit, do t’i tejkalonte, edhe ithtarët e tij nisën të besonin në mrekulli. 

Spekulimet e shtypit e të analistëve të shpifur nisën që në krye të herës. Një herë u spekulua kush do ta zëvendësonte Rugovën e sëmurë, kush do ta plotësonte zbrazësinë institucionale, pastaj zbrazësinë në krye të partisë, të cilën e udhëhoqi gati dy dhjetëvjetëshe në periudhën më të rëndë të historisë së shqiptarëve. Spekulimet të shumtën e herëve ishin dashakeqëse, bëheshin me ligësi, shprehnin mosdurimin ndaj personalitetit të Rugovës, hasmëritë e vjetra, por edhe ambiciet e sëmura pushtetore. Ata konsideronin se qe Rugova ai që i pengoi të ngriheshin në hierarkinë shtetërore e jo paaftësia e tyre. 

Një herë doli kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, në mënyrë të padinjitetshme, kinse nuk paska krizë kushtetore, sepse përpiqej ai të arsyetonte me një gjuhë belbane, sipas Kushtetutës, është ai që do ta zëvendësojë Rugovën. Presidenti vuante në shtratin e vdekjes, Daci synonte t'ia zinte vendin. Dikush ia tërhoqi vërejtjen për këtë deklaratë të padinjitetshme, kështu që nuk u dëgjua më. Në kreun e LDK-së kishin mbetur fare pak njerëz nga garda e vjetër, ata që ishin në pjesën më të madhe, nuk bënë asgjë, pos intrigave e ndërskamsave, duke u përpjekur të vinin në krye të institucioneve njerëzit e vet, të familjes a veten, duke përhapur thashethemnaja të turpshme në frymën e luftës speciale kundër Rugovës. 

Jo pak nga këta “veprimtarë” erdhën aksidentalisht në kryesi a në institucione të krijuara nga LDK-ja, me bërryla, duke i mbështetur një dorë e fshehtë. 

Më nuk mbizotëronte ajo fryma e vjetër e tolerancës, e dialogut e bashkëpunimit brendapartiak, përkundrazi kishte hasmëri të ndjeshme në mes të grupimeve politike që përpiqeshin ta trashëgonin Rugovën, por s’kishin asnjë cilësi a karizëm, pos dëshirës së pafre për pushtet e për dukje. Kjo qe fatkeqësi e madhe, sepse LDK-në e prisnin sfida të mëdha, ditë të vështira, por edhe ditë të zymta. Ndërkaq, LDK-ja ishte partia më e madhe dhe më e vjetër në Kosovë, mbi supet e së cilës ranë të gjitha problemet fondamentale të Kosovës që nga viti 1989.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat