Avaz i vjetër- vazhdon boshllëku në sistemin arsimor në Maqedoninë Veriore

Opinione

Avaz i vjetër- vazhdon boshllëku në sistemin arsimor në Maqedoninë Veriore

Nga: Hamdi Nuhiju Më: 6 shtator 2018 Në ora: 21:32
Hamdi Nuhiju

Para disa ditëve nisi viti i ri shkollor, ngjarja më e rëndësishme në shtet. Të gjithë familjet, mediet, shoqëria u përgatitën për këtë ngjarje madhore, me përjashtim të shkollave të cilat-disa prej tyre, ende ishin të papërgatitura për t`i pritur nxënësit.

Këtë vit për herë të parë në bankat e shkollës u ulën  20.437 nxënës që sipas statistikave në pesë vitet e fundit është numri më i vogël.

Problemi me vonesën e pagesës së rrogave për arsimtarët shqiptar në Maqedoni tashmë është shndërruar në tradicional dhe pak para nisjes së këtij viti shkollor, arsimtarët në fshatin Ropalcë, por edhe në komplet Komunën e Likovës e kanë pasur këtë problem.

Vlen të theksohet se epoka e sundimit të Zoran Zaevit ka nisur me vendimin për heqjen e testimit ekstern për nxënësit i cili krijonte telashe të mëdha për nxënësit dhe arsimtarët në shkolla. Por kjo është vetëm një lehtësim ose heqje e një të keqe dhe zëvendësimi me diçka e cila sipërfaqësisht duket e mirë, ndërsa në thelb është tepër e dëmshme.

Drejtimet në gjimnaze ndahen nga viti i tretë, ndërsa me ardhjen në pushtet të Zoran Zaevit, ndarja e klasave në drejtime është bërë qysh në fillim-vitin e parë, momentin kur të gjitha lëndët janë të njëjta për të gjithë nxënësit. Kjo ndarje bëhet me imponim të profesorëve dhe bekimin e politikës, ndërsa pa dëshirën e nxënësve dhe pa dijen e nxënësve. Disa nxënës në shkollat teknike edhe pse janë regjistruar në drejtime tjera, vet profesorët i kanë klasifikuar në drejtimet e reja, pa pëlqimin e tyre dhe të prindërve të tyre. Kjo zallamahi mund që të shtoje numrin e analfabetëve pasiv tek popullata shqiptare. Pa vullnetin e nxënësve dhe të prindërve t`i ndahet drejtimi nxënësve në aspektin psikologjik krijon ngarkesa dhe uljen e dëshirës për mësim dhe sukses në shkollë.

Kryeministri Zoran Zaev vazhdon më tej me ndryshimet strukturore në shkollat shqipe në Kumanovë dhe gjetiu. Në shkollat fillore dhe të mesme shqipe në Kumanovë, në disa prej tyre ka vendosur drejtor shqiptar, kuadro të LSDM-së, ndërsa në disa tjera ka vendosur zëvendës drejtor shqiptar kuadro të LSDM-së. E ka shtuar numrin e zëvendës drejtorëve nga një në dy duke u arsyetuar për rritjen e cilësisë dhe mbajtjen e rendit në shkolla.

Ky është një tentim i dukshëm i Zaevit për të mbajtur nën kontroll shkollat shqipe dhe rikthyer sistemin e dikurshëm kur arsimtarët, profesorët dhe nxënësit shqiptar kanë qenë skajshmërisht të diskriminuar, rrahur e tmerruar nga “vojvodat” maqedonas që kanë pasur postin e zëvendës drejtorit, sekretarit, shërbëtorit, rojtarit të shkollës.

Ministri i arsimit dhe shkencës që është nga radhët e BDI-së, duhet që urgjentisht të reagoje ndaj këtij stili të vepruari ose të jap dorëheqje nga posti.

Është e papranueshme që të jemi në vitin 2018 ndërsa në shkollat shqipe në Kumanovë të kthehet klima e viteve 90’-ta, 80’-a e 70’-ta, kur kumanovarët as arsimin e mesëm nuk e kanë pasur në gjuhën shqipe.

Prindërit janë të skandalizuar nga drejtorët e shkollave ku me dëshirën e drejtorëve shqiptarë filloristëve që sapo hapën dyert e shkollave i ofrohet gjuha maqedonase.

Nëse Zoran Zaevi është i sinqertë në qasjen e tij programore ndaj sistemit arsimor në Maqedoni, në tërësi duhet që ta reformoje si e ka bërë te shkollat, institutet dhe universitetet maqedonase. Vet jam dëshmitar i dallimeve midis Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe Institutit për Studime Komunikimi në Shkup.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat