Një pyetje e munguar për Presidentin Thaçi

Opinione

Një pyetje e munguar për Presidentin Thaçi

Dr. Islam Lauka Nga Dr. Islam Lauka Më 7 shtator 2018 Në ora: 20:50
Hashim Thaçi në emisionin “Opinion” të televizionit Klan

Mbrëmë, në emisionin “Opinion” të televizionit Klan, pak orë para takimit me homologun serb Vuçiq, atëherë kur pritej, të paktën, një transparencë minimale mbi përmbajtjen e bisedimeve Kosovë-Serbi, Presidenti Thaçi e bëri edhe më të dendur mjegullën rreth kësaj çështjeje. Ai ripërsëriti qëndrimet e deklaruara prej tij, në sa e sa konferenca shtypi: jo ndarje, jo shkëmbim territoresh, por vetëm korrigjim kufijsh dhe, si rezultat i këtij korrigjimi – bashkimi, në tërësi, i Luginës së Preshevës me Kosovën. 

Pyetjes së gazetarit, Blendi Fevziu, përse do ta nënshkruante Serbia marrëveshjen përfundimtare me Kosovën, pra çfarë do të marrë ajo në këmbim të Luginës, Thaçi iu kundërpërgjigj, “Ti ke kasavetin e Serbisë”

Kjo është një metodë tipike e autokratëve dinakë siç është Presidenti rus Putin, për t’iu bishtnuar pyetjeve të drejtuara, duke sulmuar me akuza të pabaza vetë intervistuesin.

Partitë politike, elitat intelektuale, shoqëria shqiptare, në përgjithësi, nuk duan që të lihen në terr informativ, sidomos tani që po diskutohen çështje kaq jetike, si territori. Ato nuk e kanë kasavetin e Serbisë, por janë të interesuara që të dinë çfarë do të marrin dhe çfarë do të japin, para se të nënshkruhet marrëveshja përfundimtare me Serbinë. Shqiptarët duhet të njihen, paraprakisht, me çmimin, të dinë koston, sa kushton kjo marrëveshje. Që kushton shumë, këtë e di më mirë se kushdo, Thaçi, sepse e ka thënë e stërthënë, me muaj të tërë, nëpërmjet togfjalëshit, “kompromis i dhimbshëm”.

Në qoftë se, siç deklaron ai, nuk do të ketë ndarje, as shkëmbim territoresh; nëse Mitrovica, Trepça dhe Ujmani do të mbeten në përbërje të Kosovës; nëse asaj do t’i bashkëngjitet Lugina e Preshevës, nëse, në fund të këtij procesi, do të njihet nga Serbia, si shtet i pavarur dhe sovran, atëherë, ky do të ishte “kompromisi më i lumtur” për të gjithë shqiptarët dhe Hashim Thaçi do të duhej, menjëherë, të shpallej hero kombëtar dhe, njëlloj si Skënderbeut, t’i ngriheshin monumente, në përkujtim të veprës së tij heroike, në Tiranë, Prishtinë, Tetovë, Preshevë dhe Ulqin. 

Në këtë rast, do të ishte plotësisht i justifikueshëm parashikimi i Vuçiqit për “kompromis të dhimbshëm” të Beogradit, sepse e fituara, në mënyrë krejtësisht të qartë dhe të pakundërshtueshme, do të ishte Kosova, ndërsa, e humbura, në mënyrë krejtësisht të qartë dhe të pakundërshtueshme e këtij procesi, pa diskutim, do të ishte Serbia. 

I pajustifikueshëm do të mbetej shqetësimi i Thaçit, sepse përbën paradoks fakti që ruajtja e integritetit territorial të shtetit dhe zgjerimi i tij me 3 komuna, aktualisht në përbërje të Serbisë, por të banuara nga shqiptarët dhe të njohura, historikisht, si territore të tyre, të konsiderohen prej tij si “kompromis i dhimbshëm”.

Pyetja e munguar mbrëmë ishte: Për cfarë dhimbjeje flet Thaçi? Apo, ku i dhemb konkretisht atij? Dhe më tej, në emër të kujt flet Hashim Thaçi?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat